Serbët bojkotojnë institucionet e Republikës së Kosovës, policët zhveshin uniformat - FOTO

13:32

Kyetari i Listës Serbe, Goran Rakiq dhe katër kryetarëve të komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës, kanë vendosur për bojkotimin e institucioneve të Kosovës.

13:23

Zyrtarë të Policisë së Republikës së Kosovës nga komuniteti serb i kanë zhveshur uniformat. Ky veprim i tyre erdhi në takimin e thirrur nga Lista Serbe, takim i cili po mbahet në Zveçan.

 

Zyrtarë të Listës Serbe, të Policisë, komunaveme shumicë serbe, gjykatave dhe të institucioneve tjera janë parë duke hyrë në takimin e thirrur nga Lista Serbe në objektin e Komunës së Zveçanit.

Takimi është thirrur për të marrë një vendim në lidhje me qëndrimin apo largimin e tyre nga institucionet.

 

“Nesër do të marrim vendimin tonë dhe masat në konsultim me të gjithë kryetarët e institucioneve që udhëheqin institucionet me theks të veçantë në veri” – shtoi Rakiq.

Ai tha se rasti i suspendimi i Nenad Gjuriqit, pasi dyshohet se ka sabotuar dhe ka bërë thirrje për rezistencë për lëshimin e fletëqortimeve, ka qenë pika e cila sipas tij “ka mbushur kupën” dhe ka “prishur marrëveshjen e Brukselit”.

“Prishtina po e zbaton me muaj terrorin dhe nuk po mund të durojmë më, këtë e kemi thënë edhe me takimin me Vucic dhe kryetarin e qeverisë dhe nesër do të kemi një takim me përfaqësuesit e të gjitha institucioneve, nuk kemi ende orë të saktë” – shtoi Rakiq në konferencë për media.

Drejtori i suspenduar nga detyra, Nenad Gjuriq, njoftoi në konferencë edhe dorëheqjen e tij nga Policia e Kosovës.

“Nuk dua të jem pjesë e gënjeshtrave, nga sot nuk dëshiroj të jem pjesë e Policisë së Kosovës për shkak se dua të dal ballëhapur me fytyrë të pastër para gjyqit të zotit”- tha Gjuriq.

Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar para dy ditëve suspendimin nga puna të drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq.

Kjo u bë për arsye se ai po dyshohet se po bën thirrje për rezistencë kur tha se policët në veri të Kosovës nuk do të zbatojnë vendimin e Qeverisë për shpërndarjen e fletëqortimeve, për shoferët që kanë automjete me targa të lëshuara nga Serbia.

“Ne nuk mund ta zbatojmë atë vendim sepse ai është politik dhe i drejtuar kryesisht kundër komunitetit serb, të cilit i përkasim edhe ne vetë”, tha Gjuriq më 2 nëntor dhe shtoi se “patrulla të njësive të trafikut nga Prishtina janë dërguar në veri, për të ushtruar presion”.

Gjuriq i kishte bërë këto deklarata pas takimit me përfaqësuesit e Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë dhe katër kryetarëve të komunave në veri, të banuara me shumicë serbe (Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok).Ai tha se me këtë vendim paraprakisht është informuar edhe Drejtoria e Përgjithshme në Prishtinë si dhe të gjithë akterët ndërkombëtarë.

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, në konferencë paralajmëroi nisjen e disa protestave të dielën, për të cilat tha se do të jenë paqësore.

Që nga 1 nëntori, autoritetet në Kosovë kanë thënë se qytetarëve që kanë automjete me targa ilegale do të marrin fletëqortime.

Kjo është faza e parë e planit prej tri etapave që Qeveria e Kosovës ka thënë se do të zbatojë nga 1 nëntori deri më 21 prill të vitit 2023.

Faza e dytë parasheh gjobë në vlerë 150 eurosh për shoferët që kanë automjete me targa serbe, ndërkaq në fazën e tretë do të përdoren targa provuese.

Pas 21 prillit, sipas Qeverisë, nuk do të lejohet qarkullimi i automjeteve që nuk kanë targa RKS.

Të zhgënjyer me vendimin e Qeverisë së Kosovës janë shprehur Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian.

Në deklaratën e lëshuar nga zëdhënësi i Departamentit Amerikan i Shtetit, Ned Price, thuhej se janë të zhgënjyer që Qeveria e Kosovë ka refuzuar kërkesat e partnerëve ndërkombëtarë.

“Shtetet e Bashkuara janë të zhgënjyera dhe të shqetësuara që qeveria e Kosovës ka refuzuar kërkesat për ta bërë këtë nga partnerët e saj ndërkombëtarë.

Kosova dhe Serbia duhet të punojnë urgjentisht dhe në mënyrë fleksibël për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse për marrëdhëniet e normalizuara, me në qendër njohjen reciproke.

Është e rëndësishme që të dyja palët të reduktojnë retorikën nxitëse dhe të ndërmarrin veprime konkrete për të demonstruar angazhimin e tyre për bashkëpunim konstruktiv për të siguruar një të ardhme të qëndrueshme dhe të begatë për rajonin” – thuhet në reagim.

Të zhgënjyer janë shprehur edhe Bashkimi Evropian. Sipas BE-së, Kosova mund t’i heq gradualisht tabelat KM, por duhet procesi të shkojë me dialog.

“Kosova ka të drejtë të heqë gradualisht tabelat KM, por procesi duhet të zhvillohet në mënyrën e dakorduar në Dialog dhe të zbatohet në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe konsultative” – thuhet nga BE. Sipas tyre, vendimi i Qeverisë së Kosovës nuk është në përputhje me marrëveshjet e dialogut.

“Derisa, vendimi është një hap në drejtimin e duhur, nuk është në përputhje me marrëveshjet e dialogut, të cilat janë të detyrueshme për të dyja palët” – thuhet më tej në reagimin e BE-së.

Sipas BE-së, marrëveshja e vitit 2016 parashikonte proces të renditur dhe të përcaktuar qartë me një afat kohor 12-mujor për procesin e largimit, i cili nuk është ndjekur.