Kurti 'pa fjalë' - Ministria e drejtuar nga Liburn Aliu angazhon si ekspertë njerëzit e LVV-së

Më 11.01.2024, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, kishe filluar procedurat për angazhimin e 10 ekspertëve për ‘Programin e Banimit të Përballueshëm në Kosovë’.

Për angazhimin e ekspertëve, kësaj Ministrie ju desh t’i filloj procedurat e tenderimit.

KALLXO.com ka kuptuar se janë kërkuar ekspertë të ndryshëm dhe të dhënat tregojnë që të paktën 30% e njerëzve që e kanë fitu punën si ekspertë në tender kanë lidhje direkte me partinë Lëvizja Vetëvendosje.

Ekspertët e përzgjedhur që kanë lidhje me Vetëvendosjen janë: Abdyl Gashi, ish kryetar i Vetëvendosjes në Artanë, Atdhe Arifi është njeri i Vetëvendosjes në Prishtinë dhe Ibrahim Ajupi, ish kryetar i Vetëvendosjes në Dragash.

Të tre së bashku, për 12 muaj pune si ekspertë do marrin mbi 30 mijë euro.

KALLXO.com ka kërkuar në Ministri dosjet e aplikuesve në këtë tender, për të parë se me çfarë dokumentesh fituan tenderin Gashi, Arifi e Ajupi.

Në dosje kemi marrë të dhëna që Atdhe Arifi për 69 muaj ka marrë pagë prej Vetëvendosjes.

Por dokumenti më interesant është letra e rekomandimit që partia e ka lëshuar për Abdyl Gashin, dokumenti është përdorur për me e fitu tenderin në MMPHI.

KALLXO e ballafaqoi kryeministrin Albin Kurti me faktin se për me fitu tender në Ministri, njerëzit po përdorin letra të partisë.

Në katër aktivitete të kryeministrit Kurti ka qenë ekipi i KALLXO.com por që ai nuk dha asnjëherë përgjigje për pyetjet e ekipit.

Në fshatin Izbicë të Skenderajt më 28.03.2024 për herë të parë përballëm Kryeministrin me faktin se njerëzit e partisë së tij u angazhuan si ekspertë në MMPHI. Pas Izbicës, më 29.03.2024 paradite ekipi i KALLXO e takoi Kryeministrin në Lipjan, edhe këtu pa përgjigje.

Pasditen e 29.03.2024 me kryeministrin në Prizren ishte edhe ekipi i KALLXO.com por që përsëri ai nuk u përgjigj.

Më 02.04.2024 në Mitrovicë, kryeministri Kurti përsëri iu shmang pyetjes së ekipit.

“Për dikasteret nëpër Qeveri pyetini ministrat dhe… konkretisht se kështu unë nuk mund të përgjigjem”- pati deklaruar Kurti.

Atdhe Arifi e ka fituar kontratën 12 muajshe në tenderin e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës. Ai në dosje ka treguar se ka punuar për 69 muaj në Lëvizjen Vetëvendosje. Ai sipas kontratës me shtetin do paguhet 11 mijë e 880 euro.

Ibrahim Ajupi ka qenë kryetar i degës së Vetëvendosjes në Dragash  ai ka fituar në tenderin për ekspert në kuadër të programit të banimit të përballueshëm në Kosovë. Ai do i fitoj 11 mijë e 880 euro nga kjo kontratë.

Abdyl Gashi u angazhua si ekspert i Ekonomisë ai më parë punoi në degën e Vetëvendosjes në Artanë si zyrtar administrativ dhe financiar, prej prillit të vitit 2018 deri në shkurt të vitit 2023. Gashi do i marrë nga tenderi 8 mijë e 400 euro mijë euro.

Ekipi i KALLXO.com ka kontaktuar edhe me ministrin Liburn Aliu për të folur rreth angazhimit të njerëzve të Vetëvendosjes në Ministrinë që udhëheq ai.

Aliu mohon të ketë pasur letër rekomandimi nga LVV për angazhimin e Abdyl Gashit.

“Rekomandim të veçantë nuk ka pas. Nuk janë ata vetëm disa njerëz të partisë, aty ka pas një konkurs të qartë, ka pas të angazhun edhe të tjerë”- deklaroi ministri Liburn Aliu.

