Shfuqizohet vendimi i Haradinajt që siguronte miliona të tjerë për Bechtel&Enka

Me propozim të ministrit të Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku, Qeveria e Kosovës ka shfuqizuar një vendim të Qeverisë së kaluar për vazhdimin e afatit ndaj kompanisë Bechtel&Enka për punimet në autostradën “Arbën Xhaferri dhe për kyçje të reja në këtë autostradë.

Vendimin e arsyetoi Ministri i Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku.

“Bëhet fjalë për punë të reja dhe jashtë kontratës së paraparë. Bëhet fjalë për kontratë të re. 49,6 milionë euro kap vlerën kjo. Nuk ka marrëveshje mes ministrisë me Bechtel&Enka por ka një vendim valid të qeverisë. Bazuar në zhvillimit e deritanishme, të nënshkruaj kontratën që kap vlerën 49,6 milionë eurove dhe alternativa e dytë, vendimi të shfuqizohet. Mendimi im personal, është që Qeveria duhet të shfuqizoj vendimin”, ka thënë Abdixhiku në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës.

Ndërsa, kryeministri i Kosovës, ka propozuar votimin për shfuqizimit të vendimit.

“Ne duhet ta ndalim këtë gjakderdhje financiare”, tha ai.

Sipas vendimit të qeverisë Haradinaj, konsorciumi “Bechtel&Enka” pritej të marrë edhe 32 milionë euro tjera nga buxheti i shtetit të Kosovës.

KALLXO.com pati raportuar ekskluzivisht për vendimin e Qeverisë Haradinaj, për dhënien e 32 milionë eurove shtesë.

32 milionë e 200 mijë euro pritej t’i kushtonte Kosovës dy kyçje për në autostradën Arbën Xhaferi dhe një mbikalim.

Kyçjet ishin paraparë të ndërtoheshin në fshatin Gërlicë të Vitisë dhe një në Ferizaj si dhe mbikalimi në fshatin Paldenicë të Hanit të Elezit.

Vendimi për t’ia dhënë të drejtën e ndërtimit të këtyre dy kyçjeve vetëm konsorciumit “Bechtel&Enka”, duke përjashtuar kështu mundësinë e një gare tenderimi, ishte marrë fillimisht në maj të këtij viti nga Qeveria e Kosovës.

Më 28 maj të vitit 2019, në mbledhjen e Qeverisë me propozim të Ministrit të Infrastrukturës Pal Lekaj, kabineti qeveritar kishte miratuar vendimin për të zgjatur kontratën për ndërtimin e autostradës “Arbën Xhaferi deri më 1 dhjetor 2020.

Vendimi për të ia dhënë edhe disa miliona euro “Bechtel&Enka” ishte marrë në Qeveri vetëm një ditë para se të hapej zyrtarisht autostrada “Arbën Xhaferi”.

Në po këtë mbledhje ishte marrë vendimi edhe për ndërtimin e kyçjeve dhe mbiklaimit si dhe ishte obliguar Ministria e Infrastrukturës që t’i nis negociatat me “Bechtel&Enkan”.