PDK e dërgon në Kushtetuese Ligjin për Fondin Sovran: Qeveria po synon të krijojë monopol
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) e ka dërguar për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për Fondin Sovran.
Sipas njoftimit, PDK vlerëson se me Ligjin për Fondin Sovran po krijohet një institucion jashtë parimeve të sundimit të ligjit, dhe kërkesa për vlerësimin e këtij ligji e pamundëson dekretimin nga ana e presidentes.
Deputeti i PDK-së, Ferat Shala ka thënë se qeveria përmes këtij ligji po përpiqet të krijojë pabarazi dhe të hapë linja tjera të kontrollit mbi asetet publike.
“Ne sot po e fillojmë këtë proces politik dhe jemi të bindur se do të duhej të kthehej apo të suprimohej ky ligj tashmë i miratuar dhe t’i kthehemi normalitetit ekonomik të vendit, sepse kjo qeveri po orvartet që me ligje të tilla diskriminuese të pabarabarta të kapë të resurset, asetet dhe ndërmarrjet, të cilat de fakto dhe de jure i menaxhon vet”- ka thënë ai.
Ndërsa, avokati Faton Fetahu tha se deputetët e Grupit Parlamentar të PDK-së qysh në fillim kanë paralajmëruar se një nismë e tillë është jokushtetuese.
Sipas tij, janë 11 nene të këtij ligji që nuk janë në pajtueshmëri me Kushtetutën.
“Në tërësi kemi evidentuar, kemi vlerësuar se 11 nene të këtij ligji janë të papajtueshme me të paktën 7 nene të Kushtetutës dhe i tillë është edhe neni, i cili flet për rolin investues të Fondit Sovran dhe krijimin e ndërmarrjeve, të cilat janë si ndërmarrje private, të cilat do t’i mbështesë Fondi. Pra, në këtë mënyrë krijon monopol në treg, sepse Fondi Sovran do të zgjedhë dy ndërmarrje private sipas dëshirës së tij, pa kushte dhe pa kritere, do të investojë”- ka shtuar ai.
Ligji për Fondin Sovran u miratua në Kuvendin e Kosovës më 15 dhjetor 2023, më 62 vota pro, asnjë kundër e asnjë abstenim.
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Fondi Sovran është projekti më i madh ekonomik që është bërë ndonjëherë në Kosovë.
Ai ka thënë se ky Fond do të rrisë mundësinë e investimeve dhe përmirësojë edhe më shumë menaxhimin e tyre.
“Ndërmarrjet tona publike, të cilat nuk operojnë më me humbje si në të kaluarën, së bashku me 24 mijë asete tjera do barten nga qeveria në Fond, që do të rrisë mundësinë e investimeve dhe përmirësojë edhe më shumë menaxhimin e tyre. Kjo e bën qeverinë më të vogël por shtetin më të fortë e më të pasur, duke na vendosur në hartën e tregjeve botërore financiare”- kishte thënë Kurti.
Fondi Sovran, siç premtonte Kurti, do të zëvendësojë Agjencinë Kosovare të Privatizimit (AKP), duke marrë nën menaxhim ndërmarrjet publike në vend, të cilat aktualisht menaxhohen nga AKP.