Qeveria ndryshon përbërjen e Komisionit për kontrollin e Tregtisë dhe atij për kompensimin e viktimave të krimit

Qeveria e Republikës së Kosovës në mbledhjen e saj të 197-të të cilën e ka mbajtur në formë elektronike, më 29.03.2024, ka miratuar dy vendime për ndryshim plotësim të vendimeve paraprake të Qeverisë.

Në vendimin e parë, flitet për ndryshimin dhe plotësimin e vendimeve të Qeverisë për dy anëtarë të Komisionit për Kontrollin e Tregtisë me Mallra Strategjike.

Kurse, në vendimin e dytë është ndryshuar një anëtare e Komisionit për kompensimin e viktimave të krimit.

Komisioni për Kontrollin e Tregtisë me Mallra Strategjike ishte formuar në mbledhjen e mbajtur më 27.01.2021, me vendim nr.07/60, me nga katër anëtarë e zëvendës-anëtarë, dhe një kryesues e zëvendës-kryesues.

Zana Kotorri ishte emëruar me pozitën kryesuese, Behram Mazreku zëvendës-kryesues, anëtari Brahim Kokollari me zëvendës-anëtarin Nazmi Zogaj, anëtari Bujar Haxhidauti me zëvendës-anëtarin Bujar Pefqeli, anëtari Mensur Hoti me zëvendës-anëtarin Driton Ademi dhe anëtari Adnan Dragaj me zëvendës-anëtarin Flurim Gashi.

Në këtë vendim thuhet se, komisioni do të jetë përgjegjës për aprovimin, anulimin, ndryshimin dhe revokimin e licencave për eksport, import, transit trans-ngarkim, ri-eksportim jashtë territorial, ri-transferim dhe për ofrimin e shërbimeve të ndërlidhura.

Ndërsa, në mbledhjen e datës 25.01.2023, në bazë të vendimit nr. 08/121 anëtari Shkelzen Morina ishte zëvendësuar me anëtaren Elmaze Pireva.

Kurse, me vendimin e mbledhjes së sotme, Pireva është zëvendësuar nga anëtari Berat Jashari dhe Driton Ademi është zëvendësuar nga Destan Mustafa.

“Sipas këtij ndryshim-plotësimi, z. Driton Ademi, zëvendës anëtar, zëvendësohet nga z. Destan Mustafa, zëvendës anëtar i këtij komisioni. Gjithashtu znj. Elmaze Pireva, anëtare, zëvendësohet nga z. Berat Jashari, anëtar” – thuhet në vendimin e Qeverisë nr. 01/197.

Sa i përket vendimit për ndryshimin e anëtarit të Komisionit për Kompensimin e Viktimave të Krimit, në vend të Valbona Çitakut si përfaqësuese e shoqërisë civile është emëruar Adelina Berisha.

Çitaku ishte emëruar më 24.05.2023, në bazë të vendimit 04/143.

Komisioni për kompensimin e viktimave të krimit është themeluar nga Ministria e Drejtësisë dhe një nga detyrat e këtij komisioni është që merr vendime për aprovimin e kërkesave për kompensimin e viktimave të krimit të parashtruara nga Zyra për Mbrojtjen dhe Ndihmë të Viktimave e cila funksionon në kuadër të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.