Michael Roth

Roth: E pakuptimtë që SHBA t'i vendosë Kosovës kushte shtesë për anëtarësim në Këshill të Europës

Kryetari i Këshillit për Punë të Jashtme të Bundestagut gjerman, Michael Roth, e ka quajtur të pakuptimtë dhe të pabalancuar qasjen e SHBA-së që Kosovës t’i vendosen kushte të tjera për antarësim në Këshillin e Europës.

Ai këtë reagim e bëri pasi i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, më 15.03.2024 tha që Asociacioni është kusht për anëtarësim.

“Tani, janë dy kushte të tjera që i kishte përmendur Këshilli i Europës dhe që po i kërkojnë disa vende europiane. Njëri është… [ka të bëjë] me disa veprime për shpronësimet që po bëhen në veri. Dhe, tjetri është Asociacioni”- ka theksuar Escobar, në një intervistë për Radio Evropa e Lirë.

Sipas Roth, është krejtësisht e pakuptueshme që SHBA vendos kushte shtesë për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës.

“Kjo qasje e pabalancuar e SHBA-së ndaj Kosovës duhet të ndalet përfundimisht. Është e padrejtë dhe e padrejtë. Këshilli dhe shtetet e saj anëtare ulen në vendin e drejtuesit- jo SHBA”- theksoi Roth.

Edhe nga Qeveria e Kosovës thonë që Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk është kusht për anëtarësim në Këshillin e Europës.

Në një intervistë për KALLXO.com, zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti tha se çështja e Asociacionit nuk mund të jetë pengesë as kusht shtesë për anëtarësim në KiE.

“Nuk mund të jetë pengesë, se çështja e Asociacionit është çështje e një procesi tjetër që është në Bruksel me ndërmjetësimin e dialogut nga Bashkimi Europian dhe është një çështje që nuk ka dakordim as për modelin as për asgjë”- shprehet Ahmeti.

Këtë Ahmeti e arsyeton duke thënë se nuk mundet Këshilli i Europës që të përfshihet në një proces tjetër, që është i ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian.

“Nuk mundet Këshilli i Europës, të bëhet levë apo instrument i një organizate tjetër e aq më shumë ta vlerësojë demokracinë, sundimin e ligjit dhe sistemin e drejtësisë dhe legjislativ në një vend duke u bazuar në veprimet ose mosveprimet, me konstuktivitetin ose moskontruktivitetin e një shteti tjetër që është Serbia”- tha Ahmeti.

Kosovës i duhen ⅔ e votave të 46 vendeve të Këshillit të Europës në mënyrë që Kosova të anëtarësohet në këtë mekanizëm.

Në mesin e shteteve që do vendosin për fatin e Kosovës janë edhe Serbia, Ukraina, Spanja, Qipro, Sllovakia, Moldavia e Greqia, të cilat nuk e njohin Pavarësinë e Kosovës të shpallur më 17.02.2008.

Sidoqoftë, zëvendësministri Ahmeti beson që do arrijnë t’i kenë më shumë se 33 vota, pasi që që gjatë kësaj kohe kanë rregulluar raportet edhe me disa vende mosnjohëse.

“Jam optimist që edhe Hungaria do të votojë në favor në Komitetin e Ministrave për dallim nga niveli i ambasadorëve”- tha Ahmeti, pasi që e njëjta kishte votuar kundër herën e kaluar, në mbledhjen e mbajtur më 24.04.2023.

Këshilli i Europës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Europë, e themeluar në vitin 1949. Në vitin 2022, pas sulmit rus ndaj Ukrainës, KiE përjashtoi Rusinë, duke mbetur kështu 46 shtete.

Kosova e paraqiti kërkesën për anëtarësim më 12.05.2022.

“Ne do jemi vendi i 47-të në Këshillin e Europës”- shprehet Ahmeti.

Nga maji në maj, a po shkojnë drejt fundit pritjet për anëtarësim në Këshillin e Europës?