Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Opozita nuk i përgjigjet me një zë ofertës së Kurtit për zgjedhje të parakohshme

Oferta e kryeministrit Albin Kurti për partitë opozitare se “bashkë mund t’i bëjnë numrat për ta shpërndarë Kuvendin”, ka rikthyer debatin për zgjedhje të parakohshme në vend.

Ofertës së kryeministrit Albin Kurti për zgjedhje të parakohshme nuk i janë përgjigjur njësoj partitë opozitare që janë pjesë e Kuvendit të Kosovës.

Derisa PDK-ja ka shprehur gatishmëri për ta nënshkruar mocionin për rrëzimin e Qeverisë, LDK-ja ka konsideruar se Kurti është dorëzuar dhe si i tillë duhet të jap dorëheqje pa mocion. E AAK-ja, ka përkujtuar se ka qenë e para që ka iniciuar Mocionin e votëbesimit ndaj pushtetit aktual.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka ftuar Kurtin të shkojnë në zgjedhje menjëherë.

“Kryeministër, prej korrikut të vitit të kaluar të kam ba thirrje e të kam pritë që me shpërnda Kuvendin. Prej nesër nënshkrimet e PDK-së janë gati. Çohu shkojmë në zgjedhje menjëherë – nëse ke guxim e të ka mbet pak ndërgjegje për situatën e vështirë që e ke sjellë vendin” – u shpreh Krasniqi.

Ndryshe prej tij, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka përjashtuar mundësinë që kjo parti të mbështes ndonjë mocion për shpërndarje të Kuvendit.

“[Kurti] Po kërkon zgjedhje të bëhet viktimë e të thotë se më rrëzuan”- ka thënë ai.

Sipas tij, Kurti është dorëzuar, andaj duhet që të jap dorëheqje.

“Le ta jap qartë, zëshëm, nëse është dorëzu- e duket se është dorëzu, le të jap dorëheqje. Pra nëse është dorëzu le të jap dorëheqje. Por le të ja shpjegon popullit pse po i lë. LDK nuk bën mocion të shpërbërjes së Kuvendit, por është e gatshme për zgjedhje prej sot. Është e gatshme edhe për qeverisje pas zgjedhjeve. Nëse është dorëzu, le të jep dorëheqje. Po kërkon zgjedhje, të bëhet viktimë të thotë më rrëzuan”- u shpreh Abdixhiku në T7.

Ndërsa, shefi i Grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri i ka ftuar deputetët e LVV-së ta votojnë mocionin e propozuar nga kjo parti në maj të vitit 2023.

Tahiri ka thënë se Kurti u dorëzua pikërisht në trevjetorin e qeverisjes së tij.

“Jam i kënaqur që kryeministri Kosovës e ka kuptuar që duhet të dorëhiqet dhe më në fund e tha edhe vet. U dorëzua prandaj vendi duhet të shkoj në zgjedhje. Në fillim të këtij mandati Haradinaj thoshte keni kujdes se ky është mashtrues e njerëzit shikonin me huti të madhe. Kjo qeveri nuk i ndejti prapa asnjë vendimi të vet. Kurti u dorëzua në 3 vjetorin e tij e mandatit të tij duke kërkuar që vendi të shkoj në zgjedhje”- ka thënë Tahiri.

Ai ka njoftuar se kanë dorëzuar një kërkesë në Kuvendin e Kosovës për debat në trevjetorin e Qeverisë Kurti ku edhe do të prezantojë një rezolutë në të cilën thuhet se janë plotësuar të gjitha kushtet që Qeveria të përmbyllë mandatin e saj me dorëheqje, duke e votuar Kuvendi i Kosovës mocionin për shkarkimin e qeverisë dhe vendi të shkojë në zgjedhje.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për RTK tha se nëse opozita do që të shkojë në zgjedhje, do e ndihmojë atë në këtë drejtim.

“Opozita duhet ta thotë fjalën e tyre, unë nuk mund të shkoj në zgjedhje pa opozitën. Për shpërndarje të Kuvendit duhen dy të tretat siç dihet dhe nuk ka mundësi tjetër që automatikisht të shkohet në zgjedhje. Numrat mund t’i bëjnë bashkë me neve, kjo është ofertë e imja” – tha Kurti.

“Unë po them që po shkojmë në zgjedhje kur të dojë opozita. Në e ndihmojmë opozitën nëse dëshiron që të shkojë në zgjedhje, pa problem” -shtoi tutje ai.

Lidhur me ketë çështje, KALLXO.com ka kërkuar koment nga shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së Mimoza Kusari – Lila. Por, e njëjta deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka kthyer përgjigje.

Sipas Kushtetutës së Kosovës, ka disa raste kur Kuvendi shpërndahet.

Neni 82 i saj, specifikon se nëse për shpërndarjen e Kuvendit votojnë dy të tretat (2/3) e të gjithë deputetëve, shpërndarja bëhet me dekret të Presidentit të Republikës së Kosovës.

Po ashtu, Kuvendi mund të shpërndahet nga Presidenti i Republikës së Kosovës, pas votimit të suksesshëm të mosbesimit të Qeverisë.

Mocioni i mosbesimit nuk është i panjohur për Qeverinë Kurti.

Më 25 mars 2020, me 82 vota për, 32 kundër dhe 1 abstenim, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti I.

Atë kohë, mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti u iniciua nga partnerja e koalicionit qeverisës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe u mbështet edhe nga partitë opozitare.

Po ashtu sipas Kushtetutës së Kosovës, Mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë, mund të ngrihet me propozimin e një të tretës (1/3) të të gjithë deputetëve të Kuvendit.

Mocioni i mosbesimit vihet në rendin e ditë të kuvendit, jo më vonë se pesë (5) ditë e as më herët se dy (2) ditë nga data e parashtrimit të tij.

Konsiderohet se mocioni i mosbesimit është pranuar, nëse për të kanë votuar shumica e të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Nëse mocioni i mosbesimit dështon, mocioni tjetër i mosbesimit nuk mund të ringrihet gjatë nëntëdhjetë (90) ditëve të ardhshme.

Nëse mocioni i mosbesimit votohet për Qeverinë në tërësi, Qeveria konsiderohet në dorëheqje.