Vjosa Osmani, Glauk Konjufca dhe Albin Kurti

Osmani e Kurti shprehin ngushëllime për vdekjen e vëllait të kryetarit të Istogut

Udhëheqës politikë në Kosovë, kanë shprehur ngushëllime për vdekjen e Triumf Feratit, vëllai i kryetarit të Istogut Ilir Ferati, njëkohësish i biri i të ndjerit Fadil Ferati, ish-kryetar i Istogut.

Triumf Ferati, aktivist i LDK-së, ka vdekur më 24.03.2024.

Për vdekjen e Triumf Feratit, presidentja Vjosa Osmani u ka shprehur ngushëllime familjes dhe u shpreh e tronditur nga humbja e tij.

“Në këto çaste tmerrësisht të rënda për familjen, bashkëndjej me ju dhe shpresoj të gjeni forcë në përballimin e dhimbjes duke  kujtuar momentet e paharrueshme që krijuat bashkë me Triumfin”- thuhet mes tjerash në komunikatën e Presidencës.

Edhe kryeministri Albin Kurti i ka shpreh ngushëllime familjes për vdekjen e Triumf Feratit.

“Shpresoj të mund të gjeni forcën në kujtimet e bukura me të. Jemi bashkë në këto çaste të rënda, në këtë dhembje që është e përbashkët”- shkruan Kurti.

Kurse, Lumir Abdixhiku, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, parti nga e cila edhe Ilir Ferati u zgjodh kryetar i Istogut, thotë se nuk ka fjalë për të shprehur dhimbjen për vdekjen e Triumfit.

“Me të na iku dhe një mik, një aktivist e një njeri i jashtëzakonshëm. Pas vete na la veçse kujtimet, ato që të përmallojnë në plotni”- shkruan Abdixhiku.

Si djalë të urtë e të dashur e ka përshkruar ai Triumf Feratin.