Faruk Mujka zgjedhjet kryeshef në Ibër-Lepenc Ilustrimi: KALLXO.com

Njeriu i Vetëvendosjes, që kishte gisht në shkëmbimin e dyshimtë të pronës, zgjidhet kryeshef i “Ibër-Lepencit”

Ish-kryetari i degës së Lëvizjes Vetëvendosje në Mitrovicë, Faruk Mujka, që nga e marta e 6 dhjetorit pritet të fillojë një punë të re, si kryeshef në Ndërmarrjen Hidroekonomike “Ibër-Lepenc”.

Zgjedhja e tij është bërë në kundërshtim me Ligjin për ndërmarrjet publike, bazuar në interpretimin që kishte bërë Zyra e Kryeministrit dhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik në rastin e kandidimit të Blerand Stavilecit për kryeshef të Korporatës Energjetike të Kosovës.

Në atë interpretim, ZKM-ja kishte thënë se edhe kryeshefi i ndërmarrjes publike duhet të jetë i pavarur, pra nuk duhet të ketë poste politike dhe të jetë pjesë e organeve vendimmarrëse të partive politike në 36 muajt e fundit. 

Faruk Mujka e ka drejtuar degën e Vetëvendosjes në Mitrovicë. Ai ka garuar në zgjedhjet lokale të vitit 2021 duke marrë 8,647 vota në garën për asamblist të Komunës së Mitrovicës Jugore. Mujka ka qenë edhe nënkryetar i Komunës së Mitrovicës Jugore deri në fund të vitit 2021.

Ai madje e kishte nënshkruar një vendim në vitin 2021 sa ishte nënkryetar i Komunës së Mitrovicës, në mungesë të kryetarit, Agim Bahtiri, që kishte mundësuar futjen në rendin e ditës në seancën e Kuvendit Komunal diskutimin dhe votimin për tjetërsimin e pronës në qendër të qytetit, të ish-objektit të bibliotekës.

Në vendimin e bordit të drejtorëve të kësaj ndërmarjeje thuhet se ish-kandidati për deputet nga Vetëvendosje dhe ish-nënkryetari i Komunës së Mitrovicës, Faruk Mujka, do të jetë në krye të “Ibër-Lepencit” për një mandat trevjeçar.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Mujka ka thënë se Lëvizja Vetëvendsoje nuk e ka ndihmuar që të zgjidhet kryeshef në “Ibër-Lepenc”.

“A ka ndiku partia? Për besë s’e di çka te them unë ty” – ka thënë ish-numri një i Vetëvendsojes në Mitrovicë. “Unë kam aplikuar me idenë dhe besimin që mundem me kontribu edhe për shkak të përgatitjes time si inxhinier i ndërtimtarisë për një kompani si “Ibër-Lepenci” për shkak të eksperiencës dhe CV-së që e kam edhe për shkak se e di punën e “Ibër-Lepencit” se këtu jam rritë, edhe kam apliku” – tha tutje Faruk Mujka.

Vendimi për caktimin e Faruk Mujkës kryeshef në “Ibër-Lepenc”

Ai thotë se bordi nuk e ka favorizuar atë, anise Mujka kishte pozita të larta në partinë e cila aktualisht drejton Qeverinë e Kosovës.

Mujka ka thënë se vendimi për zgjedhjen e tij është publikuar dhe se ai pritet që të marrë drejtimin e ndërmarrjes më 6 dhjetor 2022. 

Deri para një viti, Mujka ishte kryetar i degës së LVV-së në Mitrovicë. Ai gjithashtu ishte nënkryetar i Këshillit të Përgjithashëm të Lëvizjes Vetëvendsoje.

“Mua ma merr mendja, ky është mendimi im subjektiv, ma merr mendja që edhe në intervistë edhe në CV edhe me të gjitha, e kam merituar atë vend. Bordi qysh e di është zgjedhur me konkurs, nuk është bord i emëruar. Çka kam faj unë që tash ajo parti është në pushtet, çka me bë ne…” – tha ai.

