Murati: Në raportin e fundit të DASH-it fjala korrupsion është përmendur 12 herë më pak së në raportin e 2019-ës

Në seancën e Kuvendit të Kosovës, ministri i Financave, Hekuran Murati, ka bërë një krahasim se sa herë është përmendur fjala korrupsion në raportin e Departamentit amerikan të Shtetit (DASH) në vitin 2023 dhe sa herë në vitin 2019.

Nëse mbështetemi në aspektin kuantitativ, atëherë sipas tij, i bie që ka përgjysmim të korrupsionit në vend.

“Nëse duhet t’i qasemi kësaj çështjeje në mënyrë kuantitative dhe objektive, në vitin 2023 fjala korrupsion në raportin e DASH-it përmendet 12 herë, ndërsa në vitin 2019 ka qenë 24 herë e përmendur. Sipas raportit të DASH-it nëse e shikojmë në suaza kauntitave ka përgjysmim së paku”- u shpreh ai.

Murati ka akuzuar opozitën se në të kaluarën ligjet u kanë shërbyer oligarkëve e grupeve të interesit.

“Në Kuvend ka ndërruar situata. Shumica e ligjeve që mbështeten nga qeveria dhe nga Grupi parlamentar i LVV-së, janë ligje të mira- në të mirë të qytetarëve. Nuk ka monopole qysh keni bërë ju, duke iu shërbyer oligarkëve e grupeve të interesit”- ka thënë ai.

Kryetari i grupit të deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri teksa ka folur për të gjeturat e raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit(DASH) ka thënë se niveli i korrupsionit në Kosovë është shqetësues.

Ai ka thënë se 1/3 e qeverisë Kurti janë nën hetime për afera korruptive.

Raporti i Departamentit amerikan të Shtetit (DASH) po diskutohet sot, më 02.04.2024 në seancën e Kuvendit të Kosovës.