Lëvizja Vetëvendosje me akuza për Përparim Ramën lidhur me tenderin për digjitalizim

Partia më e madhe opozitare në kryeqytet, Lëvizja Vetëvendosje, ka hedhur akuza drejt qeverisjes së Përparim Ramës lidhur me tenderin për digjitalizimin e proceseve edukativo-arsimore.

Sipas Egzon Azemit, sekretar në LVV, kryetari Rama po e shpërndan paranë publike te “grupet e ngushta” dhe për “rrethin e tij”.

Azemi në një konferencë për media tha se në këtë tender kanë aplikuar 8 ofertues, dhe oferta më e shtrenjtë ka fituar.

Ai ka pretenduar se fituesja e tenderit në vlerë mbi 255 mijë euro është “shoqja e kryetarit Rama” dhe “përkrahëse e shefit të tij, Lumir Abdixhiku”.

Ish-asamblisti i LVV-së ka ftuar organet e prokurorisë që “sa më parë të hetojnë këtë rast”.

“Këtë radhë Komuna e Prishtinës shpërblen me kontratë OE- “Schoolme. Implementation & Consulting Sit P.K.-Loco 1. “me çmim prej 256,040.00€. Kjo kompani është në pronësi të Iris Gjinovcit dhe në regjistrin e bizneseve është regjistruar në maj të vitit 2022. Por, kjo kompani del të mos jetë duke performuar mirë. Kjo pasi që te lista e bizneseve që u është anuluar certifikata e TVSh-së figuron edhe “Schoolme Implementation & Consulting ShP.K” dhe ky informacion është publikuar me 27.09.2023” – ka thënë Azemi në konferencë për media më 11.04.2024.

KALLXO.com ka kontaktuar me Iris Gjinovcin, e cila mohoi se ka miqësi personale me kryetarin Rama duke thënë se ka vetëm “një njohje të thjeshtë”.

“Si fillim, mund t’ju them se nuk kam asnjë miqësi personale me kryetarin Rama, përveç një njohje të thjeshtë. E natyrisht që çështja e digjitalizimit të arsimit, ku biblioteka kurrikulare audiovizuale Schoolme për klasat 1-9 është prekursore, e pilotuar dhe e implementuar në Kosovë nga Masht dhe komuna e organizata të tjera që në 2016 ( me vlerësime maksimale nga shkollat përdoruese dhe Instituti pedagogjik i Kosoves) nuk ka filluar e nuk mbaron me kryetarin Rama.” – ka deklaruar ajo.

Sa i përket çmimit më të lartë që ka fituar, Gjinovci ka dhënë versionin e saj se përse oferta e saj u zgjodh e përgjegjshme karshi ofertave të tjera që kishin ofertuar më lirë.

“Sa për kompanitë e tjera qe kane aplikuar me tender besoj ta keni vënë re se vendimi i përcakton si me ofertë të papërgjegjshme si per lotin 1 ku ne kemi aplikuar, ashtu dhe ne lotin 2 ku nuk kemi aplikuar. Arsyeja, siç është thënë dhe në vendim, është jo që nuk kanë disa specifika të produktit, por se thjesht nuk kanë fare produkt” – ka thënë Gjinovci.

Ndërkaq, Triera Kasumi- Berisha nga subjekti “Guxo” në konferencën e përbashkët me Egzon Azemin mes tjerash tha se bartës i procesit të digjitalizimit është vetëm niveli qendror, MASHT-i, dhe jo komunat.

“Komunat nuk mund të kenë sisteme të veçanta të menaxhimit të sistemeve dhe përmbajtjeve digjitale sepse duhet të jetë një ekosistem i centralizuar dhe i menaxhuar nga Ministria e Arsimit. Lidhur me iniciativën e Komunës së Prishtinës, Ministria e Arsimit ka pasur takime me Komunën e Prishtinës ku ka kërkuar dhe ka rekomanduar që të mos vazhdohet me këtë iniciativë dhe me tutje prokurim të sistemit të fragmentuar të digjitalizimit sepse është jashtë projeksioneve për digjitalizimin në arsim” – është shprehur Kosumi-Berisha.

Për të gjitha këto pretendime, KALLXO.com i ka dërguar pyetje edhe Komunës së Prishtinës dhe është duke pritur përgjigje.

Kryetari Përparim Rama më 05.02.2024 kishte shkarkuar nënkryetaren e Komunës dhe u.d. drejtoreshën e Arsimit, Donjetë Sahatçiu, me arsyetimin se ka pasur “vonesa dhe ngecje në procesin e digjitalizimit”.

Artikulli është përditësuar më 11.04.2024 në orën 21:30 duke ia bashkangjitur edhe përgjigjjen e Iris Gjinovcit nga “Schoolme Implementation & Consulting ShP.K”