Tri kandidatet e RTK-së që u refuzuan për pozita menaxheriale përkundër faktit që u vlerësuan me më së shumti pikë në konkurse | Grafika: Diar Vuçetaj/KALLXO.com

Radio Televizioni i Burrave 

Tri profesioniste të cilat në procese meritokratike të konkursit u përzgjodhën të merrnin pozicione udhëheqëse në Televizionin Publik(RTK) nuk u lejuan t’i marrin ato pozita. Rrëfimet ekskluzive të tyre tregojnë për prapaskenat, negociatat, thirrjet në zyra e takimet që synuan t’i bindnin ato të tërhiqeshin nga gara. Dëshmitë konfirmojnë se Besnik Boletini e Shkumbin Ahmetxhekaj diskutuan me kandidatet gjatë procesit të rekrutimit dhe vendimarrjes. Përfundimisht, ato që u zgjodhën të parat në konkurset fillestare, nuk u emëruan në pozita të larta menaxhuese në Radio Televizionin e Burrave të Kosovës. 

Ilire Zajmi, Udhëheqëse e Qendrës së Aftësimit Profesional, Flora Durmishi, redaktore e kulturës në Radio Kosovë dhe Mihrije Beiqi, menaxhere për legjislacion në RTK rrëfejnë procesin i cili i la jashtë pozicioneve për të cilat u përzgjodhën.

Më 25 korrik 2021 Bordi i RTK-së i zgjedhur nga Kuvendi i Kosovës i dominuar nga Lëvizja Vetëvendosje kishte premtuar se RTK do të hyjë në një reformë të thellë, ku do të bëhet një riorganizim i plotë i transmetuesit publik.

Të dhënat tregojnë se riorganizimi u shoqërua me procese mjaft kontraverze të cilat i lanë jashtë pozicioneve udhëheqëse të RTK-së tri gra të cilat në konkurse ishin zgjedhur për të drejtuar në RTK. Ilire Zajmi, Mihrije Beiqi dhe Flora Durmishi u përzgjodhën në tri konkurse të ndryshme për të marrë pozicione udhëheqëse, por vendet e tyre i zunë kandidatët burra të cilët kishin më pak pikë në vlerësimet e komisioneve rekrutuese.

Këto dy gazetare dhe një juriste të cilat që nga themelimi i televizionit publik në 1999 punojnë në RTK, kanë rrëfyer për diskriminimin sistematik që kanë përjetuar kur kanë provuar të avancohen në pozita të menaxhmentit të lartë në 18 muajt e fundit.

Ambienti dekurajues, takime të dyshimta dhe presioni direkt për t`u tërhequr prej pozitave të larta për t’u lëshuar rrugë burrave është arsyeja që ato thonë që i ka penguar për t`u avancuar në karrierë në pozitat e larta që kanë aplikuar vitin e fundit.

Përkundër faktit që dolën të parat në garë kur aplikuan, Ilire Zajmi, Mihrije Beiqi dhe Flora Durmishi thonë s’u lejuan t’i marrin postet e menaxhmentit të lartë.

RTK, e përfaqësuar nga kryetar i bordit burrë, drejtori gjeneral burrë, drejtori i Televizionit burrë, drejtori i Radios burrë, drejtor i adminstratës burrë, i ka mohuar të gjitha këto akuza duke thënë që në RTK vlen meritokracia që gratë profesionale vazhdimisht inkurajohen dhe që në RTK mbizotëron meritokracia dhe në fakt janë mediat ato që i ‘frikësojnë’ gratë për të aplikuar në pozita të larta.

Kontaminimi i konkursit pas bisedës informative te Kryetari i Bordit të RTK-së 

Ilire Zajmi, përveç që ka karierrë 20 vjeçare si gazetare në RTK, ka botuar 10 libra dhe është anëtare e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës. Nëse e takon Ilire Zajmin, me sy shqiponje, ajo të lë përshtypjen e një gruaje të prerë, serioze deri në nivel që lëshon mrrola dhe duket që shumë rrallë është e disponuar për humor.

Zajmi, pas 15 vitesh në pozitën si Udhëheqëse e Qendrës për Aftësim Profesional në RTK në fund të vitit të kaluar vendosi të aplikojë për pozitën e zëvendës drejtorit të përgjithshëm në RTK. Kjo është pozita e dytë më e rëndësishme në hierarkinë e menaxhmentit të RTK-së.

Pozitën e saj e synonte Adi Krasta dhe Rilind Gërvalla donator i partisë në pushtet, LVV, dhe njeriu që më pas, me anë të një ankese, do kontribonte në prishjen e konkursit ku kandidoi Zajmi.

Ky proces, që u monitorua nga BIRN, e nxorri Ilire Zajmin të parën në listë. Komisioni vlerësues i RTK-së, i përbërë prej Arta Avdiut – kryetare e komisionit dhe Berjana Mustafës, Xhevdet Sfarqës, Zana Spahiut dhe Srboljub Kuziq – anëtarë, i dha asaj më shumë poena se dy burrave që u rreshtuan pas saj.

Arta Avdiu, kryetare e këtij komisionit  spjegoi për Kallxo.com se ajo e kishte ranguar Zajmin të parën në listë duke e vlerësuar me më shumë pikë duke u “..bazuar në përvojen e saj në RTK dhe duke marrë parasysh njohjen e gjuhëve te huaja që ajo i zoteron” tha Avdiu në një deklarim për kallxo.com.

Zajmi flet anglisht, italisht, turqisht, frengjisht dhe serbisht, përveç shqipes.  Ajo rrëfen entuziazmin që kishte për të aplikuar në këtë pozitë.

