Abdixhiku: Koha kur Kosova jep miliona pa bazë është e shkuar

Ministri i Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku, përmes një publikimi në Facebook ka quajtur vendimin e ish-kryeministrit Ramush Haradinajt, për ndarjen e mjeteve shtesë për konsorciumin Bechtel Enka, të paprecedentë.

Sipas Abdixhikut, mjetet, të cilat i kishte kërkuar Bechtel Enka janë ndarë pa tender, pa konkurrencë, pa ofertë dhe thjeshtë me një vendim.

Po ashtu Abdixhiku ka thënë se “Koha kur Kosova jep miliona pa bazë – 49.6 milionë euro më saktësisht – është e shkuar”.

Publikimi i plotë i Lumir Abdixhikut:

50 milionë. Në maj të vitit të shkuar, Qeveria e kaluar, kishte marrë vendim – të paprecedentë – t’i zgjasë afat dhe t’i shtojë punë në mënyrë arbitrare konsorciumit Bechtel Enka. Pa tender, pa konkurrencë, pa ofertë – thjeshtë me një vendim. Konsorciumi ndërsa, i kishte kërkuar  Kosovës plot 49.6 milionë euro shtesë për tri punë shtesë.

Koha kur Kosova jep miliona pa bazë – 49.6 milionë euro më saktësisht – është e shkuar. Ministria e Infrastrukturës dhe Ambientit ka ngritur këtë çështje urgjente në Qeveri. Qeveria ndërsa, sot, me të gjitha votat për e asnjë kundër, anuloj vendimin për këtë angazhim. Nga koha e vendimit të shkuar e deri më sot mund të jenë shkaktuar dëme financiare të cilat do t’i trajtojmë si shtet me ligj e dinjitet.

Bechtel-Enken, ndërsa, e falënderojmë për punët e bëra deri më tani. Rrugëtimi ynë me dy autostradat e deritanishme përfundon sot. Për çdo angazhim tjetër në të ardhmen janë të mirëseardhur të konkurrojnë – barabartë me secilën palë tjetër”, ka shkruar ai.

Me propozim të ministrit të Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku, Qeveria e Kosovës ka shfuqizuar një vendim të Qeverisë së kaluar për vazhdimin e afatit ndaj kompanisë Bechtel&Enka për punimet në autostradën “Arbën Xhaferri dhe për kyçje të reja në këtë autostradë.

Hulumtimi i KALLXO.com, Qeveria pritet ta anulojë vendimin e Haradinajt që i siguronte 32 milionë euro për Bechtel&Enka