Foto: Policia e Kosovës
Drejtori i përgjithshëm i Policisë i ndau medaljen “Mburojë e Policisë” familjes së heroit Afrim Bunjaku
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Gazmend Hoxha, i ndau medaljen “Mburojë e Policisë” familjes së heroit Afrim Bunjaku, si dhe në emër të ministrit të Punëve të Brendshme të Shqipërisë, Taulant Balla, i dorëzoi flamurin e Republikës së Shqipërisë si nderim për veprën heroike të rreshter Afrim Bunjakut.
Policia përmes një njoftimi bëri të ditur se drejtori Gazmend Hoxha, bashkë me stafin e tij, sot vizitoi familjen Bunjaku dhe në emër të Policisë së Kosovës shprehu ngushëllime për rreshterin Afrim Bunjaku, i cili më 24 shtator 2023 ra heroikisht në shërbim të mbrojtjes së vendit dhe sigurisë publike, integritetit dhe sovranitetit, si dhe rendit kushtetues të Republikës së Kosovës.
“Ky ishte edhe një mesazh tjetër i Drejtorit të Përgjithshëm që në këso kohë të vështira të qëndrojmë bashkë dhe të mbështesim familjen Bunjaku dhe të gjithë pjesëtaret e Policisë që me dedikim e sakrificë përkushtohen në mbrojtjen e paqes dhe sigurisë në Republikën tone”- thuhet në njoftimin e Policisë.