AGK do të mbajë protestë pas vendimit të MINT për Klan Kosovën. FOTO: AGK, Facebook.

AGK-ja thërret protestë pas vendimit të MINT-it për Klan Kosovën

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) me mbështetjen e medieve dhe organizatave të shoqërisë civile, të hënën e 31 korrikut do të mbajë protestë në Prishtinë.

AGK ka njoftuar se kjo protesta do të mbahet në shenjë revolte për pezullimin e certifikatës së biznesit të Klan Kosova nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT).

“Protesta me moton ‘Demokracia vdes në errësirë’, do të fillojë në ora 12:00, në Sheshin Zahir Pajaziti. Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës i fton kolegët gazetarë, kameramanë e fotoreporterë, t’i bashkohen protestës paqësore të hënën”-ka shkruar AGK.

MINT ka dorëzuar kallëzim penal kundër “Klan Kosova” Sh.P.K. dhe pronarëve të saj.

Më 14 qershor MINT kishte marrë vendim që të pezullojë certifikatën e biznesit të shoqërisë tregtare “Klan Kosova” Sh.P.K.

Pas këtij vendimi ka pasur reagime të shumta nga akterë të shumtë në Kosovë, duke e cilësuar këtë si censurim të fjalës së lirë.

Ambasadat e vendeve të QUINT-it si dhe Zyra e BE-së në Kosovë kanë reaguar lidhur me vendimin e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) që konfirmon pezullimin e licencës së biznesit të televizionit “Klan Kosova”.

Në reagimin e përbashkët, ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara, si dhe Bashkimi Evropian në Kosovë shprehin shqetësimin e tyre të thellë për këtë vendim të MINT.

“Jemi veçanërisht të shqetësuar se heqja e licencës së biznesit të Klan Kosovës është një vendim joproporcional që do të ketë pasoja në pluralizmin mediatik në Kosovë” -thuhet në reagim.