“Ishte hera e parë që po aplikoja në pozitë menaxheriale dhe kur dëgjova për rezultatet u ndiva që më në fund, erdh koha dikush ta vlerësojë punën dhe kontributin tim në RTK”, tha jo duke e përshkruar momentin kur kuptoi që rezultatet e intervistimit më 19 dhjetor 2022 e renditën të parën.

Por, ky entuziazëm nuk zgjati shumë. Të nesërmen atë e thërret në takim kryetari i Bordit të RTK-së, Besnik Boletini. Bordi i RTK-së kishte në kompetencë që rekomandimin e komisionit për këtë pozitë ta votonte në mbledhjen që do ta mbante në ditët në vijim, kjo pasi që zëvendës drejtori i RTK-së zgjidhet me votat e bordit.

“Kur poenat e fituara nga intervistimi më nxorrën mua të parën për atë pozitë më 19 dhjetor, Boletini (Kryetari i Bordit të RTK-së), një ditë më pas, më 20 dhjetor, më ftoi në takim dhe më thotë që ka “informacione që ky konkurs është i kontaminuar, ka pasur parregullësi, nuk është bërë vlerësimi si duhet nga ana e Komisionit”“, tha Zajmi duke e cituar Boletinin.

Zajmi thotë se kishte insistuar të di se për çfarë parregullësish bëhet fjalë, por Boletini nuk i kishte cek detajet.

Takimi ishte zhvilluar në ndërtesën më kryeneqe në Prishtinë, ndërtesën e Radio Kosovës që e ka antenën më të gjatë në qytet që duket sikur e mbikqyr gjithë Prishtinën.

Pas 50 minutave takim që Zajmi zhvilloi në këtë ndërtesë doli dhe kaloi jashtë, pranë posterit të ngjitur në këtë ndërtesë ku shkruan “Liria ka emër”. LIRIA e shkruar me të mëdha, nuk është shumë larg emrit të ILIRES. Por Ilires, e cila po e procesonte atë bisedë që sapo e kishte zhvilluar me kryetarin e Bordit, filloi t’i ngushtohej liria. Liria, sinonimi i emrit të saj, ishte grua vetëm në aspektin gramatikor. “Të lirë” për të marrë atë post që e synonte Zajmi ishin burrat që do e meritonin këtë pas saj, jo ajo.

Pas takimit që Boletini kishte me Zajmin ku e diskutoi “kontaminimin” e konkursit për  zëvendës drejtor të përgjithshëm RTK-së, i gjithë konkursi shkoi në rishqyrtim dhe intervistat për kandidatët e interesuar për të njëjtën pozitë u zhvilluan, nga i njejti komision, për herën e dytë. Kandidati që doli i treti me poena, Rilind Gërvalla paraqiti një ankesë dhe procesi u kthye në rivlerësim.

Besnik Boletini, që Kallxo.com-it i ka thënë që nuk përzihet në konkurse e rekrutime të RTK-së, nuk e mohon të ketë takuar Zajmin, por pretendon që nuk ka qenë iniciatori i takimit dhe ky paska qenë takim i rastësishëm.

“Unë gjatë punës në ambiente të punës në Radio, ku Bordi i ka zyret, apo në Televizion, kur shkoj kohë pas kohe për ndonjë takim pune, ose në byfe, rastis të takoj punëtorë të ndryshëm të cilët zakonisht insistojnë të flasim për hallet dhe problemet e punës së përditshme. Me zonjën Zajmi jemi takuar shpesh në ambiente të punës, pasi që është objekti i njëjtë i punës, i kemi zyret afër dhe zakonisht kemi folur për sfidat në mediat online, njësi të cilën ajo e ka udhëhequr për një kohë të konsiderueshme”, tha Boletini për Kallxo më 28 gusht.

Por Zajmi i ka treguar Kallxo.com-it dëshmi të korrespodencës së shkruar me Besnik Boletinin që e aranzhoi këtë takim. “Përshëndetje Ilire, A mund të takohemi nesër në ora 09:00, në radio?” thuhet në mesazhin që Zajmi e kishte pranuar me 20 dhjetor, në ora 20:01, nga Boletini.

Pra, ky nuk ishte takim i rastit por enkas i inicuar nga Boletini, i cili e kishte ftuar Zajmin në zyrën e tij, një ditë pasi që ishin mbajtur intervistat, në kohën kur administrata e RTK-së ende as nuk i kishte lajmëruar kandidatët për rezultatet e intervistimit për këtë pozitë.

Procesi i rekrutimit të atyre pozitave, nuk bëhet nga ne në Bord… E gjithë procedura bëhet nga menaxhmenti, ku krijohen komisione përzgjedhëse. Ajo çka ne po mundohemi të krijojmë, e që konsideroj që kemi pasur progres është një meritokraci, e ku zgjedhen më meritorët”, tha Boletini me 16 gusht për Kallxo kur u pyet lidhur me një rekrutim tjetër të menaxhmentit të lartë.

Kjo ishte teoria. Prakitka në rastin e Zajmit e dëshmonte të kundërtën.

Në ditën kur Boletini e thërret Zajmin në bisedë enkas për këtë konkurs, ankesat për konkursin për zëvëndesdrejtor ende nuk ishin bërë, madje as kandidatët në këtë proces nuk ishin njoftuar për poentimin e tyre zyrtarisht nga administrata e RTK-së.

Më 21 dhjetor 2022, Zajmi dhe Boletini e mbajnë bisedën e famshme informative në mëngjes ndërsa në të njejtën ditë në mbërmje, pas orës 16:00, administrata e RTK-së njoftoi për kandidatët për poenat e fituara dhe mundësinë e parashtrimit të ankesave eventuale.

Zajmi këtë takim e kupton si lojë që po zihej në atë mënyrë që ta diskualifikojnë atë nga gara.

