Akuzat për tenderin për digjitalizim, Komuna e Prishtinës: Ndërhyrjet e paligjshme nuk janë pjesë e politikës sonë

Partia më e madhe opozitare në kryeqytet, Lëvizja Vetëvendosje, më 11.04.2024, hodhi akuza drejt qeverisjes së Përparim Ramës lidhur me tenderin për digjitalizimin e proceseve edukativo-arsimore.

Kjo parti, pretendon se fituesja e tenderit është “shoqja e kryetarit Rama” dhe “përkrahëse e shefit të tij, Lumir Abdixhiku”, duke u bazuar në postimet e saj në rrjete sociale në kohë zgjedhjesh.

Por, Komuna e udhëhequr nga Përparim Rama, në një përgjigje për KALLXO.com ka thënë se nuk diskutojnë rreth proceseve të prokurimit, dhe se çdo ankesë për këto procese “duhet të bëhet përmes rrugëve zyrtare”.

Komuna e Prishtinës ka thënë se ndërhyrjet e paligjshme nuk janë pjesë e politikës së qeverisjes Rama.

“Nuk mund të diskutojmë rreth proceseve të prokurimit, të cilat janë të rregulluara nga ligji dhe drejtuara nga profesionistët e certifikuar. Çdo ankesë për këto procese duhet të bëhet përmes rrugëve zyrtare. Ne nuk pranojmë të paraqitemi si autoriteti i vetëm vendimmarrës, ndërhyrjet e paligjshme nuk janë pjesë e politikës sonë. Ne vazhdojmë të angazhohemi në rrugën e digjitalizimit, të përqafimit të teknologjisë në të gjitha sferat ku kemi autoritet, për të ndërtuar një të ardhme të mirë, transparente dhe të qëndrueshme për qytetarët tanë” – kanë thënë nga Komuna e Prishtinës më 11.04.2024.

Në përgjigje, Komuna ka pretenduar se digjitalizimi i procesit mësimor nuk është vetëm një çështje e Qeverisë qendrore apo Ministrisë së Arsimit. Kjo pasi një tjetër pretendim i asamblistëve të grupit të LVV-së ishte se digjitalizimi në këtë fushë është kompetencë e MASHT-it dhe jo i komunave.

Sipas Komunës së udhëhequr nga Rama i LDK-së, është koha të lehtësojnë barrën për fëmijët, “t’iu ofrojnë mjetet dhe metodat mësimore moderne dhe interaktive”, që sipas tyre, të gjitha të certifikuara nga Ministria e Arsimit.

“Avansimi i kushteve dhe sigurimi i mjeteve për realizim sa më efikas te kurikules janë specifikisht kompetencë e komunës. Digjitalizimi i këtyre mjeteve qe e bën më të lehtë realizimin e njësive mësimore në shkolla është obligim e synim i qeverisjes sime. Andaj, nuk ka asnjë ndeshje të kompetencave. Ne e shohim si një proces, ku synimi nuk është thjeshtë ceremonia e inaugurimeve, por përfitimi afatgjatë për brezat e ardhshëm. Rezultatet e këtij procesi do të mund të jenë në shërbim të nxënësve menjëherë, e ky është investimi ynë në të ardhmen” – thuhet në përgjigjen e Komunës.

“Ne jemi të hapur për një debat konstruktiv, që synon të ndërtojë një rrugë të qëndrueshme për të ardhmen, jo të gjejë fajtorë apo arsyetime për mospunë. Ne vazhdojmë të angazhohemi në rrugën e digjitalizimit, të përqafimit të teknologjisë në të gjitha sferat ku kemi autoritet, për të ndërtuar një të ardhme të mirë, transparente dhe të qëndrueshme për qytetarët tanë” – përfundon Komuna në përgjigjen e saj.

Për tenderin mbi 255 mijë euro për digjitalizimin e shërbimeve edukativo-arsimore, Lëvizja Vetëvendosje më 11.04.2024 mbajti një konferencë për media duke thënë se kryetari Rama po e shpërndan paranë publike te “grupet e ngushta” dhe për “rrethin e tij”.

Nga kjo parti thanë se pronarja e kompanisë fituese, “Schoolme Implementation & Consulting” Sh.p.k., Iris Gjinovci është “shoqja e kryetarit Përparim Rama”, dhe “mbështetësja e shefit të Ramës, Lumir Abdixhiku”.

“Këtë radhë Komuna e Prishtinës shpërblen me kontratë OE- “Schoolme. Implementation & Consulting Sit P.K.-Loco 1. “me çmim prej 256,040.00€. Kjo kompani është në pronësi të Iris Gjinovcit dhe në regjistrin e bizneseve është regjistruar në maj të vitit 2022. Por, kjo kompani del të mos jetë duke performuar mirë. Kjo pasi që te lista e bizneseve që u është anuluar certifikata e TVSh-së figuron edhe “Schoolme Implementation & Consulting ShP.K” dhe ky informacion është publikuar me 27.09.2023” – ka thënë sekretari i LVV-së në Prishtinë, Egzon Azemi, në konferencë për media më 11.04.2024.

KALLXO.com ka kontaktuar me Iris Gjinovcin, e cila mohoi se ka miqësi personale me kryetarin Rama duke thënë se ka vetëm “një njohje të thjeshtë”.

“Si fillim, mund t’ju them se nuk kam asnjë miqësi personale me kryetarin Rama, përveç një njohje të thjeshtë. E natyrisht që çështja e digjitalizimit të arsimit, ku biblioteka kurrikulare audiovizuale Schoolme për klasat 1-9 është prekursore, e pilotuar dhe e implementuar në Kosovë nga Masht dhe komuna e organizata të tjera që në 2016 ( me vlerësime maksimale nga shkollat përdoruese dhe Instituti pedagogjik i Kosoves) nuk ka filluar e nuk mbaron me kryetarin Rama” – ka deklaruar ajo.

Gjithashtu, nga Lëvizja Vetëvendosje u tha se për këtë tender kanë aplikuar 8 ofertues, dhe oferta më e shtrenjtë ka fituar.

Ish-asamblisti i LVV-së, Egzon Azemi, ka ftuar organet e prokurorisë që “sa më parë të hetojnë këtë rast”.

Sa i përket çmimit më të lartë që ka fituar, Gjinovci ka dhënë versionin e saj se përse oferta e saj u zgjodh e përgjegjshme karshi ofertave të tjera që kishin ofertuar më lirë.

“Sa për kompanitë e tjera qe kane aplikuar me tender besoj ta keni vënë re se vendimi i përcakton si me ofertë të papërgjegjshme si per lotin 1 ku ne kemi aplikuar, ashtu dhe ne lotin 2 ku nuk kemi aplikuar. Arsyeja, siç është thënë dhe në vendim, është jo që nuk kanë disa specifika të produktit, por se thjesht nuk kanë fare produkt” – ka thënë Gjinovci.