Komisioni Europian - Bruksel

Foto: Denis Sllovinja

BE për votimin në veri: Rezultati nuk kontribuon në zbutjen e tensioneve

Bashkimi Europian ka thënë se rezultati i votimit për largimin ose jo të kryetarëve shqiptarë në katër komunat në veri të Kosovës, nuk kontribuon në zbutjen e tensioneve dhe hapjen e rrugës për kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës.

BE-ja në një përgjigje për KALLXO.com ka theksuar se shpreh keqardhje që serbët nuk e kanë shfrytëzuar të drejtën e votës për t’i zgjedhur kryetarët.

“BE-ja shpreh keqardhjen që serbët e Kosovës në veri të Kosovës nuk e shfrytëzuan mundësinë për të ushtruar të drejtën e tyre për të votuar dhe për të zgjedhur kryetarë komunash që do të ishin vërtet përfaqësues. Rezultati nuk kontribuon në zbutjen e tensioneve dhe hapjen e rrugës për kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës, gjë që është thelbësore për normalizimin e marrëdhënieve”- ka thënë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

Pa dhënë detaje për kohën, Stano ka thënë se Këshilli do të diskutojë për masat ndeshkuese të vendosura ndaj Kosovës.

“Sa u përket masave, në linjë me konkluzat e 12 dhjetorit 2023, Këshilli do të diskutojë për masat e BE-s, në bazë të një raporti të Përfaqësuesit të Lartë mbi përmbushjen e kërkesave të BE-së”- thuhet në përgjigjen për KALLXO.com.

Më 21.04.2024 në katër komunat në veri, Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq e Zubin-Potok është organizuar votimi për shkarkimin e kryetarëve.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar që gjatë votimeve për ose kundër largimit të kryetarëve të Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Mitrovicës së Veriut kanë votuar vetëm 253 qytetarë, derisa në Zveçan asnjë- duke e cilësuar të dështuar këtë proces.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kanë kërkuar menjëherë heqjen e masave që BE-ja ia ka vënë Kosovës vitin e kaluar me preteksin se nuk ka bërë mjaftueshëm për t’i ulur tensionet në veri.

Ndërsa, sipas Qeverisë, pavarësisht rezultatit, obligimi që ka pasur Kosova është përmbushur.

Qeveria pas votimit në veri: Kosova përmbushi obligimin e saj, BE-ja t’i heqë masat