Abdixhiku: 781 tenderë u dhanë me muhabet, pa procedura

Një ditë pas seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës për kontratat njëburimore në institucionet publike, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka vazhduar të merret me po të njëjtën temë.

Nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook, ai ka kritikuar qeverinë për dhënie tenderësh pa procedura.

“Plot 781 tenderë, në vlerë prej 209 milion eurove, janë dhënë nga “Pushteti i Shpresës” me negocim të drejtpërdrejtë! Pa procedura, pa konkurrencë, me muhabet të drejtpërdrejtë! Pra, e thërrasin një biznes që e zgjedhin vet, dhe i japin tender! Kaq thjeshtë! Nuk ka garë, nuk ka çmim të lirë, ka marrëveshje një me një!”, ka shkruar Abdixhiku.

Sipas tij, sa më gjatë në pushtet, aq më i mësuar zanati!

“30 milionë janë dhënë vitin e parë; 70 milionë në të dytin dhe 109 në të tretin”, ka shkruar kreu i LDK-së.

Në KEK, sipas tij, 13 tenderë me negocim të drejtpërdrejtë i janë dhënë një biznesi të njëjtë. “13 herë, pa procedurë, pa konkurrencë, me zgjedhje të drejtpërdrejtë 6 milion euro biznesit të njëjtë. Jo një herë, jo dy herë, jo tre herë por plot 13 herë!”, ka shtuar ai.

Në Ministrinë e Punëve të Brendshme, për shërbime të IT-së, sipas tij , i janë dhënë një biznesi në një tender 15 milionë euro me negocim, pa procedurë e pa konkurrencë me një tender.

Ai ka paralajmëruar se kontratat e tilla do të vazhdojnë t’i trajtojnë edhe gjatë ditëve në vijim.

“Debatit në Kuvend i ikën; lëshuan sallë, por të vërtesës nuk kanë nga t’i ikin! Këto, dhe kontratat tjera njëburimore, do t’i trajtojmë ditët në vijim. Në Kuvend dhe jashtë tij; le të kuptojmë se si prapa perdes së popullizmit dhe arrogancës së të paprekurit fshihet një tenderomani selektive dhe sistematike si asnjëherë më parë!”, ka përfunduar Abdixhiku.

Në mungesë të kuorumit nuk është hedhur në votim në Kuvendin e Kosovës rezoluta për kontratat njëburimore të nënshkruara gjatë mandatit të Qeverisë Kurti 2.

Shefja e Grupit parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila tha se deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami i ka fyer duke i quajtur “hajna dhe shpifësa”.

“Edhe sikur kjo seancë të kishte kuptim tashmë e humbi krejt … Deputetja që e ka nënshkruar ftesën për këtë seancë na quajti hajna, shpifësa, të korruptuar e çdo gjë”- tha Kusari Lila.

Pas kësaj, në emër të Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes ajo tha se e lëshojnë këtë seancë.

Por në sallë qëndruan dy deputetë të kësaj partie, Visar Korenica dhe Eman Rrahmani.

Nënkryetari i Kuvendit, Kujtim Shala konstatoi që kjo pikë do të shqyrtohet në një seancë tjetër të Kuvendit kurdo që vendos Kryesia.

Kjo rezolutë është propozuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ndërsa është mbështetur edhe nga dy partitë opozitare PDK dhe AAK, në seancën e mbajtur më 15.03.2024.

Me njërën nga pikat e rezolutës parashihet edhe themelimi i një komisioni hetimor parlamentar për hetimin e të gjitha kontratave njëburimore në nivel qendror.