Foto: ZKM

Aprovim marrëveshjesh ndërkombëtare e miratim raportesh të vitit 2023, në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës

Qeveria e Kosovës ka marrë dy vendime në një mbledhje elektronike më 29.03.2024, të cilat kanë të bëjnë me me nënshkrimin e marrëveshjes së financimit mes Kosovës e Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim dhe nismën për lidhjen e një marrëveshje tjetër me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).

Kurse, në dy vendime tjera Qeveria ka miratuar dy raporte për vitin 2023.

Kjo mbledhje është mbajtur më 29.03.2024, në formë elektronike.

Në vendimin nr.05/197 thuhet se është aprovuar propozimi për t’i kërkuar presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, dhënien e autorizimit të ministrit të Financave, Hekuran Murati për nënshkrimin e Marrëveshjes së Financimit mes Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për programin e parë për “Financimin e Politikave Zhvillimore për Efektivitetin Fiskal, Konkurrueshmërinë dhe Rritjen e Gjelbër”.

Ndërsa, në vendimin nr.06/197 është aprovuar në parim nisma për lidhjen e Marrëveshjes së Grantit ndërmjet Kosovës,  e përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe BERZH  për projektin “Efiçienca e Energjisë në Ndërtesa Publike në Prizren” .

Më tej, në vendimin nr. 07/197 është aprovuar raporti i Vlerësimit të Përshtatshmërisë së Sistemit të Financimit të Komunave për vitin 2023.

“Obligohet Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe ministritë e linjës për zbatimin e rekomandimeve nga ky raport” – thuhet në vendimin nr. 07/197.

Kurse, raportin vjetor Financiar i Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2023 është miratuar përmes vendimit nr. 08/197.