Escobar për vendimin e Qeverisë për Manastirin e Deçanit: I vështirë, por i rëndësishëm

Përfaqësuesi i posaçëm për Ballkanin Perëndimor të Shteteve të Bashkuara, Gabriel Escobar, e ka quajtur vendim të rëndësishëm atë të Qeverisë kosovare për të urdhëruar Agjencinë Kadastrale që Manastirit të Deçanit t’i jepen pronat sipas vendimit të Kushtetueses.

“Vendimi i sotëm për Manastirin, sa ishte i vështirë është edhe i rëndësishëm, dhe i falënderoj institucionet për këtë hap” – nisi fjalën e tij Escobar në konferencën e përbashkët për media me presidenten Vjosa Osmani, më 13.03.2024.

Më 13.03.2024 Qeveria e Kosovës ka urdhëruar Agjencinë Kadastrale që të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese që t’ia njohë Manastirit të Deçanit të drejtën në pronë në 24 hektarë.

Sipas Kurtit, këtë vendim e ka marrë për ta hequr si kusht për pranimin e Kosovës në Këshill të Evropës.

“Na është thënë që ne duhet të zgjedhim mes dy opsioneve: të zbatojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese e të na mundësohet ecja tutje me qëllim anëtarësimin në Këshill të Evropës këtë vit, apo  heqjen e çështjes së Kosovës nga agjenda e anëtarësimit dhe rrjedhimisht heqjen dorë nga një qëllim demokratik e shtet ndërtues të Republikës sonë” – tha Kurti në mbledhjen e Qeverisë.

Në maj të vitit 2016, Gjykata Kushtetuese e Kosovës konfirmoi pronësinë e Manastirit të Deçanit mbi disa hektarë tokë. Pavarësisht këtij vendimi juridik dhe kërkesave pasuese, vendimi i Gjykatës nuk është zbatuar ende.