Besim Zeqiri - Kaça

“Kaça” prapë në pranga të Policisë

Besim Zeqiri, i njohur me nofkën “Kaça” nuk shpëtoi as këtë vit pa rënë në pranga të Policisë së Kosovës.

“Kaça” është emër mjaft i njohur për forcat e rendit e për organet e drejtësisë për kryerjen e disa veprave të ndryshme penale.

Zeqiri në tetor të 2021-ës ishte shpallur për një kohë edhe në kërkim policor, ndonëse vetëm dy muaj më herët, në gusht të 2021-ës ai kishte mbetur i arrestuar nga PK.

Arrestimi i radhës ndaj “Kaçës” kishte ndodhur gati një vit pas shpalljes në kërkim, në gusht të 2022-ës

Ai njihet edhe për qëndrimin e tij në arrati për disa vite, para se të arrestohej në 2018-ën, por që më pas edhe kësaj radhe ai prapë ishte liruar.

“Kaça” në orët e hershme të mëngjesit të 11 gushtit të 2023-ës u përball prapë me forcat e rendit. Zeqiri së bashku me katër persona të tjerë u arrestuan kësaj radhe për sulm ndaj personave zyrtar, posedim narkotikësh dhe kontrabandim me mallra.

I dyshuar në këtë rast që ndodhi sot është edhe një person tjetër që arriti t’i ikte policëve.

Policisë i kishte ikur edhe vet “Kaça” në gusht të 2021-ës, e ndaj tij ishte zhvilluar një ndjekje si në filma

Zeqiri kishte arritur të arratiset, ndërsa gjatë arratisjes një polic kishte mbetur i lënduar.

Zeqiri fillimisht ishte ndjekur nga njësitë e patrullës së Mitrovicës së Jugut ndërsa në ndjekje në afërsi të “Dudi Kershit” ishte bashkangjitur edhe një njësi e anti-drogës.

Këta të fundit e kishin takuar të dyshuarin në afërsi të Zveçanit dhe gjatë tentativës për ta ndaluar makinën një polic ishte lënduar pasi ishte goditur me derë nga i dyshuari.

Vetura e njëjtë sipas raportit kishte goditur edhe një makinë tjetër dhe është larguar me shpejtësi në drejtim të Leposaviqit.

Makina e drejtuar nga Zeqiri më pas ishte gjetur e braktisur disa kilometra më tutje.