Policia me operacion në Prishtinë e Gjilan, gjen dy bunkerë dhe armë zjarri - FOTO

Policia e Kosovës ka njoftuar se i ka gjetur dy bunkerë dhe disa armë të zjarrit me municion, gjatë një operacioni policor në në rajonin e Prishtinës dhe Gjilanit.

Dy të dyshuar janë ndaluar, ndërsa personi i tretë i dyshuar, sipas Policisë ndodhet në arrati.

Organet e rendit në këtë operacion kanë kontrolluar pesë shtëpi banimi dhe një vilë.

“Me datë 26.04.2024 njësitë përkatëse policore në bashkëpunim dhe në koordinim të detyrave sipas kompetencës, kanë realizuar një operacion policor të koduar ‘Baroni’ me urdhërese të lëshuar nga  Gjykata Themelore-Prishtinë, ku janë kontrolluar 5 (pesë) shtëpi banimi në rajonin e Prishtinës dhe një vilë (shtëpi mali) në fshatin Makresh-Gjilan”- thuhet në njoftim.

Kontrollet e realizuara në këto lokacion, sipas Policisë, kanë rezultuar me gjetjen e 2 bunkerëve (vende të fshehta, të modifikuara në mënyrë shumë profesionale për fshehjen e gjërave ilegale), armë automatike, një karikator dhe 31 fishekë, armë zjarri, një karikator dhe 17 fishekë, armë e gjuetisë, një karikator dhe 6 fishekë si dhe armë zjarri, një karikator dhe 7 fishekë.

armë
Municioni i gjetur nga Policia e Kosovës, Foto: PK

“Në vendngjarje ka dalë njësia e teknikës kriminalistike dhe forenzikës e cila ka bërë fotografimin dhe konfiskimin e të gjitha dëshmive të gjetura si prova materiale”- thuhet në njoftim.

Policia thekson se lidhur me rastin dy personat e dyshuar burra, janë shoqëruar në zyrat e DHTN-së Prishtinë për inicim të rastit dhe në konsultim me prokurorin kompetent me urdhër të tij, të dyshuarit pas intervistimit janë dërguar në qendrën e mbajtjes për 48-orë, teksa i dyshuari i tretë ndodhet në arrati.