Perparim Kryeziu, Foto:facebook

Kryeziu i reagon Listës Serbe: Ka kamera në vende publike që menaxhohen nga Policia e Kosovës

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu i ka reaguar deklaratës së partisë më të madhe të serbëve të Kosovës, Listës Serbe, në lidhje me votimin për shkarkimin e kryetarëve në katër komunat në veri të Kosovës.

Më 21.04.2024, pasi kishte përfunduar procesi i votimit për shkarkimin e kryetarëve, Lista Serbe kishte deklaruar se kjo ditë ka dëshmuar se Lista Serbe dhe Serbia nuk i frikëson serbët, por, sipas tyre, “Kurti dhe njësitë e tij policore”.

Në këtë deklaratë Lista Serbe ka pretenduar se dita e datës 21.04.2024 ka treguar, sipas tyre, se si duket demokracia nën Albin Kurtin “me forca speciale dhe mjete të blinduara në qendrat e votimit, kamera që regjistrojnë votuesit”.

Sa i përket pretendimit të Listës Serbe se ka pasur kamera që regjistrojnë votuesit, Kryeziu ka reaguar duke thënë se në çdo qytet të Kosovës ka kamera në vende publike, të cilat menaxhohen nga Policia e Kosovës.

“Deklarata e Listës Serbe është në fakt një reagim ndaj humbjes së mjeteve të tyre për t’i bërë presion dhe për t’i frikësuar qytetarët tanë. Para së gjithash, ka kamera vëzhguese në vende publike që menaxhohen nga Policia e Kosovës në çdo qytet. Ato janë të ligjshme dhe në shërbim të sigurisë publike” – ka shkruar Kryeziu, në platformën X.

Më 21.04.2024 në katër komunat në veri, Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq e Zubin-Potok është organizuar votimi për shkarkimin e kryetarëve.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar që gjatë votimeve për ose kundër largimit të kryetarëve të Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Mitrovicës së Veriut kanë votuar vetëm 253 qytetarë, derisa në Zveçan asnjë- duke e cilësuar të dështuar këtë proces.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kanë kërkuar menjëherë heqjen e masave që BE-ja ia ka vënë Kosovës vitin e kaluar me preteksin se nuk ka bërë mjaftueshëm për t’i ulur tensionet në veri.

Ndërsa, sipas Qeverisë, pavarësisht rezultatit, obligimi që ka pasur Kosova është përmbushur.