Skandali i pagave në disa komuna, edukatoret me paga më të larta se sa u takojnë

Për 6 muaj me radhë, edukatorët në Gjilan kanë marrë paga më të larta se sa që i takojnë me ligj, deri në gusht të këtij viti, derisa edukatoret në Fushë Kosovë e Pejë ende vazhdojnë të marrin paga në kundërshtim me Ligjin e Pagave.

Qeveria e Kosovës ka ekzekutuar paga në kundërshtim me Ligjin e Pagave në Sektorin Publik për kategorinë e edukatorëve në institucionet arsimore për qytetin e Gjilanit, Pejës e Fushë Kosovës.

Në vend që mësimdhënësit e kësaj kategorie të paguheshin me koeficientin 5.2 siç është e paraparë në Ligjin për Paga, edukatorët janë paguar me koeficient 5.6 apo 42 euro më shumë.

Në vend së paguheshin 546 euro, mësimdhënësit e nivelit parashkollor janë paguar 588 euro.

Javën e kaluar, një grup i mësimdhënësve nga Gjilani kanë vërejtur që në llogaritë e tyre bankare kanë marrë 42 euro më pak se sa muajt parapake.

Një ndër to është edhe Luljeta Nevzadi në një intervistë për KALLXO.com ka sqaruar se e kanë vërejtur që paga e tyre është me koeficient 5.6.

“Tash për këtë muaj që kaloj ne e kemi marrë pagën me zbritje, ne e dimë që me ligj e kemi pasur koeficientin 5.2, mirëpo nuk e dimë se çfarë ka qenë problemi, na kanë bërë një rritje, tash këtë muaj që kaloi atë rritje na zbriten”- ka thënë ajo.

Sipas saj në rast se do të kërkohet që t’i kthejnë paratë e marra, ato do të dëmtohen shumë.

“Ndikon shumë edhe më të thanë të drejtë ndoshta pak me tepër jemi duke e diskutu këtë problem sepse është dëm për ne nëse na ndalin pagën. Tash na po dëmtohemi, sepse për 6 muaj 40 euro, nuk janë pak për këtë fillim vit me na ndal” – thotë Nevzadi për KALLXO.com.

Edhe edukatorja, Emine Behluli-Ademi ka konfirmuar se këtë muaj ka marrë 40 euro më pak, ndryshe nga muajt paraparak.

“Këtë muaj paga na ka na ka dalë ne zbritje, koeficientin e kanë zbritur në 5.2. Dikund për 40 euro me pak, muajt më parë, prej muajit mars ka qenë 5.6” – thotë edukatorja Emine Behluli Ademi.

Sipas saj, nuk është faji i edukatoreve që ato janë paguar me 42 euro më shumë.

“Po mendojmë që ne duhet me u drejtu edhe tek institucionet që ta shtjellojnë këtë çështje, të shohim problemet se përse ka ndodhur kjo deri tash. Kjo nuk është faj i yni, tash nëse neve na ndalet një rrogë apo dy për pagat që i kemi marrë më herët edhe kjo nuk është në rregull sepse ne mbesim keq” – thotë tutje ajo.

Pagën më të vogël për edukatorët e Gjilanit e ka konfirmuar për KALLXO.com edhe Blerim Mehmeti, kryetar i Sindikatës së Bashkuar e të Arsimit Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) për Gjilanin.

Mehmeti ka thënë është njoftuar nga disa edukatore, por që nuk ka marrë ndonjë sqarim nga niveli qendror dhe lokal përse ka ndodhur një gjë e tillë.

“Nuk e di përse ka ndodhur kjo, nuk kam akoma përgjigje zyrtare, kam pyet edhe nivelin qendror, në komunat tjera nuk ka ndodhur kjo. DKA në Gjilan nuk më ka kthyer asnjë përgjigje. Muaji korrik dhe muaji gusht ka dallim mbi 40 euro”- ka thënë ai.

Komuna e Ministritë hedhin fajin tek njëra tjetra 

Drejtoria e Arsimit në Gjilan kanë thënë për KALLXO.com se problemin në fjalë e kanë vërejtur qysh nga muaji i parë pas miratimit të Ligjit të Pagave në sektorin publik.

Nga ky institucion kanë sqaruar se kërkesën për përmirësim të listës së pagave e kanë marrë nga Ministria e Financave, e kur i kanë përcjellë këto përmirësime, ministria është vonuar t’i bëjë ndërhyrjet.

“Me 08 mars 2023, kemi pranuar një shkrese nga z.Ahmet Tolaj, Udhëheqës i Divizionit të Pagave, ku na kërkohet që të bëhet adresimi i kërkesës për përmirësime në thesar, në rast të gabimeve në listë të pagave. Ndërsa në shtojcën e listës së pagave, edukatorët kanë koeficient 5.2, ndërsa deri më tani janë paguar si mësimdhënës me koeficient 5.6” – ka thënë Valon Ismajli, asistent i drejtoreshës së Arsimit në Gjilan.

Nga DKA në Gjilan kanë thënë se vazhdimisht kanë bërë kërkesë për ta korrigjuar gabimin, mirëpo tek në gusht është vërejtur që është bërë korrigjimi.

