Strategjia që i mundëson njeriut të LVV-së 14 mijë euro rrogë më shumë se Albin Kurti

Zyrtari i Lëvizjes Vetëvendosje, i cili në fund të vitit të kaluar u zgjodh kryeshef i Ndërmarrjes Publike “Ibër Lepenc”, Faruk Mujka, po i merr dy rroga të plota, atë të kryeshefit ekzekutiv dhe të asamblistit në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Jugut.

Me dy rrogat, Mujka i bie se paguhet rreth 14 mijë euro më shumë se kryeministri i vendit, dhe shefi i tij në parti, Albin Kurti.

Rroga vjetore për Faruk Mujkën, duke përfshirë edhe shtesat, për një vit arrinë shumën e 31 mijë e 348 eurove. Ndërsa, kryeministri i vendit, Albin Kurti deklaroi në Agjencionin për Parandalimin e Korrupsionitdel se i merr 16 mijë e 647 euro rrogë vjetore.

Në një deklarim për KALLXO.com, Mujka e pranoi se merr dy rroga, por ai nuk e vlerësoi që kjo është e jashtligjshme.

“Unë një e kam prej Ndërmarrjes Publike, ajo nuk është prej Thesarit të Republikës së Kosovës, dmth unë punoj në Ndërmarrjen Publike “Ibër Lepenc” edhe kjo nuk ka të bëjë me Thesarin e Republikës prej nga paguhen asamblistët” – tha Mujka.

“Unë nuk po them që s’po i marrë dy, unë veç të kallxova ku po e marrë njërën, ku po e marrë tjetrën” – thotë zyrtari i Lëvizjes Vetëvendsoje.

Kryesuesja e Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Jugut, Vesa Broja, ka thënë për KALLXO.com se në muajin mars të këtij viti ka njoftuar të gjithë asamblistët të cilët mbajnë dy pozita në sektorin publik që të përcaktohen për një pagë.

Sipas paralajmërimit që iu ka shkuar asamblistëve, iu ishte dhënë afat deri më 7 mars 2023 të përcaktohen për rrogën e rregullt, “në mënyrë që pagat nga muaji mars 2023 të realizohen sipas këtyre dispozitave ligjore”.

“Të gjithë Anëtarët e Kuvendit më dt. 03.03.2023 i kemi njoftuar se bazuar në dispozitat ligjore të cekura më lartë, Anëtarët e Kuvendit Komunal të cilët marrin pagë të rregullt nga Buxheti i Kosovës kanë mundësinë të përcaktohet në njërën nga opsionet që parasheh neni 23, paragrafi 4 dhe 5 i Ligjit nr. 08/L-196 për Pagat në Sektorin Publik, dhe se Anëtarët e Kuvendit Komunal, që marrin një pagë të rregullt nga buxheti i Kosovës, përfitojnë vetëm shtesën sipas paragrafit 4. të këtij neni” – ka thënë Broja në një përgjigje me shkrim.

Krahas kësaj, KALLXO.com e ka pyetur Faruk Mujkën nëse është njoftuar nga Kuvendi Komunal i Mitrovicës për t`u përcaktuar nëse do të marrë një rrogë.

Por ai ripërsëriti se ai nuk i merr dy rroga nga Thesari i Shtetit.

Njërën thotë se e merr nga Thesari i Shtetit, e tjetrën nga të hyrat vetanake e ndërrmarjes publike që ai udhëheq. 

“Po ata, ajo është, vendimi për ata paguhen prej Thesarit të Republikës së Kosovës, s’di a më kuptove kur thash unë pagën e marr prej Ndërmarrjes Publike, prej të hyrave vetanake të Ndërmarrjes Publike, dmth nuk paguhem prej Thesarit të shtetit po prej të hyrave vetanake” – deklaroi Mujka.

KALLXO.com kërkoi një interpretim ligjor edhe në Agjencinë Kundër Korrupsion, për të parë nëse mbajtja e dy pozitave në instituticionet publike të Faruk Mujkës mund të bije ndesh me Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit.

Sipas interpretimit, Mujka mund t’i ushtroj të dyja pozitat publike, por megjithatë legjislacioni parasheh edhe kufizime.

“Sipas dispozitave të Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, nuk i ndalohet zyrtarit të lartë publik, në rastin konkret Kryeshefit të Ndërmarrjes Publike Qendrore “Ibër Lepenc”, që të ushtrojë njëkohësisht edhe funksionin e Asamblistit Komunal, por, megjithatë dispozitat e Ligjit në fjalë kanë paraparë disa kufizime për situata të tilla, konkretisht dispozita e nenit 13, paragrafi 2 i Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit” – thuhet në interpretimin e AKK-së.

Sipas këtij paragrafi zyrtari i lartë nuk mund të jetë anëtar i më shumë se një organi drejtues të ndërmarrjes në pronësi publike, shoqërisë aksionare me pronë publike si dhe organeve të institucioneve të tjera publike, përveç nëse parashihet ndryshe shprehimisht me ligj.

“Zyrtari i lartë, në cilësinë e anëtarit të organeve të përmendura në këtë paragraf, nuk ka të drejtë shpërblimi me pagesë, përveç të drejtës në kompensimin e shpenzimeve të udhëtimit dhe shpenzimeve të tjera të lidhura me të” – thuhet tutje në përgjigjen e AKK-së.

“Pra, në rastin konkret, vlen kufizimi që derivon nga pjesa e dytë e paragrafit në fjalë, ku përcaktohet se “Zyrtari i lartë […] nuk ka të drejtë shpërblimi me pagesë, përveç të drejtës në kompensimin e shpenzimeve të udhëtimit dhe shpenzimeve të tjera të lidhura me të” – thuhet në interpretim.

Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit tha se në rast të dyshimit të bazuar për ekzistimin e konfliktit të interesit, inicon menjëherë procedurën për vërtetimin e ekzistencës së konfliktit të interesit dhe pasojat e tij.

Faruk Mujka më parë ishte nën-kryetar i Komunës së Mitrovicës së Jugut ndërsa në dhjetor të vitit të kaluar në kundërshtim me një interpretim të Minsitrisë së Ekonomisë, u zgjodh kryshef i “Ibër Lepencit” nga Qeveria Kurti.