Digjet vetura e një polici në Mitrovicë të Veriut

Vetura e një polici të Kosovës është djegur mëngjesin e sotëm (03.04.2024) në Mitrovicë të Veriut.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, Veton Elshani, konfirmoi për KALLXO.com se dyshohet për zjarrvënie të qëllimshme.

“Sot ka ndodh rasti në 5:30 në mëngjes. Sipas të gjitha gjasave kemi të bëjmë me zjarrvënie, pra është dëmtu vetura me qëllim. Jemi duke e këqyr se a ka të bëjë kjo me punën e tij apo me çka” – tha Elshani.

KALLXO.com mëson se targat e veturës ishin të Serbisë dhe se vetura i përkiste një polici të nacionalitet serb, i cili nuk kishte dhënë dorëheqje nga pozita e tij, ndryshe nga kolegët e tij serbë të Kosovës, që masivisht u larguan nga institucionet kosovare.

Më 05.11.2022 zyrtarë të Policisë së Republikës së Kosovës nga komuniteti serb i kanë zhveshur uniformat. Këtë veprim ata e bënë në takimin e thirrur nga Lista Serbe, i cili u mbajt në Zveçan.

Ata e shumë serbë të tjerë kanë dhënë dorëheqje nga pozitat e tyre në sistemin e drejtësisë, administratë e Kuvendin e Kosovës.

Largimet e tyre erdhën pas mospajtimit që kishin lidhur me vendimin e Qeverisë së Kosovës për konvertimin e targave të automjeteve, nga ato të lëshuara nga Serbia në targa të Republikës së Kosovës.

Në tre muajt e fundit, në veri të Kosovës, janë regjistruar tri djegie të tjera të pronave të zyrtarëve serbë të Kosovës. Për të gjitha këto raste, ka pasur pretendime se kanë qenë të qëllimshme, për të nxitur frikë.

Drejtorit për Kulturë, Rini dhe Sport në Leposaviq, Nenad Radosavljeviq i është djegur veranda dhe vreshti, më 23.03.2024.

Zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Arbër Vokrri ka akuzuar se mbrapa kësaj qëndron presidenti serb, Aleksandar Vuçiq dhe ish-nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radoiçiq.

Më 08.03.2024 ishte djegur lokali i nënkryetares së Komunës së Zveçanit, Natasha Tomaniq.

Tomaniq ka akuzuar Listën Serbe – partinë më e madhe e serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit – lidhur me këtë djegie.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se provat e grumbulluara nga djegia e lokalit të nënkryetares së Komunës së Zveçanit, Natasha Tomaniq, flasin për zjarrvënie të qëllimshme, ndërsa dëmi financiar llogaritet të jetë rreth 40 mijë euro.

Vetura i është djegur edhe kryetarit të Kuvendit Komunal në Leposaviq, Gorski Guriq, më 28.01.2024. Zëvendësministri Vokrri, për këtë rast ka thënë se ka ardhur pas shpeshtimit të kërcënimeve.