“Ne vazhdimisht i kemi dërguar kërkesat për përmirësime, por tek tash janë përmirësuar” – ka thënë Ismajli nga DKA e Gjilanit për KALLXO.com.

I pyetur nëse shuma e marrë më shumë sa që i takon, do t’i ndalet edukatoreve nga paga bazë në muajt në vazhdim, ai ka thënë se ‘janë në koordinim me ministrinë e Financave’.

KALLXO.com ka kontaktuar Ministrinë e Financave, të cilët thonë se atyre nuk i’u takon të ndërhyjnë në listën e pagave.

“Thesari nuk ka të drejtë të bëjë ndryshime në listat e pagave, por secila organizatë buxhetore sjellë kërkesat për ndryshime bazuar në koeficientet e bazuar në Ligjin e pagave për sektorin publik” – thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Financave.

Ministria e Financave për KALLXO.com, ka ofruar si dëshmi emailin të cilin ia kanë përcjellë Drejtorisë së Arsimit në Gjilan.

Emaili në fjalë nuk ka datë se kur është dërguar tek Komuna e Gjilanit, por në të kërkohet që sa më shpejtë të bëhen përmirësimet në mënyrë që të mos dëmtohet buxheti dhe të minusohen pagat.

Ministria e Financave nuk janë përgjigjur se çfarë do të ndodhë shtesën prej 42 eurove që edukatoret e kanë marrë nga marsi deri në gusht.

Ndërsa DKA në Gjilan kanë ofruar për KALLXO.com dëshmi sesi më datën 4 prill, ministrisë së Financave ia kanë përcjellë listën e punëtorëve të cilëve duhet t’i ndryshohet koeficienti.

Në këtë dëshmi, Komuna e Gjilanit ia bënë me dije të korrigjojnë kontrata sepse përndryshe nuk marrin përgjegjësi.

Përgjegjësinë për korrigjimin e listës së pagave nuk e ka marrë as Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës.

“Departamenti për Menaxhimin e Zyrtarëve Publik/MPB nuk bënë ekzekutimin/realizimin e pagave, prandaj edhe për të marrë përgjigjet e duhura për pyetjet e poshtëshënuara, ju duhet t’i drejtoheni institucionit përkatës (KK Gjilan), apo edhe Thesarit të Shtetit”- thuhet në përgjigjen e ministrisë për KALLXO.com.

KALLXO.com gjatë hulumtimit ka gjetur se nuk ka qenë vetëm Komuna e Gjilanit ajo që edukatoret i ka paguar më pagë më të lartë.

Drejtoria e Arsimit në Komunën e Pejës, ka vërejtur gabimin vetëm pas interesimit të KALLXO.com.

Naser Goga, drejtor i Arsimit në Pejë tha për KALLXO.com se pas interesimit tonë, kanë shikuar listën e pagave e kanë vërejtur që disa edukatore janë duke marrë pagë të mësimdhënëses.

“Sipas aranzhimit ka edukatore, me 5.2 edhe edukatore mbështetëse me 5.1. Një pjesë sistemi i ka qit me 5.6 dhe automatikisht janë pagu me 5.6, ligji i pagave i ka trajtu si mësimdhënëse. Kjo është gabim sepse duhet të jenë në një vijë, DKA do t’i shikoj edhe njëherë listat dhe i bënë përmirësimet, nuk janë lëshime tonat, por janë të ministrisë. Do të kërkojmë ndryshime dhe sqarime për këtë çështje” – tha Goga për KALLXO.com.

KALLXO.com ka kontaktuar me disa Drejtori të Arsimit në komuna të Kosovës.

Kamenica, Prishtina, Kaçaniku, Shtimja, Prizreni, Malisheva, Vitia, Lipjani, Rahoveci, Suhareka, Ferizaj, Vushtrria e Hani i Elezit e kanë konfirmuar që nuk kanë telashe të tilla.

Edhe Komuna e Gjakovës kanë vërejtur se kanë pasur këtë problem deri në maj.

Eranda Baçi drejtoreshë e Arsimit në këtë komunë, kanë thënë në muajin maj kanë bërë përmirësimet e nevojshme.

“Tek ne koeficienti për edukatore sipas ligjit të pagave është 5.2 dhe ashtu paguhen. Në muajin shkurt koeficienti i edukatoreve në listat e pagave ka figuruar si mësimdhënës i shkollës fillore dhe të mesme të ulët, kurse në muajin maj kemi bërë përmirësimet sipas ligjit dhe kontratave, kurse ndalesat ju kemi bërë në muajin qershor” – ka thënë ajo.

Edhe Komuna e Fushë Kosovës edukatoret i paguan si mësimdhënëse, Fatlum Berisha drejtor i Arsimit ka konfirmuar për KALLXO.com një gjë të tillë.

“Të na edukatoret paguhen me 5.6 ndërsa ndihmës edukatoret paguhen me 5.2. Nuk kemi pasur ndonjë kërkesë për ndryshim të listës së pagave, përkatësisht të koeficientit” – tha ai.

Sipas tij, në buxhetin për vitin 2024 kanë planifikuar që edukatoret të paguhen me koeficient 5.2

“Për vitin 2024 planifikimin e kemi të bazuar në Ligjin e Pagave, edukatorja 5.2, ndihmësja 5.1”- ka thënë ai.