Asamblistja e LVV-së afër zgjedhjes në postin e drejtoreshës së Agjencisë Kosovare të Privatizimit

Asamblistja e Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Nora Kelmendi, është pranë zgjedhjes si drejtoreshë ekzekutive e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP).

Sipas rezultateve të shpallura më 04.04.2025 nga AKP, Kelmendi është renditur e para me gjithsej 87.60 pikë. Pas saj, është renditur Bujar Sadiku me 76.80 pikë dhe Muharrem Arifi me 75.20 pikë.

Konkursi ishte shpallur më 27.01.2025 në faqen zyrtare të AKP-së.

“Integriteti, karakteri dhe profesionalizmi në punë, fare nuk kanë të bëjnë me orientime apo të ashtuquajtura poentime politike” – ka deklaruar Nora Kelmendi kur u pyet për garimin e saj në këtë pozitë.

Kelmendi përmendi ekspertizën e saj profesionale, duke theksuar faktin se ka punuar për 8 vite në këtë institucion në kohën kur Lëvizja Vetëvendosje nuk ka qenë në pushtet.

“Me siguri edhe atëherë poentimi ka pasur ndikim politik sepse përzgjedhja ime në atë kohë është bërë nga një panel ndërkombëtar”- tha ajo më 07.04.2025.

Kelmendi paralajmëroi se do të japë dorëheqje nga të gjitha funksionet politike në qoftë se do të zgjidhet si udhëheqëse e kategorisë së lartë drejtuese në këtë institucion.

Pas dy viteve, Arben Limani, kishte dhënë dorëheqje nga posti i drejtorit ekzekutiv i Agjencisë Kosovare të Privatizimit më 18.09.2024.

Paga në këtë pozitë është goxha e lartë, krahasuar me pozitat e tjera.

Ish-drejtori ekzekutiv i AKP-së, Arben Limani, në deklarimin e pasurisë për vitin 2024, kishte deklaruar se merr 37,418 € pagë vjetore neto. Që në muaj i bjen rreth 3,118 euro.

Në vitin 2003, Kelmendi kishte filluar punën në Agjencinë Kosovare të Mirëbesimit – AKM, ku punoi si zyrtare e privatizimit e më pas si udhëheqëse e njësisë për relacione me investitorë. Puna e saj vazhdoi edhe për 4 vite të tjera me pasardhësen e AKM-së, Agjencinë Kosovare të Privatizimit (AKP).

Në AKP si drejtoreshë e Departamentit të shitjes detyrë kryesore kishte udhëheqjen dhe menaxhimin e përgjithshëm të procesit të privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore në Kosovë. Ajo në AKP punoi deri në vitin 2011.

Nora Kelmendi ka qenë drejtoreshë e Gjeodezisë dhe Kadastrit në Komunën e Prishtinës kur kryetar ishte Shpend Ahmeti, gjatë kohës sa ky ishte në Lëvizjen Vetëvendosje. Por, me largimin e Ahmetit nga Vetëvendosje, e njëjta bashkë me dy drejtorë të tjerë ishin shkarkuar nga këto detyra.

Kelmendi në mars të vitit 2020 ishte emëruar këshilltare politike nga Albin Kurti që në atë kohë mbante pozitën e kryeministrit.

gusht 2021, ajo mori udhëheqjen e Drejtorisë së njëjtë në Prizren. Si drejtoreshë e Gjeodezisë dhe Kadastrit, Nora Kelmendi ishte bërë pjesë e ekipit të Mytaher Haskukës, ish-kryetar i Prizrenit.

Në zgjedhjet komunale, Kelmendi u kthye sërish në kryeqytet. Ajo në zgjedhjet e tetorit 2021 garoi për herë të dytë si asambliste e Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës.  Ajo ka qenë e angazhuar edhe si shefe e stafit të kabinetit të ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitisë.

Ajo arriti votat e mjaftueshme për të siguruar mandatin si asambliste.

Afër gjashtë muaj para zgjedhjeve lokale, Kelmendi ka synuar pozitën e drejtoreshës ekzekutive në Agjencinë Kosovare të Privatizimit.

Për këtë institucion, shefi i saj, Albin Kurti, kishte premtuar shuarjen.

“Duhet të shuhet sepse duhet të ndërtohet Fondi Sovran”- kishte thënë Kurti më 27.05.2021.

Fondi Sovran, siç premtonte Kurti, do të zëvendësojë Agjencinë Kosovare të Privatizimit (AKP), duke marrë nën menaxhim ndërmarrjet publike në vend, të cilat aktualisht menaxhohen nga AKP.

Në mars të vitit 2023 ishte hartuar një draft i Projektligjit për Fondin Sovran.

26.12.2023, Partia Demokratike e Kosovës e kishte dërguar për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për Fondin Sovran.

Sepse, sipas PDK-së, me Ligjin për Fondin Sovran po krijohet një institucion jashtë parimeve të sundimit të ligjit, dhe kërkesa për vlerësimin e këtij ligji e pamundëson dekretimin nga ana e presidentes.

Kurti më 13.11.2024, në një mbledhje të Qeverisë e kishte quajtur “Bllokim të reformave pozitive” dërgimin e disa ligjeve për interpretim në Gjykatën Kushtetuese nga ana e opozitës, përfshirë këtu atë të Fondit Sovran.

Sepse, siç thoshte ai, Fondi Sovran është jetik për rritjen ekonomike, shtimin e investimeve dhe pasurimin e strukturës së investimeve.

“Urojmë që paralajmërimet opozitare që Kushtetuesja do ta hedhë poshtë Ligjin tonë për Fondin Sovran, sipas informacioneve të tyre të brendshme të mos dalin të sakta”- ishte lutur ai.

Mirëpo, nga zyra e Lëvizjes Vetëvendosje drejt institucionit të AKP-së nuk është vetëm Nora Kelmendi.

KALLXO.com raportoi më 03.08.2021 se ish-kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për deputet në zgjedhjet 2019, Mentor Hyseni, ishte propozuar nga Qeveria e Albin Kurtit për anëtar të bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP).

Pas dy viteve si anëtar, Hyseni ishte ngritur në detyrë me vendim qeveritar më 07.06.2023 duke u bërë kryesues i bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit.