Automjeti për trazira, Foto: Policia e Kosovës

Ndjekje e rrezikshme në Leposaviq, 'Kaça' i arratiset Policisë

Një ndjekje e Policisë si në filma ka ndodhur javën e kaluar në rajonin e Mitrovicës së Veriut.

KALLXO.com mëson se cak i ndjekjes ishte Besim Zeqiri, i njohur në zonë si “Kaça”. Ky i fundit ka arritur të arratiset ndërsa gjatë arratisjes një polic ka mbetur i lënduar.

Një raport për ngjarjen të cilin e ka siguruar KALLXO.com potencon se Zeqiri ishte ndjekur fillimisht nga njësitë e patrullës së Mitrovicës së Jugut ndërsa në ndjekje në afërsi të “Dudi Kershit” është bashkangjitur edhe një njësi e anti-drogës.

Këta të fundit siç shkruhet në raport e kanë takuar të dyshuarin në afërsi të Zveçanit dhe gjatë tentativës për ta ndaluar makinën një polic është lënduar pasi është goditur me derë nga i dyshimti. Vetura e njëjtë sipas raportit ka goditur edhe një makinë tjetër dhe është larguar me shpejtësi në drejtim të Leposaviqit.

Makina e drejtuar nga Zeqiri është gjetur e braktisur disa kilometra më tutje ndërsa personi tash është shpallur në kërkim.

Ndjekjen e Besim Zeqirit e ka konfirmuar për KALLXO.com edhe zëvendësdrejtori i Rajonit Policor të Mitrovicë së Veriut, Besim Hoti.

“Ndjekjen e ka filluar Drejtoria Rajonale prej jugut  atje ku ka bo kundërvajtje i njëjti ka depërtuar në veri, në Zveçan, do të thotë kjo ka ndodhur në jug. Drejtoria Rajonale e Jugut, përkatësisht njësitë policore nga jugu, e kanë ndjekur, i njëjti nuk është ndalur dhe ka vazhduar ikjen e tij  me automjet në drejtim të veriut, në drejtim të Zveçanit dhe stacioni i jugut ka njoftuar stacionin në Zveçan dhe njësitë të cilat e kanë bërë ndjekjen gjithashtu dhe njësitë diku në Zveçan kanë arritur ta ndalin dhe pastaj ka ikur këmbë”, tregoi Hoti për KALLXO.com.

Ai thotë se nuk e di arsyen pse është ndjekur “Kaça”, pasi që shton se vetëm e kanë përcjellë informacionin të cilin e kanë marrë nga pjesa jugore e qytetit, ndërsa tregon se vetura e personit në fjalë është konfiskuar nga Policia.

“Personi i arratisur nuk është identifikuar ende nuk është arrestuar, ndërsa automjeti është sekuestruar nga Policia me procedurë të mëtutjeshme dhe të gjitha procedurat ndiqen tash edhe për disa vepra penale. E kemi iniciuar edhe një rast për mosrespektim të Policisë dhe procedura tjetër”, thotë tutje ai.

Në lidhje me këtë rast KALLXO.com ka dërguar pyetje edhe në Policinë e Kosovës në Prishtinë por të njëjtit deri në publikimin e këtij artikulli nuk kanë kthyer përgjigje.

Zeqiri edhe më parë ishte person i kërkuar nga Policia për shkak se ishte në kërkim për vepra të krimit të organizuar në këtë zonë.

Policia arreston të shumëkërkuarin Besim Zeqiri- ‘Kaça’ (kallxo.com)

www.kallxo.com