Stafi civil dhe politik i Kuvendit marrin shtesën prej 600 eurosh që ua kishte "bllokuar" Thesari

Një shtesë prej 600 eurosh neto, apo 701 eurosh bruto, që ishte vendosur t’u ndahej të gjithë zyrtarëve të stafit civil dhe këshilltarëve politik të Kuvendit të Kosovës në vitin 2021, është realizuar tek në fund të muajit mars.

Vendimin për ndarjen e kësaj shtese e kishte marrë Kryesia e Kuvendit me propozim të sekretarit të përhershëm, por nuk ishte ekzekutuar nga Thesari i shtetit. Të drejtën e përfitimit të kësaj shtese, stafit civil dhe politik të Kuvendit, ia ka dhënë Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil (KPMShCK), më 29.02.2024, pas ankesave që ishin adresuar në këtë institucion nga tashmë përfituesit e shtesës.

Kallxo.com ka arritur të siguroj vendimin e KPMShCK-së, i cili e ka obliguar Thesarin që t’i alokonte mjetet për shtesat e përcaktuara nga Kryesia e Kuvendit. Duke e vlerësuar ankesën me bazë të mjaftueshme ligjore, Kolegjiumi Shqyrtues i Këshillit, ka vlerësuar se kërkesa e tyre “është e zbatueshme dhe ekzekutueshme”.

Fillimisht, Kryesia e Kuvendit kishte marrë vendimin e datës 08.12.2021, me arsyetimin se stafi civil dhe politik i Kuvendit kanë pasur angazhime jashtë orarit të punës në mbështetje të trupave punuese të Kuvendit, Kryesisë, seancave plenare dhe komisioneve parlamentare. Sidoqoftë një vendim i tillë i Kryesisë kishte hasur në “rezistencë” nga institucioni i Thesarit.

Bazuar në vendimin e KPMShCK-së, Kuvendi i Kosovës përmes zyrtarëve përgjegjës më datë 10.12.2021 kishte përcjell për në Thesarin e Kosovës shkresën së bashku me vendimin e Kryesisë, mirëpo kërkesa nuk ishte ekzekutuar nga Thesari.

Ndërkohë, përmes një emaili, zv.Udhëheqësi i Divizionit të Pagave në Thesarin e Kosovës thuhet se kishte njoftuar se kërkesa ishte në proces të trajtimit, por se të njëjtën ditë, po përmes emailit, Drejtori i Drejtorisë për Buxhet dhe Pagesa i Kuvendit të Kosovës kishte njoftuar zv. Udhëheqësin e Divizionit të Pagave në Thesarin e Kosovës se kanë mjete për kompensimin e shtesave, sipas vendimit të Kryesisë së Kuvendit.

Një vit më vonë, më datë 28.01.2022, sipas dokumentit të KMPShCK-së, zv. Drejtori i Përgjithshëm për Administratë të TI i Thesarit të Kosovës ka njoftuar Drejtorin e Drejtorisë për Buxhet dhe Pagesa të Kuvendit të Kosovës, se kërkesa është e nevojshme të qartësohet si në aspektin e periudhës kohore ashtu edhe në aspektin e buxhetit.

Kuvendi i Kosovës përmes Drejtorit të Drejtorisë për Buxhet dhe Pagesa, më datë 16.02.2022,  rezulton se ia ka përcjellë Thesarit kërkesën për kompensim- gjithnjë sipas vendimit, mirëpo sërish nuk ishin ekzekutuar mjetet.

Kërkesat dhe ankesat kanë vazhduar edhe në vitin pasues.

Më datë 14.12.2023, ankuesit parashtruan kërkesë për kompensimin e të punësuarve në Kuvendin e Kosovës, ndërsa më datë 26.12.2023, sipas arsyetimit të Këshillit për Shërbyesit Civil, zëvendësuesi i Sekretarit të Përgjithshëm i Kuvendit ka njoftuar përfaqësuesin e ankuesve se Kuvendi i Kosovës ka ndërmarrë të gjitha veprimet për zbatimin e vendimit, mirëpo që kjo nuk është ekzekutuar nga Thesari.

Për herë të fundit, më datë 17.11.2024 ankuesit parashtruan ankesë në KPMShCK, meqë rast Kolegji për Shqyrtimin dhe Vendosjen e Ankesave ka shqyrtuar të gjitha shkresat e lëndës të parashtruara nga palët dhe ka vërtetuar që ankesa e nëpunësve është e bazuar.

Ashtu siç ceket në vendimin e Këshillit, kërkesa e punonjësve mbështetet në nenin 12 të Rregullores për Orarin e Punës dhe Kompensimet për Nëpunësit Civil të Administratës së Kuvendit.

Po ashtu, sipas po këtij vendimi, kërkesa e punonjësve është ligjore pasi që Kuvendi në kërkesën drejtuar Thesarit të Kosovës lidhur me ekzekutimin e këtij vendimi ka arsyetuar se mjetet buxhetore për këtë çështje janë të destinuara.

KALLXO.com ka pritur tri ditë që të marrë përgjigje nga Ministria e Financave lidhur me këtë çështje, por nuk ka marrë asnjë shpjegim.

Njëjtë ka vepruar edhe Kuvendi i Kosovës. Deri në momentin e publikimit të artikullit, ky institucion nuk ka kthyer përgjigje.