Foto: ZKM

16 vjet shtet - Krerët e shtetit bëjnë homazhe në kompleksin e Jasharajve, tek varri i Rugovës dhe Demaçit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në ditën e pavarësisë kanë bërë homazhe tek varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova në Velani.

Pastaj, homazhe krerët e shtetit bënë homazhe tek varri i veprimtarit, Adem Demaçi. Osmani, Konjufca e Kurti nuk u prononcuan për media pas homazheve.

Më pastaj, tre krerët e shtetit shkuan në Prekaz për të bërë homazhe tek varrezat e familjes Jashari.

Gjatë ditës, sipas agjendës shtetërore për shënimin e 16-vjetorit të pavarësisë së Kosovës, pirësit e institucioneve qendrore do të bëjnë nderime te memoriali “Heroinat” në Prishtinë, tek monumenti i policëve të vrarë në detyrë e gjithashtu nderime te pllaka e fëmijëve të vrarë gjatë luftës.

Në ora 12:00h do të ketë edhe një seancë solemne të Kuvendit të Kosovës.

Ndërsa, nga ora 17:00h është paraparë edhe pritje shtetërore nga presidentja, kryeparlamentari dhe kryeministri i Kosovës.

Në sheshin e Prishtinës është paraparë edhe një koncert nga ora 18:00h ndërsa në 20:15h Koncert solemn i Filharmonisë së Kosovës do të mbahet në sallën e kuqe të Pallatit të Rinisë.

Shpallja e Pavarësisë së Kosovës është bërë më 17.02.2008 në ora 15:39 në Kuvendin e Republikës së Kosovës në Prishtinë.

Në një mbledhje të jashtëzakonshme ku merrnin pjesë 109 nga gjithsej 120 deputetë, Kuvendi i Kosovës njëzëri shpalli Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik.

Deklarata e Pavarësisë ishte lexuar nga Hashim Thaçi, i cili në atë kohë ishte kryeministër i Kosovës.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, i ka dërguar shefes së shtetit kosovar, Vjosa Osmani, një telegram urimi me rastin e 16-vjetorit të pavarësisë.

Në këtë letër, Biden ka shkruar se SHBA vazhdon ta përkrahë dialogun e ndërmjetësuar nga BE për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Serbinë – të cilën e quan, “një hap të rëndësishëm drejt njohjes së ndërsjellë”.

Presidenti i Shteteve e Bashkuara ka inkurajuar lidershipin e Kosovës që të përmbushë të gjitha obligimet e saj, përfshirë të gjitha marrëveshjet e kaluara të arritura përmes këtij procesi.

“Në vitin e ardhshëm, mezi pres të vazhdojmë të punojmë së bashku për ndërtimin e rritjes ekonomike gjithëpërfshirëse, forcimin e institucioneve demokratike dhe avancimin e shtetit të së drejtës. Unë gjithashtu pres me padurim bashkëpunimin tonë të vazhdueshëm për sigurinë dhe përpjekjet e përbashkëta për të avancuar reformat e nevojshme për të arritur përfundimisht objektivin e Kosovës, integrimin në BE. Dhe së bashku, ne do të vazhdojmë të ngrihemi për lirinë – duke përfshirë qëndrimin së bashku me Ukrainën përballë agresionit brutal të Rusisë”- thuhet në letrën e plotë të Joe Biden të cilën Presidenca kosovare e ka ndarë me mediat më 16.02.2024.