Ilustrim

Muzeu i Gjenocidit, reprizë e premtimeve të parealizuara

Themelimi i Muzeut të Gjenocidit apo të krimeve të luftës, ende mbetet vetëm një reprizë e premtimeve të shumta të parealizuara nga institucionet shtetërore.

Fillimisht, premtimin për krijimin e një muzeu të tillë e kishte bërë në vitin 2020 ish- kryeprlamentari i atëhershëm, Kadri Veseli. Ndërsa në qershor të 2023, Qeveria e Kosovës themeloi një grup punues për themelimin e Muzeut për dokumentimin dhe prezantimin e krimeve të ish- Jugosllavisë dhe Serbisë ndaj shqiptarëve në Kosovë.

Por, deri më sot, institucionet, veçanërisht Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) nuk kanë treguar për hapat e bërë drejtë themelimit të Muzeut të Gjenocidit, apo Muzeut për dokumentimin dhe prezantimin e krimeve të ish- Jugosllavisë dhe Serbisë ndaj shqiptarëve në Kosovë, siç ishte emërtuar nga Qeveria vitin e kaluar (07.06.2023).

Qindra masakra ndaj civilëve dhe krime tjera të rënda janë kryer gjatë luftës së Kosovës nga forcat serbe. Masakrat më mëdha dhe më të rënda të kryera mbi popullatën civile nga forcat ushtarake serbe u kryen pas fillimit të bombardimeve të NATO-s në mars të 1999, e deri në qershor të atij viti; sikurse në Krushë, në Mejë, Poklek, Podujevë, e në shumë vende tjera anë e mbanë Kosovës.

Rrëfimet për këto masakra, por edhe nderimi i viktimave të pafajshme dhe i të mbijetuarve planifikohej të tregohej përmes Muzeut të Gjenocidit, por diçka e tillë mbetet ende vetëm në suaza të premtimeve.

Koncepti për muzeun

Në një përgjigje për KALLXO.com, MKRS thotë se Grupi punues është në fazën përfundimtare të realizimit të koncept- dokumentit për muzeun e krimeve dhe së shpejti pritet që atë t’ia dorëzojë Qeverisë.

Kurse, mbledhësit e fakteve dhe dëshmive për krimet e luftës dhe historianët thonë se Kosova po shkon drejtë dështimit të krijimit të memories kolektive për të kaluarën, veçanërisht dëshmimin e krimeve të luftës. Me mosthemelimin e Muzeut të Gjenocidit, sipas tyre, opinion publik, sidomos ai ndërkombëtar e ka të vështirë, për të mos thënë të pamundur, të informohen mbi shkallën e gjenocidit që u krye nga forca ushtarake serbe gjatë viteve 1998-1999.

MKRS thotë se grupi punues përbëhet nga përfaqësues të institucioneve të nivelit qendror, akademikë e profesionistë.

“Grupi punues gjithëpërfshirës, ka për mandat hartimin e konceptit, i cili do të shërbejë si bazë drejt themelimit të Institucionit Muzeor i cili do të bëj dokumentimin dhe prezantimin e krimeve të ish-Jugosllavisë dhe të Serbisë ndaj shqiptarëve në Kosovë. Aktualisht ky grup punues është në fazën përfundimtare të realizimit të këtij koncepti dhe së shpejti pritet ta dorëzojnë në Qeverinë e Kosovës”- thuhet në përgjigjen e MKRS për KALLXO.com.

Drejt dështimit të ndërtimit të memories kolektive

Bekim Blakaj, drejtor ekzekutiv në Fondin për të Drejtën Humanitare në Kosovë, thotë për KALLXO.com se mosthemelimi i Muzeut të Gjenocidit flet për dështimin e ndërtimit të memories kolektive mbi të kaluarën tonë.

“Pasojat janë të shumta me mosthemelimin e Muzeut të Gjenocidit. Së pari është dëshmi e dështimit të ndërtimit të memories kolektive mbi të kaluarën, sidomos rreth luftës- dëshmimit në mënyrë e duhur të krimeve të kryera dhe vend-krimeve. Por është edhe pasoja e mosinformimit të duhur të opinionit publik ndërkombëtar të cilët kanë dëgjuar për luftën e Kosovës, por nuk ka një muze ku do të njoftoheshin me përmasat e krimeve të kryera ndaj civilëve”- ka thënë Blakaj.

Sylë Ukshini, historian, thotë për KALLXO.com se sikur të kishte një muze të tillë (muze të krimeve të luftës) bota do e lexonte ndryshe gjendjen e sotme në Ballkan. Siç ka thënë ai, nuk do të kishim shenja së barazimit mes krimit shtetëror serb dhe krimeve ordinere të shqiptarëve.

Sipas tij, Kosova nuk ka arritur ta dokumentojë ekzistencën e doktrinës antishqiptare të institucioneve e akademikëve serbë, projekteve për zhdukjen dhe shpërnguljen e shqiptarëve, sikurse ‘Neçartania” e Garashaninit. “Dëbimin e shqiptarëve” të Çubriloviqit, Konventën Jugosllave-Turke për shpërnguljen e shqiptarëve, projektin për Shqipërinë të Ivo Andriqit,“Problemin e Pakicave në Jugosllavinë e re” të Çubriloviqit, Memorandumin e Akademisë Serbe, dhe projektin e koduar “Patkoi”.

Ekzistenca e muzeut për krime, sipas Ukshinit, do të dërgonte një mesazh të fortë kundër mohimit ose shtrembërimit të fakteve për krimet e kryera kundër njerëzimit që kanë pësuar shqiptarët gjatë periudhës së viteve 1989-1999.

“Krimet e luftës, vrasjet masive, përdhunimet, të kidnapuarit (të pagjetur edhe sot) si dhe spastrimi etnik janë një plagë e pashëruar në historinë tonë kombëtare. Kujtimi për këtë vuajtje të kombit duhet të mbetet i shenjtë dhe ruajtja e tij është e mundshme përmes Muzeut, sigurisht edhe përmes Institutit për Krime të Luftës, që është rikrijuar kohë më parë dhe që drejtohet nga një njeri profesionist. Unë e di që jemi rast sui generis, por kjo qasje e jona mendjelehtë, dhe insistimi ndërkombëtar, ka bërë që Kosova të jetë ndoshta i vetmi vend në botë pa datë të çlirimit”- ka thënë Sylë Ukshini, profesor historisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare.

Kurse, historiani Haxhi Ademi, thotë për KALLXO.com se një muze i krimeve të gjenocidit do të ndihmonte të dokumentohej se çfarë ka ndodhur në Kosovë nga pushteti i Beogradit në mënyrë institucionale dhe si janë organizuar vrasjet dhe ekzekutimet e civilëve në baza etnike për të eliminuar fizikisht popullin shqiptar.

“Prandaj, konsideroj se një nga vendimet e para të qeverisë së Republikës së Kosovës duhet të jetë ndërtimi i një Muzeu të Krimeve të Shtetit Serb ndaj popullit shqiptar. Në këtë muze do të duhej të pasqyroheshin jo vetëm krimet e luftës së fundit në Kosovë, por edhe krimet që kanë ndodhur që nga shekulli XIX”.

Sipas Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovës, 13. 535 persona janë vrarë apo zhdukur gjatë viteve 1998-2000 në Kosovë.