Bordi i ndërmarrjeve publike zgjidhet me konkurs por i takon Qeverisë së Kosovës që nga lista e kandidatëve që i plotësojnë kushtet të zgjedhë dhe emërojë anëtarët e bordit të një ndërmarrjeje publike.

Mujka nuk ishte kandidati më i poentuar në garën për kryeshef të ndërmarrjes. Rezultatet nga intervistimi i pesë kandidatëve, Mujkën e rënditën në vend të dytë me 60 pikë, aq sa kishte edhe vendi i tretë. Në vendin e parë ishte rënditur kandidati Luan Hoti.

KALLXO.com i dërgoi pyetje Hotit për ta pyetur nëse do të ankohet ndaj vendimit të bordit por ai nuk është përgjigjur.

Pikët nga intervisimi për pozitën e Kryeshefit Ekzekutiv

Anëtari i bordit të “Ibër-Lepencit”, Muzafer Luma ka një shpjegim pse nuk është emëruar kandidati më i votuar.

“Ne e kemi bërë listën dhe i pari ka dalë tjetërkush, jo Faruku, ka dalë Luan Hoti, por Luani është tërhequr ndërkohë shkaku i ruajtjes së integritetit, siç na tha ai. Ai ishte jashtëzakonisht i përgatitur, por ai është tërhequr” – ka shpjeguar anëtari i bordit, Muzafer Luma.

Pasi është tërhequr nga gara Hoti, Luma thotë se në garë kanë mbetur dy kandidatë me pikë të njëjta, por ata kanë vendosur për Mujkun. Ai thotë se përzgjedhjen e Mujkut nuk e kanë bërë për shkak të kaluarës së tij të lidhur me partinë në pushtet, por për shkak se i njëjti është inxhinier dhe e njeh Mitrovicën, atje ku është aseti kryesor i kësaj ndërmarrjeje.

Luma ka thënë se Vetëvendosja nuk ka ndikuar te bordi për zgjedhjen e kryeshefit të “Ibër-Lepencit”.

“Jo, absolutisht nuk ka pasur asnjë ndikim” – ka thënë ai. 

Partia e Faruk Mujkës, Lëvizja Vetëvendsoje, në vazhdimësi ka kritikuar emërimet e njerëzve me prapavijë politike nëpër institucione publike.

Depolitizimin e ndërmarrjeve publike e premtonte edhe kryetari I Vetëvendsojes, tani kryeministër vendi, Albin Kurti.

“Ndërmarrjet publike duhet të udhëhiqen nga profesionistë të aftë, me integritet edhe personal e të cilët e kanë për qëllim zhvillimin e ndërmarrjes. Jo zhvillimin e interesave të ngushta, që mandej i bën ato ndërmarrje barrë për shtetin” – thoshte kryeministri Albin Kurti, në një video-mesazh më 12 shtator 2021  drejtuar qytetarëve kur u bënte thirrje profesionistëve që të aplikojnë në konkurset në ndërmarrjet publike.

“Me qeverisjen tonë kemi siguruar meritokraci e transparencë të plotë në proceset e rekrutimit në sektorin publik…” – vazhdonte Kurti.

Zgjedhja e kundërligjshme

Një interpretim i Ligjit për Ndërkmarrjet Publike, i bërë në vitin 2018 me rastin e kandidimit të Blerand Stavilecit për kryeshef të KEK-ut, tregonte se në 36 muajit e fundit personat që kanë pasur poste politike në institucione apo në parti politike nuk mund të zgjidhet në krye të menaxhmentit të një ndërmarrjeje publike.

Këtë interpretim ligjor e kishte nxjerrë Ministria e Ekonomisë dhe Zyra e Kryeministrit në atë kohë.

Por, anëtari i bordit të drejtorëve të “Ibër-Lepencit”, Muzafer Luma tha se kanë shqyrtuar të gjitha interpretimet, dhe sipas tij, nuk e kanë shkelur legjislacionin për zgjedhjen e kryeshefit në këtë ndërmarrje.

