Barikadat ne Veri

Foto - Afrim Ejupi

Bastisje në veri, kanë të bëjnë me barrikadat e vitit 2022

Në veri të vendit sot gjatë ditës janë zhvilluar dy bastisje nga Policia e Kosovës.

Lajmi për KALLXO.com është konfirmuar nga zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin Mitrovic-Veri, Veton Elshani.

“Mund të ju konfirmoj se kemi pasur dy bastisje, një në Banjskë dhe një në fshatin Lozhistë” – ka thënë Elshani.

Tutje ai ka shtuar se zyrtarët policorë të këtij rajoni kanë asistuar Departamentin e Krimeve të Rënda të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë në bastisjet që kanë ndodhur gjatë paradites.

Bastisjet kanë të bëjnë me barrikadat që janë vendosur në dhjetor të vitit 2022.

Për tri javë me radhë disa nga rrugët e veriut ishin bllokuar nga automjete të rënda.

Barrikadat ishin vendosur pas arrestimit të ish-zyrtarit policor serb, Dejan Pantiq, i cili dyshohet se ka kryer vepra penale terroriste.

Pantiq dyshohet se më 6 dhjetor 2022 ka organizuar sulmet që ndodhën në zyrat e Komisionit Komunal Zgjedhor në Mitrovicën e Veriore.