Komisioni Europian - Bruksel

Foto: Denis Sllovinja

Kosova kërkon heqjen e masave ndëshkuese, BE thotë se çështja do të diskutohet

Pas procesit të votimit në katër komunat në veri të vendit, krerët shtetërorë të Kosovës njëzëri i kanë kërkuar BE-së heqjen e masave ndëshkuese, duke thënë se është përmbushur tashmë detyrimi i kërkuar nga blloku për shtensionimin e situatës në veri.

Një ditë pas votimit në 4 komunat në veri, pa dhënë detaje të tjera, Bashkimi Europian deklaroi më 22.04.2024 se Këshilli do të diskutojë për masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës.

“Sa u përket masave, në linjë me konkluzat e 12 dhjetorit 2023, Këshilli do të diskutojë për masat e BE-s, në bazë të një raporti të Përfaqësuesit të Lartë mbi përmbushjen e kërkesave të BE-së”- thuhet në përgjigjen e zëdhënësit të BE-së, Peter Stano, për KALLXO.com.

Por, ndonëse Kosova e ka organizuar procesin e votimit për largimin ose jo të kryetarëve të katër komunave në veri, sipas BE-së rezultati i procesit të 21.04.2024 nuk kontribuon në uljen e tensioneve dhe në hapjen e rrugës për kthim të serbëve në institucionet e Kosovës, çka është thelbësore për normalizim të marrëdhënieve.

Prej kur janë mbyllur kutitë e votimit më 21.04.2024 në katër komunat në veri, në Kosovë nisën thirrjet për heqje të menjëhershme të masave të BE-së të vendosura ndaj Kosovës.

Presidentja Vjosa Osmani tha se me organizimin e këtij procesi, Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet e kërkuara nga BE-ja.

Ndërsa, kryeministri Albin Kurti përmes një postimi në Facebook ka thënë se mundësimi i shkarkimit të kryetarëve aktualë dhe mbajtja e zgjedhjeve ishin kriter kyç për largimin e masave ndaj Kosovës nga ana e Bashkimit Europian.

“Ata që nuk i kanë dashur këta katër kryetarë komunash në veri, sonte, me keqardhje duhet t’ua urojnë atyre pozitat. E kryetarët e Zveçanit dhe Zubin Potokut, Ilir Peci dhe Izmir Zeqiri, bëjnë mirë që më në fund të shkojnë në zyrat e tyre dhe ta ushtrojnë në mënyrë të papenguar detyrën në objektet zyrtare të komunave të Republikës së Kosovës” – ka thënë Kurti në reagim.

Edhe shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, tha se vendet anëtare të BE-së nuk kanë më argumente pse duhet të mbahen masat ndëshkuese ndaj Kosovës.

Përkundër kritikave lidhur me veprimet e Qeverisë Kurti për këtë çështje, edhe deputetët e PDK-së e AAK-së kërkuan heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës.

Kryetari i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, tha se kërkojnë heqjen e masave të vendosura ndaj Kosovës nga BE, meqë ato po i dëmtojnë qytetarët e vendit.

“Se si do të ecë procesi më tutje unë nuk mund të paragjykoj, por ajo që ne kemi kërkuar është që sa më parë masat të hiqen sepse ato po i penalizojnë qytetarët e Kosovës e jo Qeverinë”- ka thënë ai pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, të mbajtur më 22.04.2024.

Ndërsa, shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri, tha se “Kosovës do të duhej t’i hiqeshin sanksionet menjëherë pas sulmit të Banjskës”.

BE-ja pati vënë masa ndëshkuese ndaj Kosovës verën e kaluar, me arsyetimin se ajo nuk kishte bërë mjaftueshëm për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës në maj të vitit 2023. Asokohe, serbët lokalë protestuan para ndërtesave komunale në Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok kundër kryetarëve të rinj, dhe për pasojë situata u përshkallëzua në dhunë.

Më 21.04.2024 në katër komunat në veri, Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq e Zubin-Potok është organizuar votimi për shkarkimin e kryetarëve.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar që gjatë votimeve për ose kundër largimit të kryetarëve të Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Mitrovicës së Veriut kanë votuar vetëm 253 qytetarë, derisa në Zveçan asnjë, duke e cilësuar të dështuar këtë proces.