Shujta falas për familjet në nevojë, 1.2 milion euro për mbështetjen e 19 kuzhinave popullore

19 kuzhina popullore në gjithë Kosovën do të jenë përfituese të 1.2 milion eurove, për të ofruar shujta falas për familjet në nevojë.

Ministria e Financave ka njoftuar se sot janë nënshkruar marrëveshjet me 19 organizata humanitare në Kosovë, për ofrimin e këtyre shujtave.

“Kuzhinat popullore, përveç se ofrojnë shujta për ata më në nevojë, janë gjithashtu simbol i humanizmit tonë të përbashkët dhe dëshmi e fuqisë së komunitetit për të ndikuar pozitivisht në jetën e atyre, të cilët kanë më së shumti nevojë” – citohet të ketë thënë kryeministri Albin Kurti gjatë ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjeve.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Financave, deri më tani, organizatat përfituese nga ky lloj i mbështetjes kanë ofruar mbi 300 mijë shujta ushqimore.

“Masa 3.4 fillimisht është pilotuar për të parë nëse organizatat humanitare kanë nevojë për mbështetje nga shteti, dhe si rezultat i bashkëpunimit të suksesshëm që kemi pasur deri më tani, jemi të lumtur që edhe këtë vit po vazhdojmë që përmes jush të zgjasim dorën e shtetit te familjet që kanë më shumë nevojë” – ka deklaruar ministri i Financave, Hekuran Murati.

Në pranverën e vitit 2022, në kuadër të po të njëjtës masë, Ministria e Financave, përmes 39 organizatave joqeveritare partnere, financoi blerjen e afro 35 mijë pakove ushqimore, të cilat, organizatat i shpërndanë te familjet më në nevojë në të gjitha komunat e vendit tonë.

Organizatat përfituese për secilën komunë mund t’i gjeni KËTU