Foto: Kallxo.com

Flasin të shkarkuarit e VV-së nga Shpend Ahmeti

Drejtori i deridjeshëm i Shëndetësisë në komunën e Prishtinës, Arben Vitia, ka folur të enjten, një ditë pasi është shkarkuar nga kjo pozitë nga kryetari i komunës, Shpend Ahmeti.

Vitia ka qenë në këtë drejtori që nga mandati i parë i Shpend Ahmetit në krye të komunës.

“Gjatë qeverisjes se LVV-së në Komunën e Prishtinës kemi krijuar një strukturë të duhur ku edhe fituam edhe një mandat të qeverisjes. Mbrëmë Kryetari largoi LVV nga qeverisja në Prishtinë, kjo qeverisje u fitua me votën e qytetarëve dhe aktivistëve, kryetarit nuk i bëhet vonë për premtimet dhe përgjegjësinë”, tha Vitia në një konferencë për shtyp nga selia e VV-së.

Ai tha se nuk i di arsyet e shkarkimit të tij dhe të Drejtores Komunale të Kadastrit, Nora Kelmendi.

“Ahmeti nuk ka pranuar as nuk ka lënë hapësirë për të kërkuar arsyet e shkarkimit nga pozita”, tha ai.

Edhe Nora Kelmendi tha se nuk ka marrë arsyetim nga Ahmeti për shkarkimin e saj.

“Akti i shkarkimit të cilin e bëri Shpendi tregon se ai e kishte të vështirë të ballafaqohet sy me sy, gjesti i tij tregon qyqarllëk ndaj neve dhe qytetarëve. Shpendi nuk ka arritur t’i gjej as 5 minuta dhe të na tregojë këtë vendim”, tha ajo.

Aktualisht i vetmi përfaqësues i VV-së në qeverisje në Prishtinë është Yll Rugova që e drejton Drejtorinë për Kulturë.

Por Rugova la të kuptohet se nuk do të jetë pjesë e ekzekutivit të kryeqytetit.

“Lëvizja Vetëvendosje dje është larguar nga komuna e Prishtinës duke lejuar mundësi për koalicione të reja brenda nga qeverisja aktuale. Jam i bindur që ne shumë shpejt do të vazhdojmë si VV për projekte me të mëdha dhe më të mira”, tha ai.