Lumir Abdixhiku - Foto: Lumir Abdixhiku/facebook

Abdixhiku kritikon Qeverinë: Kjo paaftësi ka zbrazur Kosovën

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, gjatë takimit që ka zhvilluar më 20.03.2024 me kryetarët e degëve të kësaj partie, e ka akuzuar pushtetin për arrogancë, popullizëm dhe propagandë.

Sipas tij, Kosova dhe populli i saj po shndërrohen në pengje të paaftësisë së pushtetit.

“Të gjendur përballë perdes së popullizmit e propagandës; të ballafaquar me arrogancën e pushtetit; të përballur me sulmet përditshme ndaj themeleve tona të shtetësisë, Republika e Kosovës dhe populli ynë, po shndërrohen në pengje kolektive të zymtësisë e paaftësisë. Kjo zymtësi ka mbyllur Kosovën. Kjo paaftësi ka zbrazur Kosovën”- ka thënë ai.

Ndërsa ka shtuar se mobilizimi i LDK-së po merr formë.

“Këmbanat tona po bien! Veprimi ynë duhet të pasojë tani. Në një fat të tillë politik, aktivizimi ynë individual e i përbashkët është domosdoshmëri. Lidhja është gati. Me program, me ide, me njerëz profesionist – tani dhe me organizim”- ka shkruar ai në Facebook.

Sipas tij, në këtë takim ata kanë folur për përgatitjet organizative për zgjedhjet nacionale, diskutimet finale për listen e deputetëve dhe hapjen e mëtutjeshme të LDK-së ndaj secilit të djathtë që ndan vizion të njëjtë.