Ndonëse ministri Aliu mohon se ka pasur letër rekomandimi. Hulumtimi i KALLXO.com zbulon se në dosje ishte e vendosur letra e lëshuar nga partia.

Dokumentet janë siguruar përmes kërkesës për qasje në dokumente publike  prej Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

Abdyl Gashi i cili e ka vendosur letrën e rekomandimit në dosje thotë se ajo nuk pati ndikim në përzgjedhjen e tij.

“Krejt informatat i ke marr prej Ministrisë edhe prej meje. S’ka pas kurrfarë ndikimi. Ka qenë rekomandim dhe aq”- deklaroi Gashi.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me sekretarin organizativ të Lëvizjes Vetëvendosje, Alim Rama, i cili e ka lëshuar letrën e rekomandimit. Rama deklaroi se nuk e ka ditur se ku do e përdor Gashi letrën e lëshuar nga ai.

“Sa i përket vërtetimit, e konfirmoj se Abdyl Gashi ka qenë i angazhuar si zyrtar administrativ në qendrën (degën) e LËVIZJES VETËVENDOSJE! në Artanë siç edhe e ceka në letrën e rekomandimit. Kjo është letër standarde që Lëvizja VETËVENDOSJE! i lëshon të angazhuarve në zyrën kryesore ose në degët e saj”- deklaroi Rama.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me Atdhe Arifin e Ibrahim Ajupin, rreth angazhimit të tyre në Ministrinë e drejtuar nga Liburn Aliu.

“Po gjithçka transparente është, mundeni me i këqyrë në faqe të ministrisë. Nuk mundem me dhënë deklarata”- deklaroi Atdhe Arifi.

Ibrahim Ajupi në anën tjetër deklaroi se në Lot-in në të cilin ai aplikoi nuk pati konkurencë.

“Unë jam inxhinier me shumë vjet përvojë pune, plus jam kandidat i doktoratës. Kam qenë superior, nuk kam pas nevojë me ndërhy partia. Më ka tregu një shok për këtë konkurs edhe pasi që isha i përgatitur aplikova”- deklaroi Ajupi.

Për këtë procedurë prokurimi pati edhe ankesa, njëra prej atyre që u ankua ka qenë edhe Donjeta Alloqi- Bytyçi. Ajo kishte aplikuar në Lot-2, për t’u angazhuar si profesioniste e arkitekturës, në të njëjtin lot ku u angazhua Atdhe Arifi.

“Një herë jam pranuar pastaj ka pas ankesë në Ministri dhe në rivlerësim më kanë refuzu, mendoj që më është bërë e padrejtë. Avokati im ka gjetë shkelje edhe tek kërkesat në dosje të tenderit. Kam pasur pretendime që ka pasur shkelje, avokati e ka bërë ankesën, më kanë thënë që kam qenë ekonomikisht e pafavorshme. Ministria më ka thënë që e ka kthyer në rishqyrtim lëndën për shkak të një gabimi teknik”- deklaroi Alloqi- Bytyçi.

Përmes kësaj procedure të prokurimit, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, ka angazhuar një person si ekspert për fushën e politikave të banimit, tre profesionistë të fushës së arkitekturës, dy ekspertë të ekonomisë, dy ekspertë të ndërtimit dhe ekspert për juridik.

MMPHI pati planifikuar që për këta ekspertë që i ka angazhuar t`i shpenzojë 105 mijë e 600 euro.

Ministria në Dosje të tenderit thotë se ky tender ka për qëllim që të reflektoj qartë se në çfarë lloj reformash nevojiten që të plotësohen politikat në sektorin e banimit si dhe përfshirjen e qytetarëve në mënyrë të barabartë në gjithë Republikën e Kosovës dhe vendosjen e politikave të qëndrueshme në fushën e banimit, përmes shkëmbimit të përvojave dhe bashkëpunimit të vazhdueshëm në mes të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.

Qëllimi i projektit është përmirësimi i kushteve të jetesës, në mënyrë institucionale, financiare dhe teknike, si dhe i qëndrueshëm nga ana sociale, mjedisore dhe ekonomike.

Kjo lloj procedure e prokurimit për angazhimin e ekspertëve nga jashtë më herët njihej edhe si angazhim me kontratë mbi vepër.

Në kriteret e këtij tenderi nuk pati rregulla që ndalonin njerëzit e partisë të angazhoheshin në Ministri.