AKP. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Arben Limani zgjidhet drejtor menaxhues i AKP-së

Arben Limani është zgjedhur drejtor menaxhues i Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP).

Përmes një komunikate për media, bordi i AKP-së ka bërë të ditur se Limani është zgjedhur pas një procesi të rekrutimit.

Sipas komunikatës, në mbledhjen e mbajtur bordi ka miratuar buxhetin vjetor të Agjenicsë për vitin fiskal 2023, si dhe ka shqyrtuar raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit.

“Bordi gjithashtu  shqyrtoi raportin e Zyrës Kombëtare te Auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Agjencisë për vitin 2021 ku Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka dhënë Opinion të pamodifikuar për pasqyrat financiare vjetore të AKP-së për vitin fiskal 2021. Bordi kërkoi Plan konkret për adresimin e rekomandimeve të ZKA-së”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, Arben Limani ka një përvojë pune 20-vjeçare profesionale në sektorin privat dhe publik, me specializim në zhvillimin dhe zbatimin e politikave publike, të mbështetur me edukim të lartë në shkencat juridike brenda dhe jashtë vendit. Në Agjencinë Kosovare të Privatizimit (AKP) është angazhuar që nga viti 2009 deri më tani ku ndër të tjera ka mbajtur edhe pozitën e drejtorit të Sekretarisë Ekzekutive të Bordit të Drejtorëve nga viti 2011 e tutje.

Studimet themelore i ka kryer në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës. Studimet Master i ka kryer në Chicago-Kent College Of Law, Illinois Institute of Technology, në Chicago të Illinois (SHBA), në lëmin e Drejta e Shërbimeve Financiare si bursist i Fondacionit Kosovaro-Amerikan për Edukim të Lartë (KAEF).