“Unë e kam pa shumë mirë, se jam njeri i ligjit, jam institucionalist, te rasti i Blerandit nuk e di qysh e kanë interpretu ata, po aty ka qenë diçka tjetër, për të eliminuar njerëz, për të favorizuar të tjerë. Ligji decidivisht e thotë, neni 17.2, përpos kryeshefit ekzekutiv, te kriteret e përshtatshmërisë, duhet të plotësohen… është edhe pika k, pra përvec kryeshefit” – tha Luma.

Anëtari i bordit konfirmoi se nuk kanë kërkuar një interpretim nga Zyra për Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike në Ministrinë e Ekonomisë, për të parë nëse zgjedhja e anëtarit të LVV-së përbën shkelje ligjore.

“Nëse ka ndodnjë kontestim të zgjedhjes, atëherë ne do të kërkojmë interpretim edhe nga Ministria e Ekonomisë, ne kemi vlerësuar që s’e kemi thy ligjin dhe nuk kemi kërkuar por nëse dikush mendon që është shkelur ligji, le të kërkon” – thotë ai.

Çka thotë interpretimi?

Ministria e Zhvillimit Ekonomik përmes Zyrës së Kryeministrit kishte thënë se kryeshefi ekzekutiv i ndërmarrjeve publike të Kosovës duhet të jetë i pavarur, ashtu siç kërkohet edhe për anëtarët e tjerë të bordit të drejtorëve të ndërmarrjeve publike. 

Pra, asnjë person që në 36 muajt e fundit ka pasur poste politike në institucione apo në parti politike nuk mund të zgjidhet në krye të menaxhmentit të një ndërmarrjeje publike.

“Në përmbledhje dhe në bazë të dispozitave të legjiscalionit në fuqi për ndërrmarje publike, konsiderojmë se bordi i drejtorëve të KEK-ut, me rastin e përzgjedhejs së kryeshefit ekzkeutiv, duhet të veprojë bazuar në neni 21 të Ligjit për Ndërmarrjet Publike, i cili ekzluzivisht ka të bëjë më zgjedhjen dhe emërimin e zyrtarëve të NP-së i cili sqaron se personi që është ose në çfarëdo kohe, gjatë periudhës 36 muajsh para datës së aplikimit ka qenë (i) zyrtar i zgjedhur publik, (ii) i emëruar politik ose (iii) bartësi i një posti udhëheqës ose vendimarrës në një parti politike, nuk mund të zgjidhet kryeshef ekzekutiv i ndërmarjes publike”- thuhet në interpretimin e MZHE-së të lëshuar përmes Zyrës së Kryeministrit.

Pra, në këtë opinion ligjor është theksuar se në nenin 21 të Ligjit për Ndërmarrjet Publike thuhet që me zgjedhjen dhe emërimin e zyrtarëve të lartë të ndërmarrjes publike, personi që është ose në çfarëdo kohe gjatë periudhës 36-muajshe para datës së aplikimit ka qenë zyrtar i zgjedhur publik, i emëruar politik ose bartës i një posti udhëheqës ose vendimmarrës në një parti politike, nuk mund të zgjidhet kryeshef ekzekutiv i ndërmarrjes publike.

“Në Ligjin për Ndërmarrjet Publike definohet qartë se një person nuk konsiderohet i pavarur dhe nuk kualifikohet për zgjedhje si drejtor në një NP nëse “është ose në çfarëdo kohe gjatë periudhës 36 muajsh para datës së aplikimit ka qenë zyrtar i zgjedhur publik, i emëruar politik ose bartës i një posti udhëheqës ose vendimmarrës në një parti politike”- potencohet në opinionin ligjor.

Sipas këtij opinioni, përkufizimi i termit “i emëruar politik” nënkupton personin i cili është emëruar ose propozuar nga subjekti politik si kandidat për një post të zgjedhur.