Haskuka emëron drejtoreshë të Gjeodezisë ish-këshilltaren e Albin Kurtit
Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka njoftuar se në postin e drejtoreshës komunale për Gjeodezi dhe Kadastër ka emëruar Nora Kelmendin.
Deri më tani, në 3 vite qeverisje Haskuka ka shkarkuar dy drejtorë të kësaj Drejtorie.
“Sot në Drejtorinë për Gjeodezi dhe Kadastër kam emëruar znj. Nora Kelmendin, e cila ka një eksperiencë mjaft të gjatë në këtë fushë”, ka shkruar Haskuka në njoftimin për emërimin e drejtoreshës së re, ndërsa ka falënderuar drejtorin e kaluar Bajrus Sezairi për punën e realizuar në përmirësimin e shërbimeve në këtë Drejtori.
Nora Kelmendi në mars të vitit 2020 ishte emëruar këshilltare politike nga Albin Kurti që në atë kohë mbante pozitën e kryeministrit.
Në të kaluarën, Kelmendi ka qenë drejtoreshë për Gjeodezi dhe Kadastër në Komunën e Prishtinës, e udhëhequr nga kryetari Shpend Ahmeti.
Por, me largimin e Ahmetit nga Vetëvendosje, e njëjta bashkë me dy drejtorë të tjerë ishin shkarkuar nga këto detyra.
Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, në vitin e tretë të qeverisjes së tij, ka pasur sfida të mëdha me drejtoritë e Komunës.
Burrat kishin dominuar shumicën e drejtorive të Komunës së Prizrenit, ndërsa tashmë situata është përmbysur kur 6 drejtori nga 13 në total do të udhëhiqen nga gratë.