Ish-kandidati i LVV-së për deputet propozohet nga Qeveria Kurti për bord të AKP-së

Mentor Hyseni është propozuar nga Qeveria e Albin Kurtit për anëtar të bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP).

Hyseni ishte kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e vitit 2019. Ndërsa, gjatë Qeverisë Kurti I, ai ishte emëruar përkohësisht në krye të bordit të Ujësjellësit “Prishtina”.

KALLXO.com i ka dërguar disa herë pyetje Hysenit por ai nuk është përgjigjur deri në publikimin e këtij shkrimi.

Lidhur me emërimin/propozimin e Mentor Hysenit për anëtar të bordit të AKP-së ka reaguar partia opozitare – LDK.

Në një postim në Facebook LDK thotë se Vetëvendosja nga thirrja për çkapje të shtetit iu turr shtetit me të marrë pushtetin.

“Politizimi i bordeve dhe pushtimi i tyre me aktivistë dhe militantë partiak, tregon qasjen e njëjtë të Pronto 1.

Ky është episod i ri i Prontos, tashmë me numër rendor 2 dhe me protagonistë e llogo të re”, thuhet në postimin e LDK-së.

Mentor Hyseni ishte prezantuar si prurje e re gjatë parafushatës në vitin 2019.

Kryetari i LVV-së, Albin Kurti e pati përshkruar atë si një profesionist.

“Për 12 vite Mentor Hyseni ka punuar në pozita të larta menaxheriale nëpër institucione të ndryshme publike në Kosovë si Ministria e Drejtësisë dhe Korporata Energjetike e Kosovës. Ndërsa në 4 vitet e fundit Mentori punon si Ekspert i Financave Publike në Kuvendin e Kosovës duke ofruar ekspertizën e tij të gjatë për t’i shërbyer një qeverisje më të mirë të parasë publike”, shkruante Kurti për Hysenin në fushtë të vitit 2019.

Sot gjatë ditës, KALLXO.com raportoi se edhe dy anëtarë të tjerë të propozuar për bordin e ri të AKP-së kanë të kaluar politike.

Njeriu i Vetëvendosjes propozohet për bord të AKP-së

Ish-anëtari i LDK-së propozohet për bord të AKP-së

www.kallxo.com