Agjencia Kosovare e Privatizimit. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Gent Nushi emërohet zëvendëskryesues i Bordit të AKP-së, miratohet shpallja e konkursit për drejtor ekzekutiv

Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) ka mbajtur një mbledhje të jashtëzakonshme të Bordit të Drejtorëve, në të cilën janë miratuar disa vendime që “synojnë avancimin e proceseve të privatizimit dhe forcimin e qeverisjes institucionale”.

Siç njoftohet me anë të një komunikate për media, mbledhja është zhvilluar më 04.05.2026 dhe ka qenë e para që nga emërimi i Bordit nga Kuvendi i Kosovës më 27.04.2026.

Në këtë mbledhje, Bordi ka emëruar Gent Nushin në pozitën e Zëvendëskryesuesit të Bordit, në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi për AKP-në.

Po ashtu, Bordi ka miratuar shpalljen e konkursit publik për rekrutimin e Drejtorit Ekzekutiv të Agjencisë, proces i cili pritet të nisë së shpejti.

Më 27.04.2026, një ditë para shpërndarjes, Kuvendi ka votuar për emërimin e drejtorëve të rinj të bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP).

Kryesues i bordit të AKP-së u emërua Hekuran Nikçi, ndërsa për anëtarë u votuan Blerina Batusha-Xërxa, Mirsia Kaja, Berat Isa, Arbër Gorani, Atdhe Hykolli dhe Feim Kelmendi.

“59 deputetë kanë votuar për, tre kundër, tre abstenime. Konstatoj se emërohen drejtorët e bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit. Faleminderit të gjithëve! Shihemi pas pak në seancën për presidentin”- pati deklaruar kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu.

Deputetët e opozitës kanë hedhur kritika në adres të pushtetit duke përkujtuar se zotimi i LVV-së ka qenë shuarja e AKP-së.

Agjencia Kosovare e Privatizimit me ligj është organ i pavarur publik.