“Paramendoni, intervistat për këtë pozitë u organizuan për herë të dytë, gjë që është komplet jashtë praktikës së deritanishme në RTK. Nuk kam pranuar të shkojë në intervistë për herë të dytë, sepse kjo ishte komplet jashtë rregullave”, thotë ajo.

“I shkrova administratës më 4 dhe 5 janar për të kërkuar sqarim se pse duhet të bëhen intervistat për herë të dytë kur kisha dal unë e para në intervistë, nuk mora përgjigje”, rrëfen ajo.

Arta Avdiu, kryetarja e komisionit të RTK-së e konfirmoi për Kallxo.com që intervistat për këtë konkurs u organizuan përsëri nga i njejti komision, pas ankesës që e bëri Rilind Gërvalla, gazetari i RTK-së dhe financuesi i VV-së. Kjo ankesë ia mundësoi Adi Krastës të zgjidhet zv. Drejtor i Përgjithshëm i RTK-së ndërsa Gervalla në konkursin e radhës zgjidhet drejtor i Televizionit. Kjo ngase Ilire Zajmi, që dul e para inicialisht, nuk pranoi të paraqitet në intervistën e dytë për konkursin e zëvendës drejtorit.

Gjithë kësaj çorbe që po zihej, sipas Zajmit, kishte filluar t’i vijë era prej momentit kur ishte ftuar në takim te Boletini.

“Kur të thërret kreu i institucionit tënd (Boletini) në takim dhe të thotë se “procesi është i kontaminuar“, pra procesi ku unë kisha dal fituese qenka ‘kontaminuar’, normal që unë këtë e kuptova si formë e presionit, dhe natyrisht nuk shkova në intervistën e dytë sepse ishte proces i jashtëligjshëm. Pse ta pranoja intervistimin për herë të dytë pa m`u treguar se çfarë shkelje ishin bërë herën e parë ku unë kisha dal e para”, tha Zajmi.

Për të sfiduar këtë padrejtësi Zajmi bëri ankesë në Komisionin e Ankesave në RTK. Ankesa e Ilire Zajmit u refuzua. Por ankesa e Rilind Gërvallës u pranua nga i njejti komision i ankesave.

Për Zajmin “kontaminimi” i këtij konkursi kishte filluar kur ajo ishte ftuar në takim për t’i bërë trysni.

“Pra, anëtarët e Bordit nuk ishte dashur të takohen fare me kandidatët në proces kur konkursi është i hapur sepse kjo është ndërhyrje, ndikim në proces rekrutimi”, tha Zajmi.

Boletini nuk e sheh këtë takim si presion.

“Znj. Zajmi as nuk e kam inkurajuar, e as dekurajuar për të marrë pjesë në ndonjë konkurs asnjëherë dhe në asnjë rrethanë. As nuk i kam thënë të hyjë në një garë as të tërhiqet nga ndonjë garë”, tha Boletini.

“Konkursi për pozitën e zv/drejtorit/es zhvillohet i gjithi në menaxhment, Bordi nuk merret fare me atë pjesë. Njëkohësisht Bordi nuk është shkallë ankimore që të merret me ankesat e kandidatëve. Të gjitha zhvillohen në menaxhment. Bordit i propozohet emri i kandidatit/es dhe pastaj votohet në mbledhjen e radhës”, vazhdoi ai.

Kapitulli i 19 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës ka paraparë disa nene që i kushtohen cenimit të të drejtave nga marrëdhënia e punës ku parashihen dënime me gjobë ose me burgim deri në dy vite.

Më saktësisht, neni 219 thotë Kushdo që ia mohon apo kufizon personave tjerë të drejtën në punësim në kushte të njëjta, ashtu siç është përcaktuar me ligj, dënohet me gjobë ose me burgim deri në dy (2) vjet.”

Por, Boletini e mohon të ketë interferuar në këtë punësim me bisedën e tij informative.

“Emri i znj. Zajmi nuk ka ardhur në Bord për votim, por i z. Adi Krastës. Kandidatët i kanë të gjitha mundësitë për t’u ankuar në komisionin e ankesave, por edhe në Inspektoratin e Punës. Procesi për të cilin ju po flisni ka përfunduar para 9 muajve. E kuptoj që kandidatët mund të jenë shpesh të pakënaqur, por në Bord për votim na propozohet vetëm një emër”, tha Boletini.

Pse Zajmi vendosi tash, pas 8 muajve të tregojë këtë ngjarje, e jo në momentin që kishte ndodhur? 

Ajo spjegon që ishte motivuar ta tregojë rrëfimin e saj pasi që e kishte lexuar deklaratën e Boletinit që u botua në Kallxo me 22 gusht 2023 ku ai thotë që gratë nuk duhen të frikësohen për të aplikuar në pozita të larta por duhet të inkurajohen.

Boletini, të cilin Kallxo e kishte pyetur në mes të gushtit se a kishte konflikt interesi kur ishte takuar me një kandidate tjetër në takim në kafe dhe pastaj ajo kishte dalur fituese në konkurs të hapur, ai përgjigjen kishte vendosur ta shtrojë në rrafsh gjinor.

“Hipoteza për të bërë lidhje të tilla mund të jetë dekurajuese dhe frikësuese për gratë, të cilat fatkeqësisht në shoqërinë tonë edhe përkundër përgatitjeve profesionale shpesh nuk pranohen në punë qoftë për shkak të stereotipeve gjinore, moshës, planifikimeve familjare apo diskriminimeve tjera. Këtë duhet ta luftojmë të gjithë”, tha ai për KALLXO.com në artikullin që u botua me 23 gusht.

Zajmi thotë se ishte dëshpruese me lexu një deklaratë të tillë nga kryetari i Bordit të RTK-së, sepse sipas saj kjo ishte teori, e në praktikë po ndodhte e kundërta.

“Gratë luftohen, diskriminohen dhe iu mohohet e drejta për të marrë pozita të larta udhëheqëse, qoftë edhe kur i fitojnë ligjshëm ato”, tha ajo për kallxo më 23 gusht 2023.

Ajo aplikoi edhe në një pozitë tjetër më vonë, në postin e Udhëheqëses së Mediave Online në RTK, pozitë ku ajo kishte qenë Ushtruese e Detyrës një vit e gjysëm. Ky komison përbëhej prej tre burrave: Rilind Gërvallës i cili ishte kundërkandidat i Zajmit në konkursin për zëvendës drejtor dhe kishte parqitur ankesë në atë konkurs, Arben Nushi, IT në RTK dhe Vlada Petroviq, që punon në produksion të RTK 2. Kur tre burra nuk e vlerësuan Zajmin, por një grua tjetër në këtë pozitë, këtë herë ajo e sfidoi RTK-në për shkelje në konkurs duke u ankuar në Inspektorat të Punës, IP.

Më 19 korrik të këtij viti, IP vendos që Ilire Zajmi kishte pasur të drejtë në shkeljet që i janë bërë. Për këto shkelje IP e gjobiti RTK-në me 1500 euro gjobë për padrejtësitë e bëra ndaj Zajmit në aplikimin për pozitën e Udhëheqëses së Mediave Online. Duke i përmendur disa shkelje, IP thotë që RTK, mes tjerash, kishte bërë diskriminim gjinor për shkak se komisioni vlerësues për këtë pozitë ishte i përbërë prej 3 burrave. Sipas rregullave, komisioni duhej minimum të kishte një grua.

RTK e ka ankimuar këtë vendim dhe IP pritet të merr vendim të shkallës së dytë.

Për Zajmin, tereni për avancimin e grave të RTK-së që kanë përvojë të gjatë në punë, mbetet rrugë plot me barriera.

“Nuk është e vërtetë që gratë në RTK inkurajohen të aplikojnë e avancohen. Unë kam përshtypjen e kundërt, që gratë që kanë bagazh profesional, dinjitet, përvojë pune dhe ego, diskriminohen e luftohen, unë e kam përjetuar këtë”, tha Zajmi për Kallxo më 21 gusht.

Ndërsa Boletini që e kishte ftuar Zajmin në takim për ta lajmëruar për “kontaminiminin” e konkursit thotë se gratë janë të lira të zgjedhen në pozita të menaxhmentit të lartë nëse vlerësohen më të mirat.

“Nëse më meritoret rezultojnë të jenë gra, atëherë kjo është e mirëseardhur që gratë me punën dhe përkushtimin e tyre kanë arritur që në tregun e punës të bëhen profesioniste dhe të fitojnë me meritë vendet e punës”, tha Boletini më 16 gusht 2023, duke ju referuar një posti tjetër në menaxhment të lartë, kur nuk e kishte fjalën për Ilire Zajmin.

“Prandaj ajo çka duhet të vlerësohet është biografia profesionale, përformanca në test apo intervistë, se sa e meriton një kandidat/e vendin e punës. Qëllimi bazë i yni është vendosja e meritokracisë”, tha Boletini më 16 gusht.

Ikonën e radios që nuk e “dashti bordi” pa kallxu pse? 

Hulumtimi zbulon se meritokracia të cilën Boletini e promovon, ka probleme edhe në rastin e Flora Durmishit. Ende pa nis procesi i rekrutimit kandidatët kishin marrë mesazhe se kush janë të preferuarit e bordit.

Dëshmitë tregojnë se në nisje të konkursit, Flora Durmishi kishte marrë një mesazh problematik i cili në fund doli të jetë i saktë. “Florë Bordi nuk të do” kishte qenë mesazhi që ajo e morri para aplikimit.

Hulumtimi tregon që, në fund, Durmishi, edhe pse më e vlerësuara, nuk u votua nga bordi. Nuk dihet saktë se si kishte arritur përquesi i mesazhit ta kuptonte në nisje të konkursit se bordi nuk e dëshironte Durmishin në këtë pozicion.

Televizioni i Burrave të Kosovës – Menaxhmenti i lartë i RTK-së dhe dy gazetaret dhe juristja që u refuzuan për pozitat e larta | Grafika: Diar Vuçetaj/KALLXO.com

Flora Durmishi është gazetare që nga 1978 dhe zëri i parë radiofonik që u dëgjua në radion e parë të pasluftës, Radio Blu Sky në 1999, kur shqiptarët kthehen në punë në media pas përjashtimit masiv që u ishte bërë nga Radio-televizioni publik në të 90-at prej masave të dhunshme të Millosheviqit.

Sot ajo është redaktore e redaksisë së kulturës. Kjo është një grua që rrezaton elegancë e mirësjellje. Rri vazhdimisht e buzëqeshur duke mos treguar asnjë nervozë as lodhje përkundër faktit që është duke e bërë këtë punë si gazetare tani e 45 vjet.

Ajo kandidoi për pozitën Drejtor i Radios në fund të vitit 2022. Durmishi u caktua UD drejtoreshë e radios në shkurt 2022 dhe kur kësaj pozite i skadoi mandati si ushtryes detyre (UD) dhe u hap konkursi për pozitën e Drejtorit të Radios.

“Edhe pse drejtori gjeneral i RTK-së (Ahmetxhekaj) më tha ‘Florë mos kandido sepse nuk të do Bordi’, unë prapë se prap konkurova për drejtor sepse deshta t`u jap shembuj grave më të reja që nëse je e mirë në punën tënde, ti e dëshmon dhe s’ka çka të ndal, shtyhesh në garë edhe me të jashtëm edhe me të brendshëm dhe në fund fiton ma i miri (qoftë grua apo burrë). Mu pse je grua duhesh të fitosh dinjitetshëm në garë dhe doja të isha shembull i kësaj”, fillon Durmishi rrëfimin e saj.

KALLXO.com e ka konfirmuar me Ahmexhekajn faktin se biseda e tillë me Durmishin kishte ndodhur.

“… në bisedë miqësore, i jam referuar faktit se Bordi e kishte refuzuar një bashkëpunëtor timin të cilin e konsideroja të rëndësishëm për ekipin tim. Kjo thjeshtë për të ilustruar raportin Drejtor i Përgjithshëm – Bord dhe për të dëshmuar se në procese të tilla nuk mund të ofrohet siguri paraprake”, tha Ahmetxhekaj, kur u pyet se a ka thënë që ‘Bordi nuk e do Durmishin’.

“Në fazën e konkurseve kandidatët kërkojnë siguri se do të dalin fitues, por një gjë të tillë unë nuk mund t`ia ofroj askujt, pasi pos që do të ishte kurdisje, njëkohësisht nuk është çështje e vullnetit tim. Vendimarrja në Bord është çështje e ndarë që i takon anëtarëve të Bordit”, shtoi Ahmetxhekaj për Kallxo.

Edhe pse pati mesazhe që “Bordi nuk e do” një komision profesionistësh e listoi Durmishin si kandidaten më të përgaditur për pozicionin e drejtorit të radios.

Në konkrusin për Drejtor të Radios që u zhvillua në tetor 2022, proces ky që Kallxo e monitoroi, Durmishi ka 22 pikë më shumë se kundërkandidati i saj.

Rezultatet tregojnë se Durmishi shënoi 88.4 pikë, Pajazit Krasniqi 60.2 dhe Blerim Sopi 56.4 pikë.

Vlerësimi u dha nga komisioni që përbëhej nga Ariana Palllata, Haki Kikaj, Zylfije Jakupi, Florije Bublaku dhe Selami Selimi, të gjithë punëtorë në RTK.

Sipas procedurës drejtori Ahmetxhekaj e propozoi Durmishin për tu zgjedhur.

Me 13 tetor mesazhet që ishin thënë në fillim që “Bordi nuk të do” u jetësuan. Pa asnjë arsyetimi 5 antarë të bordit votuan kundër që kandidatja më e vlerësuar të emërohet në pozitën menaxheriale.

“Kanë qenë katër kandidatë, tre janë kualifikuar për fazën finale. Në bazë të rezultatit të vlerësimit, Flora Durmishi ka marrë vlerësimin maksimal. Ka qenë ushtruese e detyrës si drejtoreshë e Radios për gjashtë muaj”, kishte thënë Ahmetxhekaj në mbledhjen e 13 tetorit 2022.

Por mesazhi i Ahmetxhekajt u mbivotua nga bordi.

Besnik Boletini, Arta Berisha, Fatime Lumi-Qehaja, Albulena Mehmeti dhe Driton Hetemi me fuqinë e votës nuk miratuan propozimin e komisionit dhe drejtorit të RTK-së.

Në mbledhje ishin kërkuar sqarime për arsyet pse ishin këto vota kundër.

Shukrije Rama, anëtare e Bordit të RTK-së, atë ditë e vazhdoi diskutimin duke e treguar se Durmishi është “ikonë të radios” kërkoi sqarime për këtë vendim. Përgjigjen nuk e mori kurrë.

Për çudi, konkursi ku Ilire Zajmi ishte diskriminuar ishte ripërsëritur vetëm për faktin se antarët e komisionit nuk i kishin arsyetuar siç duhet pikët që i kishin dhënë. Standardi i kërkuar nga komisioni vlerësues nuk u zbatua nga bordi i të njejtës shtëpi.

“…nuk t`jap ty arsyetim se për çka votoj pro ose kundër, këtë ma mundëson ligji që anëtari i Bordit voton pro ose kundër” – kishte deklarur Fatime Lumi- Qehaja, anëtare e Bordit të RTK-së në mbledhjen e 13 tetorit 2022, pasi ishte pyetur nga Shukrije Rama, anëtarja tjetër e Bordit se pse nuk e kishte votuar Durmishin..

Të njëjtat anëtare, duke përfshirë edhe burrat, kur u pyetën 8 muaj pas nga Kallxo.com përkatëisht më 22 gusht 2023, se pse nuk e kishin votuar Durmishin, qëndran të heshtur.

Boletini, lidhur me këtë çështje vetëm e ritheksoi që prapë nuk do t’i tregonte arsyet se pse nuk e kishte votuar Durmishin.

“Secili anëtar i Bordit voton sipas bindjeve të tij/saj për secilën çështje apo proces dhe as unë si kryetar nuk kam të drejtë që t’u kërkoj shpjegime apo arsyetime pse kanë votuar në një mënyrë të caktuar”, tha Boletini, i cili edhe vet nuk e kishte votuar as Durmishin.

Më vonë, kur u ripërsërit konkursi për Drejtor të Radios, shumica prej këtyre grave e burrave e votuan për këtë pozitë një burrë me B të madhe. E votuan Arsim Halilin, gazetar në RTK të cilin në vitin 2016 Komisioni Disiplinor i RTK-së e kishte dënuar për gjuhën e tij homofobike, që ishte konstatuar si gjuhë homofobe edhe nga Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës, KMSHK.

Gratë kundër grave

Durimishi e spjegon se qëllimi i saj nuk ishte të përkrahet nga bordi “për shkak kuotës gjinore, por për shkak të profesionalizmit tim dhe pasi kam dal e para jam befasuar e dëshpruar që jo vetëm burrat (Besnik Boletini dhe Driton Hetemi), por edhe tri gratë e Bordit të RTK-së (Arta Berisha, nënkryetare e Bordit të RTK-së, Albulena Mehmeti dhe Fatime Lumi) vendosën, pa kurfarë arsyetimi, të mos më votojnë për drejtor”.

Ajo thotë se ka vendosur tash të flasë për këtë çështje sepse është e interesuar që asnjë prej vendimmarrësve që i kanë qit grave pengesa në avancimin e tyre në karierë në RTK, të mos thirren edhe më tutje në demagogjinë që në RTK gratë profesioniste inkurajohen.

“Unë jam dekurajuar, e jo inkurajuar në avancim. Pra mos të thirren që po e bëjnë këtë apo atë punë për t’i inkurajuar gratë, në fakt e kundërta ka ndodhur prej asaj që kemi parë deri tash. Unë po flas me shpresë që ky ambient dekurajues do të ndërrojë për gjenerata të ardhshme” – tha Durmishi me 22 gusht (2023) për Kallxo.

Durmishi, të cilën Bordi i RTK-së nuk e votoi për ta marrë pozitën e Drejtorit të Radios, përfundoi duke e bërë këtë punë edhe për 9 muaj të tjerë, periudhë gjatë së cilës Bordi s’gjente drejtor që “e donte” për Radion e Kosovës.

“Ata nuk më zgjodhën drejtoreshë mua, por ma besuan pozitën UD kryeredaktor, ndërsa unë vazhdoja të kryeja punën edhe të drejtorit, të kryeredaktorit dhe të redaktorit përgjegjës të programit derisa ata gjetën dike që ‘e donin’”, thotë Durmishi e papërtueshme.

Juristja që e paditi RTK-në për diskriminim gjionor

Mihrije Beiqi nuk është gazetare por juriste që u punësua në Radio-televizionin publik në nëntor 2001 si asistente administrative. Prej atëherë vazhdoi të ngritej në karierë duke shërbyer si menaxhere e Burimeve Njerëzore dhe Administratës prej 2005-2013. Sot ajo është menaxhere për legjislacion të medias në Departmentin për Zhvillim dhe Strategji në RTK.

Kur u zgjodh bordi dhe menaxhmenti i ri në fund të 2021-ës, Mihrijes ju krijua përshtypja që me barazinë gjinore në Bord të RTK-së po fillonte një kapitull i ri në RTK. Ajo shpresoi që së paku njëra prej 4 pozitave më të larta menaxheriale në RTK do t’i takonte një gruaje që i përmbush kriteret.

Pozita më e lartë administrative në RTK është posti i Udhëheqësit të Shërbimeve të Përbashkëta që mbikqyr gjithë administratën dhe është pozita e katërt më e rëndësishme në RTK.

Kur doli konkursi për këtë pozitë më 29 korrik të vitit të kaluar Beiqi doli e para në garë në konkurs të hapur për kandidatë nga jashtë, jo vetëm nga brenda në RTK. Beiqi shënoi pikët maksimale, 88.6 pikë. Si në rastin e Durmishit, edhe në garën me Beiqin burrat u radhitën më poshtë, Naser Thaqi me 70.2 pikë dhe Faton Mehmetaj me 41.8 pikë.

Anëtarët e Komisionit që i vlerësuan këta tre kandidatë përmes intervistës ishin Ilire Zajmi, Hyrë Tejeci, Erdoan Mikullovci, Mirjana Radovanoviq dhe Besar Krasniqi.

“Drejtori i Përgjithshëm (Ahmetxhekaj) u pajtua me vlerësimin profesional të komisionit që më renditën të parën. Emri im u dërgua në Bord dhe Bordi i ri i RTK-së i më dha vetëm një votë dhe asnjëherë nuk më dhanë një vendim me arsyetim se pse nuk më votuan”, tha Beiqi.

Kallxo e ka parë vendimin e Bordit të RTK-së të nënshkruar më 25 gusht 2022 në të cilin theksohet vetëm që “Bordi i RTK-së me 1 votë për dhe 8 kundër nuk e miraton propozimin e drejtorit të përgjithshëm të RTK-së për emërimin e znj. Mihrije Beiqit në pozitën e udhëheqëses së shërbimeve të përbashkëta në RTK”.

Në këtë vendim nuk ipet kurrfarë arsyetimi.

Beiqi pas kësaj përpiloi një padi zyrtare për diskriminimin që i është bërë, padi të cilën ajo e ka dorëzuar në Gjykatën Themelore të Prishtinës në fund të vitit 2022.

Në padi, Beiqi akuzon RTK-në që pa dhënë asnjë arsyetim se pse nuk e ka përzgjedhur atë për pozitën e Udhëheqësit të Shërbimeve të Përbashkëta, pa iu përgjigjur ankesës së saj me shkrim, pa i dhënë epilog këtij konkursi, e rihap konkursin për herë të dytë për të njëjtën pozitë. Beiqi në këtë padi i përmend tri vendime lidhur me burrat e RTK-së në të cilat Bordi jep arsyetime të detajuara për vendimet e tyre dhe i publikon në faqen e vet zyrtare, ndërsa për Beiqin kjo nuk ndodh.

“Me këto veprime RTK ka diskriminuar kandidaten në të gjitha aspektet”, thuhet në padinë e Beiqit.

“Duke mos e pajisur me vendim me shkrim, kandidates i është shkelur e drejta e garantuar ligjore për t`u njohur me arsyetimin e vendimit dhe për ushtrimin e mjeteve juridike, brenda afatit të paraparë, duke e diskriminuar e diskredituar dhe shkaktuar dëm moral, profesional dhe pengesë në ngritje në pozitë më të lartë menaxhuese”, thuhet tutje në padinë e Beiqit ndaj RTK-së.

Në padi tutje pretendohet se: “Bordi nuk ishte transparent edhe pse ka obligim ligjor për një gjë të tillë, as në rastin e mos emërimit të saj por as në rastin e emërimit të personit tjetër, e që forcon bindjen se qëllimi i vetëm ka qenë emërimi i një personi me preferenca të tyre personale dhe gjinore, e jo në bazë të kushteve dhe kritereve të kërkuara me konkurs dhe meritokraci”.

Paditë për raste të shkeljeve në punë në Kosovë zgjasin vite të tëra kur llogaritet që shumica e lëndëve zvarriten së pari në Gjykatë Themelore e pastaj në Apel.

Derisa pret ndonjë reagim nga gjykata, Beiqi e definon atë që i ka ndodhur asaj në këtë konkurs si kurdisje.

Ajo thotë që në rastin e saj ajo është e bindur që konkursi ka qenë “i kurdisur”, sepse është një konkurs që “nuk ka marr epilog, pa u anuluar ai është shpallur konkursi tjetër për të njëjtën pozitë, janë zhvilluar procedurat tjera në shpejtësi për të zgjedhur në atë post një burrë që ka punuar në Ministri të Financave”, thotë Beiqi.

“Pra me vetëdije e kanë diskriminuar një grua të kualifikuar brenda RTK-së që ka dal e para në konkursin e parë, në favor të një burri për të cilin hapet konkursi për herë të dytë e i cili nuk e ka përvojën time menaxheriale”, theksoi Beiqi.

Kallxo.com ka kërkuar nga RTK më 25 gusht 2023 qasje në të dhënat e këtij konkursi dhe në CV-në e Alban Fetahut, për të vërtetuar përvojën e tij menaxheriale, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka pranuar përgjigje. Kur Beiqi nuk u zgjodh në këtë pozitë, konkursi për Udhëheqës të Shërbimeve të Përbashkëta u hap përsëri dhe këtë post e mori Alban Fetahu, që kishte punuar në Ministri të Financave dhe të cilit Beiqi po ja konteston përvojën menaxheriale sot e kësaj dite.

Fetahut as nuk e ka mohuar e as nuk e ka pohuar këtë pretendim të Beiqit kur ju dërguan pytjet me 25 gusht për t’ia dhënë mundësinë që të dëshmojë përvojën e tij menaxheriale që do të duhej ta kishte për të marrë postin më të rëndësishëm administrativ në RTK.

Beiqi thotë se: “Unë si juriste e diplomuar në UP dhe me përvojë menaxheriale 17 vjeçare jam diskriminuar edhe në baza arsimore e gjinore duke u përjashtuar nga pozita në të cilën kam dal e para në garë nga komisioni vlerësues, për t’i bërë vend që këtë pozitë ta zë një burrë me përvojë menaxheriale më të ulët se unë por që ka ardh nga qeveria për t`u punësuar në media”, tha Beiqi.

“Na votojmë qysh dojmë” arsyetohet Boletini, kryetari i Bordit në Kuvend

Një element i përbashkët i bisedës që Kallxo.com ka pasur me këto tri gra është që të trija e kanë përcjellur me vëmendje udhëheqësinë e RTK-së se si po sillen kur po japin llogari te institucioni që e mbikëqyr RTK-në, Kuvendi i Kosovës.

Në komisionet ku raporton RTK-ja ato kishin shpresuar që do të marrin vesh më shumë rreth mentalitetit dhe politikës së Bordit të RTK-së për të kuptuar se pse ishin marrrë vendimet për to, që ato i konsideronin tërësisht të padrejta e diskriminuese.

Në njërën prej këtyre seancave llogaridhënëse para komisioneve parlamentare, Beiqi e dëgjon Boletinin duke ju përgjegjur një pyetje të deputetit insistues që e pyet Boletinin se pse nuk i ka votuar kandidatët që kanë dal të parat në konkursin e organizuar nga RTK.

“E dëgjova Boletinin i cili iu përgjigj deputetit ‘na votojmë qysh dojmë, kandidatët e pakënaqur le t’i drejtohen gjykatës’ – aty m’ka irritu shumë”, thotë Beiqi e dëshpruar.

Kjo polemikë në Kuvendin e Kosovës kishte ndodhur me 28 tetor 2022 kur Eman Rrahmani dhe Visar Korenica, deputetët e Vetëvendosjes, e konfrontuan Boletinin me faktin që Bordi nuk kishte dhënë asnjë arsye, as me shkrim as me gojë, se pse nuk e kishte votuar Durmishin që Komisioni profesional i RTK-së e kishte ranguar të parën.

Boletini tha që ai votimin e bënte sipas bindjeve të tij. Eman Rrahmani insistoi që bindjet do të mund të ishin paragjykuese andaj duhet të ekzistojë një proces në të cilën kandidati që është ranguar më së larti nga komisioni vlerësues, të jetë i informuar se pse nuk po votohet nga bordi sepse kjo do të ishte e drejtë tl cilën çdo kandidat, i mirë a i keq, e meritonte. Si shembull të kësaj Rrahmani e përmendi faktin që edhe vetë ai Boletini ishte votuar për anëtarë të bordit bazuar në rangimin që e kishte pasur në intervistim, jo sipas “bindjeve” të deputetëve.

“Për secilin vendim si Bord, duheni me pas arsyeshmëri të vendimeve dhe të dokumentoni. (Të shkruani) një përshkrim se cilat janë ato të këqija (të kandidatit) në CV, të thuani se a ka pasur CV të keqe apo çka?”, tha Eman Rrahmani, anëtar i Komisionit për buxhet dhe financa nga rradhët e VV. Kjo çasje u përkrah edhe nga Visar Korenica, anëtarë dhe Armend Muja, kryetar i komisionit parlamentar për buxhet dhe financa.

