Foto: ZKM
Kurti: BE t’i heqë masat kufizuese ndaj Kosovës
Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka deklaruar se Kosova është e gatshme jo vetëm për statusin kandidat për anëtarësim, por edhe për hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian.
Kështu u shpreh ai në mbledhjen e Këshillit Ministror për Integrim Evropian, më 02.05.2024.
Kurti me këtë rast ka theksuar se pas një një dekade stagnimi, zgjerimi i Bashkimit Europian është ri-kthyer në agjendë.
“Në dhjetor të 2023-tës, samiti i BE-së për Ballkanin Perëndimor, rikonfirmoi të ardhmen e rajonit tonë në Bashkimin Europian. Më 15 dhjetor 2022 në Pragë, ne dorëzuam aplikacionin për anëtarësim në BE. Besojmë që anëtarësimi në BE duhet të jetë i bazuar në meritokraci. Si demokracia më e avancuar në rajon, ne jemi të gatshëm t’i përgjigjemi mijëra pyetjeve teknike që vijnë nga Komisioni Europian. Krahasuar me rajonin, Kosova është jo vetëm e gatshme për statusin kandidat, por edhe për hapjen e negociatave dhe kapitujt e shumtë drejt anëtarësimit”- është shprehur Kurti.
“Anëtarësimi në BE është zgjedhje strategjike. Ne kemi bërë zgjedhje andaj agjenda e reformave europiane në Qeverinë tonë që nga fillimi i mandatit është trajtuar me shumë seriozitet”- theksoi ai.
Kreu i ekzekutivit ka vlerësuar se Kosova tashmë i ka plotësuar të gjitha kërkesat e BE-së për heqjen e masave të vendosura ndaj saj, teksa ka nënvizuar se të njëjtat bien ndesh me përpjekjet e rajonit përë integrim të përshpejtuar në BE dhe sidomos në planin e rritjes.
“Masat që janë në fuqi ndaj Kosovës bien ndesh me përpjekjet e rajonit për integrim të përshpejtuar në BE sidomos edhe në planin e rritjes dhe qëllimin e tij. Në anën tjetër po vazhdojmë me përpjekjet tona që të hapim më tepër mundësi në kuadër të dialogut të reformave të BE në këtë kontekst kemi përmbushur të gjitha kërkesat e BE për heqjen e masave kufizuese dhe këto masa duhet të largohen”- ka thënë Kurti.
Kryeministri Kurti më 15.12.2022, ia ka dorëzuar në Pragë letrën e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Bashkim Evropian, ministrit për Çështje Evropiane të Çekisë, Mikulas Bek, që në atë kohë mbante presidencën e BE-së.
Aplikimi i Kosovës përbën herën e parë që një shtet merr një nismë të tillë pa u njohur zyrtarisht nga të gjitha vendet anëtare të BE-së.
Kurti pati thënë që kjo është një ditë e jashtëzakonshme për demokracinë në Evropë, ndërsa historike për Kosovën.
Në anën tjetër, BE-ja pati vënë masa ndëshkuese ndaj Kosovës verën e kaluar, me arsyetimin se nuk kishte bërë mjaftueshëm për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës në maj të vitit 2023. Asokohe, serbët lokalë protestuan para ndërtesave komunale në Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok kundër kryetarëve të rinj, dhe për pasojë situata u përshkallëzua në dhunë.