Foto: ZKM

773,600 euro i ka ndarë Qeveria e Kosovës për Kuzhinën Popullore dhe për Skemën e Granteve për Zanate

Qeveria e Republikës së Kosovës në mbledhjen e saj të 197-të, të cilën e ka mbajtur në formë elektronike më 29.03.2024, mori dy vendime për ndarjen e gjithsej 773,600 euro për zbatimin e masave 3.4 dhe 1.7 të Pakos së ringjalljes ekonomike.

Masa 3.4 ka të bëjë me kuponë ushqimi për familjet në nevojë për të cilën janë ndarë 273,600 euro, ndërsa 500,000 euro janë ndarë për masën 1.7, e cila ka të bëj me Skemën e Granteve për Zanate.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu në një përgjigje për KALLXO.com, më 30.03.2024, ka shpjeguar se çka përfshijnë këto masa dhe cili është qëllimi i ndarjes së mjeteve për to.

Ndarja për masën 3.4 është pagesa e radhës për Kuzhinat Popullore, të cilat kanë përfituar nga kjo masë vitin e kaluar. Për shkak se jemi në vit të ri fiskal, ka qenë e nevojshme që të ndahen prapë mjete” – ka thënë Kryeziu.

Më 13.02.2023, KALLXO.com ka raportuar se 19 kuzhina popullore në gjithë Kosovën do të jenë përfituese të 1.2 milionë eurove, për të ofruar shujta falas për familjet në nevojë.

Në po të njëjtën datë, Ministria e Financave kishte njoftuar se janë nënshkruar marrëveshjet me 19 organizata humanitare në Kosovë, për ofrimin e këtyre shujtave.

“Kuzhinat popullore, përveç se ofrojnë shujta për ata më në nevojë, janë gjithashtu simbol i humanizmit tonë të përbashkët dhe dëshmi e fuqisë së komunitetit për të ndikuar pozitivisht në jetën e atyre, të cilët kanë më së shumti nevojë” – citohet të ketë thënë kryeministri Albin Kurti gjatë ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjeve, më 13.02.2023.

“Masa 3.4 fillimisht është pilotuar për të parë nëse organizatat humanitare kanë nevojë për mbështetje nga shteti, dhe si rezultat i bashkëpunimit të suksesshëm që kemi pasur deri më tani, jemi të lumtur që edhe këtë vit po vazhdojmë që përmes jush të zgjasim dorën e shtetit te familjet që kanë më shumë nevojë” – kishte deklaruar ministri i Financave, Hekuran Murati, më 13.02.2023.

Në pranverën e vitit 2022, në kuadër të po të njëjtës masë, Ministria e Financave, përmes 39 organizatave joqeveritare partnere, financoi blerjen e afro 35 mijë pakove ushqimore, të cilat, organizatat i shpërndanë te familjet më në nevojë në të gjitha komunat e vendit tonë.

Ndërsa, për masën 1.7, Kryeziu ka njoftuar se ndarja buxhetore për këtë masë është për mbështetje shtesë për familjarët e personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës. 

“Nëpërmjet Agjencisë për Barazi Gjinore, kemi hapur thirrjen për subvencione për gra dhe vajza që përbëjnë familje të ngushtë të personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë, të evidentuar në listën e pensioneve për persona të zhdukur, që përmes vetëpunësimit të arrijnë pavarësinë ekonomike e të rrisin mirëqenien e familjes” – ka shtuar Kryeziu.

Vendimi nr.04/197 i mbledhjes së mbajtur të Qeverisë flet për ndarjen e mjeteve për masën 1.7, kurse vendimi nr.03/197 për mjetet e ndara për masën 3.4 të Pakos së ringjalljes ekonomike.

Në këtë mbledhje, Qeveria po ashtu mori dy vendime tjera, me të cilat ndryshoi përbërjen e Komisionit për kontrollin e Tregtisë dhe atij për kompensimin e viktimave të krimit.

Kurse, dy vendime tjera i mori për nënshkrimin e marrëveshjes së financimit mes Kosovës e Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim dhe nismën për lidhjen e një marrëveshje tjetër me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).

Më tej, në vendimin nr. 07/197 është aprovuar raporti i Vlerësimit të Përshtatshmërisë së Sistemit të Financimit të Komunave për vitin 2023.

“Obligohet Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe ministritë e linjës për zbatimin e rekomandimeve nga ky raport” – thuhet në vendimin nr. 07/197.

Dhe raportin vjetor Financiar i Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2023 e ka miratuar përmes vendimit nr. 08/197.