VIDEO - Digjet veranda dhe vreshta e drejtorit komunal të Leposaviqit, Policia po heton rastin

Zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Arbër Vokrri ka shkruar se Drejtorit për Kulturë, Rini dhe Sport në Leposaviq, Nenad Radosavljeviq i është djegur veranda dhe vreshti.

Vokrri ka akuzuar se mbrapa kësaj qëndron presidenti serb, Aleksandar Vuçiq dhe ish-nënkryetarin e Listës Serbe, Millan Radoiçiq.

“Banditët e Radoičićit & Vučićit ia dogjën verandën dhe vreshtën drejtorit për Kulturë, Rini e Sport në Leposaviq, z. Nenad Radosavljević. Seria e krimeve të tyre ndaj zyrtarëve institucionalë në komunat veriore s’do ta thyejë vullnetin e qytetarëve serbë për të jetuar të lirë e të barabartë me tjerët në Kosovë” – ka shkruar Vokrri në Facebook përkrah videos ku shihet prona e djegur.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës në veri, Veton Elshani konfirmoi për KALLXO.com se sot (23.03.2024) policia është njoftuar për djegien dhe se hetimet kanë filluar për zjarrvënie.

Dyshimet e para të policisë janë se zjarri ka ardhur si pasojë e energjisë elektrike.

“Kanë fillu hetimet për rast të dyshimit të zjarrvënies. Kemi shku atje me ekspertin e zjarrit. Dyshimet e para i kemi se është ardhur si pasojë e rrymës” – tha Elshani.

KALLXO.com ka provuar të marrë edhe një përgjigje nga vetë drejtori i Kulturës, Nenad Radosavljeviq, mirëpo deri në publikimin e këtij artikulli, i njëjti nuk ka qenë i qasshëm.

Më 08.03.2024 ishte djegur lokali i nënkryetares së Komunës së Zveçanit, Natasha Tomaniq e më 28.01.2024  i është djegur vetura e kryetarit të Kuvendit Komunal në Leposaviq, Gorski Guriq.

Tomaniq ka akuzuar Listën Serbe – partinë më e madhe e serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit – lidhur me këtë djegie.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se provat e grumbulluara nga djegia e lokalit të nënkryetares së Komunës së Zveçanit, Natasha Tomaniq, flasin për zjarrvënie të qëllimshme, ndërsa dëmi financiar llogaritet të jetë rreth 40 mijë euro.