Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Dështon zgjedhja e drejtoreshës së Radio Kosovës

Bordi i Radiotelevizionit të Kosovës nuk ka përkrahur propozimin e drejtorit të përgjithshëm për emërimin e Flora Durmishit në pozitën e drejtoreshës së Radio Kosovës.

Durmishi ishte caktuar u.d. drejtoreshë e Radio Kosovës në shkurt të këtij viti.

Drejtori i RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj, ka të thënë se Durmishi është përzgjedhur kandidatja me e vlerësuar nga komisioni vlerësues për këtë pozitë.

“Kanë qenë katër kandidatë, tre janë kualifikuar për fazën finale. Në bazë të rezultatit të vlerësimit, Flora Durmishi ka marrë vlerësimin maksimal. Ka qenë u.d. e drejtoreshës së Radios për gjashtë muaj” – ka thënë Ahmetxhekaj.

Votimi i kësaj pike është përcjellë me tensione nga anëtarët e bordit.

Shukrije Rama, një nga anëtarët e bordit, ka kërkuar sqarime nga anëtarët që kanë votuar kundër këtij propozimi.

Ajo ka votuar pro këtij emërimi dhe ka theksuar se për të Flora Durmishi është ikonë e Radios.

Por Shukrije Ramës i është kundërpërgjigjur anëtarja tjetër e bordit, Fatime Lumi Qehaja.

Ajo theksoi se ka votuar kundër propozimit që Durmishi të jetë drejtoreshë e Radios.

“Unë, Shuki nuk të jap ty arsyetim se për çka votoj pro ose kundër, këtë ma mundëson ligji që anëtari i bordit voton pro ose kundër” – ka thënë Fatime Lumi Qehaja.