Ilustrim - Autostrada Prishtinë - Shkup

Hulumtimi i KALLXO.com, Qeveria pritet ta anulojë vendimin e Haradinajt që i siguronte 32 milionë euro për Bechtel&Enka

Qeveria e Republikës së Kosovës, e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, sot do të shfuqizojë vendimin e Qeverisë Haradinaj për zgjatjen e afatit të përfundimit të Kontratës për ndërtimin e Autostradës “Arbën Xhaferi”

Ky vendim pritet të merret në mbledhjen e sotme të Qeverisë.

Sipas vendimit të qeverisë Haradinaj, konsorciumi “Bechtel&Enka” pritej të marrë edhe 32 milionë euro tjera nga buxheti i shtetit të Kosovës.

KALLXO.com pati raportuar ekskluzivisht për vendimin e Qeverisë Haradinaj, për dhënien e 32 milionë eurove shtesë.

32 milionë e 200 mijë euro pritej t’i kushtonte Kosovës dy kyçje për në autostradën Arbën Xhaferi dhe një mbikalim.

Kyçjet ishin paraparë të ndërtoheshin në fshatin Gërlicë të Vitisë dhe një në Ferizaj si dhe mbikalimi në fshatin Paldenicë të Hanit të Elezit.

Vendimi për t’ia dhënë të drejtën e ndërtimit të këtyre dy kyçjeve vetëm konsorciumit “Bechtel&Enka”, duke përjashtuar kështu mundësinë e një gare tenderimi, ishte marrë fillimisht në maj të këtij viti nga Qeveria e Kosovës.

Më 28 maj të vitit 2019, në mbledhjen e Qeverisë me propozim të Ministrit të Infrastrukturës Pal Lekaj, kabineti qeveritar kishte miratuar vendimin për të zgjatur kontratën për ndërtimin e autostradës “Arbën Xhaferi deri më 1 dhjetor 2020.

Vendimi për të ia dhënë edhe disa miliona euro “Bechtel&Enka” ishte marrë në Qeveri vetëm një ditë para se të hapej zyrtarisht autostrada “Arbën Xhaferi”.

Në po këtë mbledhje ishte marrë vendimi edhe për ndërtimin e kyçjeve dhe mbiklaimit si dhe ishte obliguar Ministria e Infrastrukturës që t’i nis negociatat me “Bechtel&Enkan”.