Kushtetuesja vërteton shkeljet e Supremes për mosgjykim të drejtë në rastin e aktorit të Teatrit Kombëtar
Gjykata Kushtetuese ka vendosur lidhur me rastin e parashtruar nga aktori Naim Berisha, për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të 23.11.2022 të Gjykatës Supreme.
Kushtetuesja konstatoi se ka pasur shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm të paraparë me Kushtetutë në ndërlidhje me të drejtën për një proces të rregullt të paraparë me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Në aktgjykimin e saj, të publikuar më 20.02.2024, Kushtuesja ka kërkuar nga Supremja që ta kthejë në rishqyrtim rastin e aktorit Berisha.
Gjatë shqyrtimit të ankesës së Berishës lidhur me vendimin e 23.11.2022 të Gjykatës Supreme, Kushtetuesja ka gjetur se Supremja nuk e ka trajtuar rastin ashtu siç ishte parashtruar nga ankuesi (Berisha), përkatësisht çështjen e diskriminit në pagë të tij në raport me kolegët tjerë në TKK.
Rasti ndërlidhet me një kontest pune të Berishës i cili ka lidhur marrëdhënie të rregullt pune si aktor në TKK-në, që nga viti 2009 përmes kontratës mbi vepër, sikurse të gjithë aktorët tjerë të TKK-së në atë kohë.
Në vendimin e Gjykatës Kushtetuese thuhet se Berisha, më 09.11.2012 pasi nuk kishte marrë përgjigje në ankesën e tij nga Ministria e Kulturës, parashtron padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë, duke kërkuar legalizim të vendit të punës, gjegjësisht kalimin nga kontrata mbi vepër në kontratë të rregullt të punës, dhe kompensimin e dëmit material, të shkaktuar si pasojë e diskriminimit në pagë, në krahasim me kolegët e tij aktorë në TKK-në.
Gjykata Themelore refuzoi padinë e Berishës me arsyetimin se nuk ishte plotësuar kriteri ligjor për ndryshimin e llojit të kontratës dhe se nuk kishte diskriminim në vendin e punës në raport me kolegët tjerë aktorë të TKK-së.
Parashtruesi i kërkesës kishte paraqitur ankesë në Gjykatën e Apelit, e cila e refuzoi atë, duke vërtetuar gjetjet e Gjykatës Themelore. Por, sipas gjetjeve të Kushtetueses, në ndërkohë, më 12.05.2015, MKRS kishte aprovuar kërkesën e parashtruesit të kërkesës për kalimin nga kontrata mbi vepër në kontratë të rregullt të punës dhe kjo çështje nuk ishte më kontestuese për parashtruesin e kërkesës (Naim Berisha).
Ndaj aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, Berisha, kishte ushtruar kërkesë për revizion në Gjykatën Supreme, duke pretenduar se Apeli ka dështuar të vlerësoj diskriminimin në pagë ndaj paditësit në raport me aktorët tjerë në TKK. Por, sipas Kushtetueses, Gjykata Supreme e kishte refuzuar si të pabazuar revizionin e parashtruesit të kërkesës, duke konfirmuar gjetjet e Gjykatës Themelore dhe asaj të Apelit.
“Gjykata Supreme në arsyetimin e saj ka trajtuar çështjen e kalimit nga kontrata me afat të caktuar në atë me afat të pacaktuar, e cila çështje është zgjidhur në vitin 2015 dhe si e tillë nuk është më kontestuese, por nuk ka trajtuar çështjen e diskriminimit në pagë të parashtruesit të kërkesës në raport me kolegët tjerë aktorë, përkatësisht aktorin SH.K., nga 01.07.2011 deri 30.04.2015. Kushtetuesja vlerësoi se Gjykata Supreme është dashur të trajtojë pretendimin e parashtruesit të kërkesës me saktësi, ashtu siç i njëjti në mënyrë specifike e kishte ngritur në kërkesën e tij për revizion”- thuhet ndër të tjerash në vendimin e Kushtetueses.
Andaj Gjykata Kushtetuese ka gjetur se në rastin konkret ka pasur shkelje të së drejtës për një vendim të arsyetuar, si komponentë e së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, e garantuar me Kushtetutë në ndërlidhje me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
“Për pasojë, Gjykata Kushtetuese nëpërmjet Aktgjykimit të saj obligoi Gjykatën Supreme që në rivendosjen e kësaj çështje, të vlerësojë nëse në rastin e parashtruesit të kërkesës, ka ekzistuar diskriminimi në pagë ose jo, pa paragjykim në vlerësimin e Gjykatës Supreme përkitazi me këtë çështje”- thuhet në vendim.
Përveç, rikthimit në rishqyrtim, Kushtetuesja urdhëron Supremen që deri më 17.07.2024 ta informoj Gjykatën Kushtetuese dhe palët lidhur me zbatimin e këtij vendimi.