Mbledhja e Qeverisë së Kosovës

Kurti për djegien e lokalit të nënkryetares së Zveçanit: Provat flasin për zjarrvënie të qëllimshme

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se provat e grumbulluara nga djegia e lokalit të nënkryetares së Komunës së Zveçanit, Natasha Tomaniq, flasin për zjarrvënie të qëllimshme, ndërsa dëmi financiar llogaritet të jetë rreth 40 mijë euro.

Në fillim të mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, më 13.03.2024, Kurti foli edhe për heshtjen e ndërkombëtarëve ndaj kësaj ngjarjeje.

“Provat e grumbulluara nga ekzaminimi i vendit të ngjarjes flasin për zjarrvënie të qëllimshme. Dëmi financiar llogaritet të jetë rreth 40 mijë euro. Por qëllimi nuk ishte financiar sado që dëmi do të jetë barrë” – tha Kurti.

Megjithatë, sipas tij qëllimi nuk ishte financiar, por ishte frikësimi e terrori ndaj nënkryetares Tomaniq dhe të gjithë serbëve të Kosovës, veçanërisht në veri te vendit, të cilët siç tha Kurti duan integrimin në institucionet dhe shoqërinë e Kosovës sepse ashtu mirëqenia e tyre është më e mirë.

Heshtja e komunitetit ndërkombëtar edhe 5 ditë pas sulmit, sipas Kurtit sa vjen e bëhet më shurdhuese. Për këtë heshtje, ai tha se është dekurajuese për viktimën e inkurajuese për agresorin.

“Sepse ky sulm nuk ndodhi në vakum. Njëjtë siç pamjet e kriminelit e terroristit Millan Radoiçiq duke terrorizuar komunitetin serb dhe pastaj takimin me ambasadorin e Serbisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës po ashtu nuk ndodhën në vakum” – tha Kurti.

Këto veprime, kryeministri konsideron të jenë pasoja direkte të mosndëshkimit të Serbisë për sponsorizimin e sulmit terrorist të paramilitarëve nga Serbia në Banjskë, e përpjekje të Serbisë bashkë me Rusinë për destabilizim të Kosovës e rajonit.

“Radoiçiq është i lirë mbrojtur në Serbi e nga Serbia. Që nga 24 shtatori kemi kërkuar ekstradimin e terroristëve që vranë rreshterin, heroin e Kosovës, Afrim Bunjaku në Kosovë. Deri më sot Serbia nuk është përballur me asnjë pasojë për sulmin terrorist paçka se përfshirja e saj është bërë e njohur publikisht e botërisht” – shtoi më tej shefi i ekzekutivit.

Një lokal është përfshirë nga zjarri në Zveçan më 08.03.2024, rreth orës 00:45.

Nënkryetarja e Komunës së Zveçanit, Natasha Tomaniq, pretendon se dikush qëllimshëm ia dogji lokalin më 08.03.2024 rreth orës 00:45.

Tomaniq, ka akuzuar Listën Serbe – partinë më e madhe e serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit – lidhur me djegien e lokalit në pronësi të saj.

Për rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës. Në raportin 24-orësh policor është thënë se ankuesja ka informuar se persona të panjohur i kanë vënë zjarrin butikut të saj.

Policia e Kosovës tha se zjarrfikësit kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe e kanë shuar zjarrin.

Ndërsa, Lista Serbe ka thënë se dënon “insinuatat dhe akuzat e rreme” ndaj këtij subjekti politik lidhur me djegien e lokalit të nënkryetares së Zveçanit, Natasha Tomaniq.