I djeget vetura kryetarit të Kuvendit Komunal në Leposaviq

Në orët e para të mëngjesit të së dielës, i është djegur vetura e kryetarit të Kuvendit Komunal në Leposaviq, Gorski Guriq.

Fillimisht lajmin e ka bërë të ditur zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), Arbër Vokrri, i cili tha se djegia e veturës vie pas shpeshtimit të kërcënimeve.

Ndërkaq, Policia e Kosovës ka dalë me komunikatë duke bërë të ditur se ngjarja dyshohet se ka ndodhur rreth orës 04:00 të mëngjesit.

Sipas Policisë, vetura ka qenë me targa të Republikës së Kosovës, ndërsa në afërsi të veturës te motori është hasur një shishe plastike dhe një leckë e cila kundërmonte benzinë, e që dyshohet se është vendosur si ndezës për të djegur veturën.

“ Lidhur me rastin janë ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, është njoftuar prokurori kompetent me udhëzim të t ‘cilit është iniciuar rasti “zjarrvënie” për procedura të mëtejme hetimore’ – thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës.