Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Konkursi i dyshimtë në RTK: Afërsia e anëtarëve të bordit me kandidaten e përzgjedhur

Teuta Haxhimusa-Çerkini është rrugës për t’u punësuar në Radiotelevizionin e Kosovës (RTK) në pozitën “udhëheqëse e administratës dhe burimeve njerëzore”. Nëse nuk ka ankesa, ajo pritet të fillojë punën në shtator.

Kandidatja që ka rezultuar më e suksesshme se 23 kandidatë të tjerë që kanë aplikuar në konkursin për këtë pozitë e ka pranuar se njihet me anëtarin e bordit të RTK-së, Driton Hetemi.

KALLXO.com e ka siguruar edhe një fotografi, e cila është realizuar vitin e kaluar, në të cilën shihet Teuta Haxhimusa-Çerkini, së bashku me Besnik Boletinin, kryetar i bordit të RTK-së dhe Driton Hetemin, anëtar i bordit të RTK-së në një lokal te kompleksi “Qafa’ në Prishtinë.

Boletini e Hetemi e kanë konfirmuar për KALLXO.com takimin me kandidaten që është rrugës për punësim në RTK vetëm disa muaj pas atij takimi. Të dy kanë thënë se në takim nuk është folur për mundësinë e punësimit të saj në RTK.

KALLXO.com ka kontaktuar me kandidaten Haxhimusa-Çerkini. Ajo ka thënë se Driton Hetemi, anëtari i bordit, ishte sebep i takimit pasi me të njihet.

Dritonin e njoh si profesionist, ndërsa Besnik Boletinin nuk e kam në rrjetin tim profesional” – ka thënë ajo.

Edhe pse konkursi në të cilin ajo ka rezultuar e suksesshmja është hapur disa muaj pas këtij takimi me dy anëtarët e bordit të RTK-së, Haxhimusa-Çerkini thotë se në takim nuk është folur për konkurs.

“Mund ta kem takuar rastësisht, së bashku me Dritonin, por assesi biseda jonë nuk është zhvillur rreth asaj që ju po aludoni. As koha e takimit, viti i kaluar, nuk përkon me kohën e konkursit në fjalë” – tha ajo për KALLXO.com.

Edhe anëtari i bordit të RTK-së, Driton Hetemi, e ka pranuar se e njeh prej kohësh kandidaten që është rrugës për t’u punësuar në RTK.

“E njoh moti si eksperte të burimeve njerëzore” – ka thënë Hetemi kur është pyetur për kandidaten Teuta Haxhimusa-Çerkini.

Ai thotë se takimi me të ishte rastësor.

“Nëse nuk gaboj e kam takuar vitin e kaluar, e kam konsultuar për çështje të sektorit që i përkas po për RTK nuk është që kena folë. Teuta është goxha eksperte, punon që 25-26 vjet në burime njerëzore. Teutën ndoshta e kam taku tërë jetën 3-4 herë, nuk kemi relacion të afërt ne. Ai takimi te “Qafa” ka qenë rastësor, nuk kena diskutu për RTK. Besniku nuk e njeh Teutën. Kur kam qenë në takim me Besnikun, Teuta na është bashkuar”- tha Hetemi për KALLXO.com.

Kryetari i bordit të RTK-së, Besnik Boletini, kur është pyetur se a paraqet ndërhyrje dhe konflikt interesi takimi i tij si kryetar bordi dhe i anëtarit tjetër të bordit me kandidaten që më pas del të jetë më e suksesshmja, ka thënë se një hipotezë e tillë është “dekurajuese dhe frikësuese për gratë”.  

“Hipoteza për të bërë lidhje të tilla mund të jetë dekurajuese dhe frikësuese për gratë, të cilat fatkeqësisht në shoqërinë tonë edhe përkundër përgatitjeve profesionale shpesh nuk pranohen në punë qoftë për shkak të stereotipeve gjinore, moshës, planifikimeve familjare apo diskriminimeve tjera. Këtë duhet ta luftojmë të gjithë” – tha ai për KALLXO.com në një përgjigje përmes email-it.

Edhe kandidatja Haxhimusa-Çerkini kur është pyetur për takimin që kishte me dy anëtarë të bordit dhe më pas punësimin e saj ka folur për rëndësinë që në këtë pozitë është pranuar një grua.

“Është shqetësuese se si konkurrimin tim dhe përzgjedhjen time meritokratike, që rezulton nga një biografi e përgatitje profesionale gati 2 dekada e gjysmë aludoni ta reduktoni në diçka kaq triviale dhe tendencioze. Unë isha e vetmja kandidate femër në garë me dy kandidatë meshkuj. Ka femra profesionale në Kosovë që mund të arrijnë t’i marrin rolet udhëheqëse me meritë. Të tilla femra duhet inkurajuar. Nga këto femra nuk duhet frikësuar kushdo që frikësohet”- thuhet në përgjigjen e Haxhimusa-Çerkinit për KALLXO.com.

Në fakt, Haxhimusa-Çerkini nuk ishte e vetmja kandidate grua për këtë pozitë. 

Drejtori i përgjithshëm i RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj, e konfirmoi që për këtë pozitë kanë aplikuar 24 kandidatë, prej të cilëve më shumë ishin gra se burra. 

“Prej 24 kandidatëve 15 ishin të gjinisë femërore dhe 9 të gjinisë mashkullore” – tha Ahmetxhekaj për KALLXO.com më 23 gusht 2023.

Ahmetxhekaj ka thënë se nuk ka pasur ndikim nga anëtarët e bordit për kandidaten e përzgjedhur.

“Nuk ka pasur ndikim dhe as presion nga askush. Komisioni vlerësues është emëruar nga ana ime dhe ka vepruar i pavarur” – tha Ahmetxhekaj.

Komisioni vlerësues për këtë pozitë ishte në përbërje të tre anëtarëve: Arsim Halili, drejtor i Radios dhe Alban Fetahu, drejtor i Shërbimeve të Përbashkëta dhe Dzevahira Kolenovic, gazetare në RTK. 

Drejtori i përgjithshëm i RTK-së ka thënë se konkursi për zgjedhjen e udhëheqëses së administratës dhe burimeve njerëzore është në fazën e ankesave.

“Testimi me shkrim dhe intervistimi për konkursin të cilit po i referoheni ka përfunduar dhe tani jemi në periudhën e afatit të ankesave. Në rast se nuk ka kandidatë që ankohen, atëherë bëhet nënshkrimi i kontratës me kandidaten më të suksesshme” – shtoi Ahmetxhekaj në përgjigjen e tij për KALLXO.com më 16 gusht.