Foto: KALLXO.com

Çështja e faljes së 100 eurove të tatimit në pronë s'u miratua si rend dite në seancën e Kuvendit të Mitrovicës

Në mbledhjen e Kuvendit Komunal të Mitrovicës Jugore të mbajtur sot është diskutuar falja e 100 eurove të tatimit në pronë për qytetarët e Mitrovicës si dhe për vendimin e Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje.

Kushtetuesja pati nxjerrë aktgjykim përmes të cilit ka konstatuar se plotësim-ndryshimi i fundit i Ligjit për tatimet mbi pronat e paluajtshme nuk cenon kompetencat vetanake të komunave.

Plotësim-ndryshimi në fjalë mundëson zbritjen për 100 euro në faturat e tatimit në pronë të qytetarëve për vitin 2023.

Në interpretimin e dispozitave të kontestuara përmes aktgjykimit të publikuar me 22 nëntor, Gjykata Kushtetuese ka sqaruar se Ligji i kontestuar nuk detyron kuvendet komunale përkatëse, por saktëson bazën ligjore sipas të cilës u mundëson të njëjtave për të vendosur lidhur me faljen e tatimit në pronën e paluajtshme sipas përcaktimeve të Ligjit të kontestuar.

Neni i kontestuar përcakton që çdo tatimpagues që është i detyruar të paguajë tatimin mbi pronën e paluajtshme për vitin tatimor 2023, kualifikohet për faljen e tatimit në pronë. Aty qartësohet se shuma e faljes së tatimit në pronë për të gjithë tatimpaguesit lejohet deri në lartësinë e faturës së tatimit në pronë për vitin 2023, por jo më shumë se 100 euro.

Neni përcakton se vendimi për faljen e tatimit në pronë merret nga kuvendi komunal i çdo komune më së largu tridhjetë (30) ditë nga hyrja në fuqi e këtij Ligji.

https://kallxo.com/ligji/falja-e-100-eurove-te-tatimit-ne-prone-ky-eshte-vendimi-i-gjykates-kushtetuese/

Faruk Mujka, asamblist i Vetëvendosjes, e sheh të arsyeshme që çështjen e faljes së 100 eurove të tatimit në pronë ta sjellë në Kuvend dhe Kuvendi ta marrë vendimin përfundimtar.

“Më 3 shkurt të këtij viti kemi pasë kërkesë e cila atëherë ka qenë aktuale por prapë tash është, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Atëherë kryetari ka thënë që është i gatshëm ta propozojë pas vendimit të Gjykatës, bëhet fjalë për faljen e 100 eurove tatim pronë për të gjithë qytetarët e Mitrovicës. Unë e di se në çfarë gjendje është Komuna e Mitrovicës por mendoj që është e drejtë e tyre. Mendoj se duhet ta tregojmë vullnetin dhe dëshirën për me i ndihmu qytetarët. E dimë që me këtë vendim ata të cilët e kanë pagu u hiqet vitin e ardhshëm”- ka thënë Mujka.

Ndërsa Bedri Hamza, kryetar i Komunës së Mitrovicës, ka thënë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk ka qenë e mundshme të përgatitet dhe të propozohet si rend dite për seancën e sotme.

“Është mirë që secili organ në nivel qendror apo lokal kur merr vendim dhe do me ba nder, me ba me paret e veta. Edhe popullizmat me i ba në ngarkesë të atij që e merr vendimin se s’ka kurrfarë logjike ekonomike me marrë vendim për me qenë barrë e një organizate tjetër buxhetore. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka dalë, Gjykata Kushtetuese nuk e ka kontestu ligjin. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka dalë në një formë ku për këtë seancë nuk ka qenë e mundshme që kjo pikë të përgatitet dhe të propozohet. Ky veprim është i njëhershëm dhe nuk paraqitet në vitet vijuese. Nuk ia zgjidh problemin një tatimpaguesi, ia lehtëson por problemin nuk ia zgjidh veç për një vit”- ka thënë Hamza.

Mujka vazhdoi dhe këmbënguli që afati i fundit për marrjen e këtij vendimi është sot.

“Ju thatë që mundet me u diskutu në mbledhjen e radhës por e dini që afati i fundit për me u diskutu kjo çështje është tetë dhjetori. Unë nuk jam jurist por në vendim shkruan që afati i fundit është dhjetori. Kështu që kryetar nëse doni me marrë vendim është sot. Nëse doni mos me marrë vendim e mandej me thonë i kemi kalu afatet ligjore mundemi me lënë edhe për naj mbledhje tjetër por unë prapë mendoj që është mirë me e pru një vendim ku Komuna e Mitrovicës ua fal borxhin, ua fal 100 euro nga tatimi në pronë qytetarëve të Mitrovicës” – ka thënë Mujka.

Tutje Hamza potencoi se Komuna duhet ta shqyrtojë normën tatimore teksa qytetarët që kanë paguar për vitin 2023 u njihet si pagesë në avancë për vitin 2024.

“Afati ligjor keni të drejtë. Mirëpo realisht për këtë mbledhje vendimi është dalë vonë dhe unë jam i sigurt që pa një kalkulim të mirëfilltë, pa një procedurë në të cilën duhet me kalu vendimi në pesha të tilla nuk janë të shëndetshme për me u marrë. Unë mendoj që ma e shëndetshme dhe ma e përballueshme për Komunën është me bo analizë të mirëfilltë të normës tatimore. Ka qenë minimumi 0,15 dhe nuk ke mujtë me shku nën 0,15, tash ligji ta ka dhënë mundësinë që me shku nën 0,15 dhe ne do ta shikojmë normën tatimore dhe përmes normës tatimore na qytetarëve që paguajnë tatim në pronë u ndihmojmë jo vetëm për vitin aktual. Në fakt ata që kanë pagu në vitin 2023 u njihet si pagesë në avancë edhe për vitin 2024. Komuna vendos a do ta lërë normën 0,15 a do të vendosë një normë më të ulët se 0,15”- përfundoi Hamza.

Ndryshe, ai thotë se baza e tatimit në pronë nuk është në diskrecion të Komunës për ta ndryshuar. Por norma e tatimit në pronë është në diskrecion të Komunës dhe nëse vlerësohet që është barrë e lartë për një tatimpagues në komunën e Mitrovicës, Komuna mund ta trajtojë normën që të jetë një shumë e përballueshme për qytetarët e Mitrovicës.