Përkundër faktit që tre deputet ja kërkuan arsyetimin për Durmishin, Boletini refuzoi t’i jepte arsye edhe deputetëve që i zgjedhin anëtarët e Bordit të RTK-së.

Në konfrontim e sipër ai tha se: “absolutisht nuk japim asnjë lloj përgjegjësie për votën tonë nëse nuk kemi besim te një profesionist, te një kandidat që ka ardh për m`u emëru në një pozicion të caktum”.

“Kandidatët e kanë të drejtën e ankesës, me i shfrytëzu krejt mekanizmat ligjor… nuk jap llogari se qysh votoj në Bord. Ti je duke kërku llogari… Arsyeshmërinë le ta kërkojnë në gjykatë”, përfundoi Boletini.

Ky konfrontim do të ngulitej në kujtesën e Beiqit që ishte ranguar e para në konkurs e nuk ishte votuar në Bord, edhepse në komision nuk u diksutua për rastin e saj por për Durmishin.

Për Beiqin, rekomandmi që ata që s’votohen ‘le të shkojnë në gjykatë’ ishte cinik për shkak kontestet e punës në gjykatë zvarriten deri në atë masë sa palët mund të dalin në pension derisa tu vjen rradha të shqyrtohet rasti i tyre.

“Deklarata e Besnik Boletinit në Komision parlamentar që kandidatët nuk i kemi votu se ne votojmë qysh kemi qef, është presion, diskriminim, shantazh për të gjitha gratë që kanë apliku në konkurse të RTK-së, sidmos për neve gratë që punojmë brenda RTK-së”, tha Beiqi.

E lidhur me deklaratën e Boletinit që e tha me 23 gusht 2023 për Kallxo, që gratë në RTK nuk duhet të frikësohen por të inkurajohen, Beiqi thotë: “Është deklaratë cinike sepse kandidatët po zgjedhen varësisht prej preferencave të personave që janë të afërt me Bordin para se të rekrutohen në RTK, kjo po shihet sepse në (RTK) kemi një menaxhment puro mashkullor sot e kësaj dite”, thotë Beiqi.

“Absolutisht nuk është e vërtetë që gratë po inkurajohen në RTK, nuk ka kushte të barabarta, asnjë gram nuk ndihmohen gratë në RTK. Sidomos jo ato gra që kanë kompetencë profesionale e dinjitet. Praktika tregon që ato janë mënjanu edhe kur kanë qenë kandiate larg më të mira se kandidatët tjerë qoftë ata kandidatë burra, qoftë gra që kanë ardhur nga jashtë RTK-së”, përfundoi Beiqi.

RTK: Tetë gra i kemi përzgjedhur për të udhëhequr gjatë këtij viti

Lidhur me kritikat që në RTK ka diskriminim gjinor dhe anashkalohen sidomos gratë me përvojë, Ahmetxhekaj tha se: “Më lejoni të ju informoj se gjatë këtij viti, në 5 konkurse të brendshme për pozita udhëheqëse, në 4 prej tyre janë përzgjedhur gra, pra që të gjitha kanë qenë pjesë e RTK-së: Udhëheqëse në Zyrë Ligjore, Marketing, Media Online dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare”, tha Ahmetxhekaj më 21 gusht (2023).

Të gjitha këto pozita janë pozita më të ulëta se ato në të cilat kandiduan Zajmi, Durimishi e Beiqi.

“Deri më tash kemi pasur 3 ushtruese të detyrës së kryredaktoreve në RTK1, 3 dhe në dy kanalet e Radio Kosovës; dhe u.d në Financa si dhe në Administratë dhe Burime Njerëzore”, shtoi Ahmetxhekaj.

Arta Avdiu në RTK që u thirr për t`u bërë Ushtryese e Detyrës si Drejtor Televizioni në RTK prej shtatorit 2022 deri në mars sivjet kur u përzgjodh një burrë në atë pozitë, (Rilind Gërvalla) i tha Kallxo.com që nuk ka inkurajim të grave për t`u avancuar në RTK.

“Ne mbledhjen e fundit te menaxhmentit qe ishte diku rreth muajit maj ku isha prezente, e bëra një koment para të gjithëve duke thënë se kemi një “Macho menaxhment”. Që në fillim të ushtrimit të detyres sime si drejtoreshë, në një rast drejtori i Pergjithshëm, Ahmetxhekaj, pati deklaruar se gjatë menaxhimit të tij në krye të RTK-se do të ketë më shumë gra në menaxhment. Fatkeqësisht ajo nuk ndodhi”, tha Avdiu.

Gjatë 5 muajve që ajo kishte funksionuar si drejtor televizioni tha që kishte vërejtur që “…gratë definitvisht mundohen më shumë se burrat por, ja që, sikur në shoqerinë tonë, edhe në RTK, nuk po avansohen” tha Avdiu për Kallxo.com-in me 31 gusht.

Të gjithë burrat që sot udhëheqin me RTK në menaxhment të lartë, i kanë nxënë këto pozita afatgjatë dhe do t’i ushtrojnë këto poste për mesatarisht 3-4 vitet e ardhshme. Kjo nënkupton që vendet për gratë në menaxhment të lartë janë krejtësisht të uzurpuara nga burrat për një mandat të plotë e të rrastë. Kjo vlen për të gjithë përveç për Besnik Boletinin, kryetarin e Bordit të RTK-së të cilit i kalon mandati në dhjetor 2023, me ç’rast parlamenti ka të drejt t’ja vazhdojë mandatin apo të zgjedh tjetërkend në vend të tij.

Hulumtimi është redaktuar nga Kreshnik Gashi, ndërsa redaktimi ligjor është bërë nga Labinot Leposhtica.